E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Duhet të korrigjohet Historia. Ministri Tafaj: MenjëherëNga Tema Pak ditë më parë Ministria e Arsimit deklaronte se nuk kishte ndërmend që të tërhiqej nga teksti i Historisë 12, që mësohet në vitin e fundit të gjimnazit. Ajo ishte

Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.

Berisha: Duhet të korrigjohet Historia. Ministri Tafaj: MenjëherëNga Tema

Pak ditë më parë Ministria e Arsimit deklaronte se nuk kishte ndërmend që të tërhiqej nga teksti i Historisë 12, që mësohet në vitin e fundit të gjimnazit. Ajo ishte e bindur se opozita po e përdorte politikisht këtë tekst, që kishte kaluar në të gjitha filtrat e mundshëm dhe ishte shkruar me profesionalizëm dhe objektivitet. Dje ministri i Arsimit, Myqerem Tafaj, tha se teksti do të rishkruhet, madje brenda këtij viti. Dikush do të thotë se presioni në rritje i shoqërisë, medias dhe opozitës solli këtë qëndrim të ri. Në fakt jo, nuk ka ndodhur kështu. Ishte kryeministri i vendit, Sali Berisha, që kërkoi të rishkruhet teksti. Dhe kështu do të ndodhë. Në këtë mënyrë do jetë sërish Berisha që do vendosë se kur shkruhet, rishkruhet, korrigjohet e publikohet historia jonë. “Libri do të rishkruhet që këtë vit. Shumë kritikë kanë kërkuar të jepen fakte nga historianët mbi periudhën e viteve të fundit dhe të shmangen politizimet e ngjarjeve”, - tha dje ministri i Arsimit, Tafaj.

Ai po udhëzon një direktivë të kryeministrit, Sali Berisha, që tha të hënën në mbrëmje se teksti duhet të njohë dhe meritat e Partisë Socialiste dhe qeverisjes së saj. Në këtë mënyrë ai pranoi se teksti po njihte vetëm meritat e tij.

“Unë e kam ndjekur debatin, por tekstin e historisë nuk e kam lexuar. Ajo çka mund të them është kjo; kërkesa ime është e hapur dhe transparente. Historia duhet të jetë e vërtetë dhe objektive dhe duhet të paraqesë vërtetësisht realitetin. Nuk e kam lexuar, por nga ato ç’kam ndjekur nga mediet, ka paraqitur regjimin kleptokratik që ne e përmbysëm në 2005 tërësisht në klishenë e vjetër, në kuptimin se nuk mund të mohosh faktin që negociatat për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit u hapën në vitin 2002, gjatë qeverisjes socialiste. Gjithashtu, nuk është fakt për t’u mohuar Karta e Adriatikut 3. Pra, në histori nuk ecet bardhezi. Ajo çka duhet të them është se historia duhet të rishqyrtohet dhe të rishkruhet dhe këtu nuk heq asnjë presje, por duhet të rishqyrtohet dhe të rishkruhet me objektivitet, ndershmëri, sepse përndryshe bën vetëm një replikim të shkrimit të saj. Raportin tim ju e dini. Sekreti i vetëm i Sali Berishës është ky: Nuk punoj për historinë, punoj për të ardhmen, ndaj dhe jam këtu para jush. Nuk kam asgjë në raportin personal, kur mora këtë shembull. Sidoqoftë, Ministria e Arsimit do ta shqyrtojë çështjen, sepse nuk mund të them, pavarësisht nga notat politizuese që janë shprehje edhe këto të një primitivizmi ose të një stadi të prapambetur, sepse akoma sot, pas 20 vitesh, në mendjet e këtyre njerëzve funksionon mendja e Enver Hoxhës, pasi edhe diellin, edhe hënën, edhe shiun e tërmetin, edhe çdo gjë e lidhin me 1-shin. Këta harrojnë që janë në demokraci. Nuk janë çliruar akoma. Unë do të punoj që të çlirohen, por ky është një proces. Sidoqoftë, qëndrimi im është i prerë, që historia do të rishqyrtohet dhe do të rishkruhet, sepse ajo është e fshehur dhe ajo do të nxjerrë të vërtetat dhe vetëm të vërtetat dhe unë, nuk mund të them kurrë që ne t’u paraqesim shqiptarëve një histori tjetër, përveçse me të vërteta. Ky është mendimi im. Nuk jam historian, jam mik i apasionuar i historisë. Shumë e shumë vite kam lexuar pothuajse çdo ditë histori. Të mendosh se çunat e “Bllokut”, i Kristaqit dhe Xhelilit, do të mbrojnë historinë, mjerë historia se ku mbeti!” - tha Berisha.

PS: Nuk ka më institucione, por një tufë buratinësh, fijet e të cilëve i lëviz Berisha

Kryetarja e Komisionit të Edukimit, Kulturës dhe Medias në Partinë Socialiste, Ledi Shamku, tha se qëndrimi i Berishës për korrigjimin e tekstit të Historisë dhe reagimi i ministrit vërtetojnë edhe njëherë shqetësimin e opozitës.

“Dje, porositësi i tekstit të turpshëm të historisë, neodiktatori Sali Berisha, u shpreh se ky tekst paskësh nevojë për korrigjime. E kështu sot, vasali i tij, ministri i Arsimit, doli dhe pranoi publikisht se teksti ka probleme dhe do të korrigjohet brenda vitit. Kjo vërteton edhe njëherë atë çka u thamë shqiptarëve: Në këtë vend nuk po ka më institucione të lira që bëjnë punën e vet. Nuk ka as ministra. Ka vetëm një tufë buratinësh, fijet e të cilëve i lëviz të gjitha Berisha. Pra, ky diktator del se është ministër Arsimi, ministër Drejtësie, ministër Transporti, ministër Financash. Gjithçka! Madje del se është edhe përfaqësuesi i shkencës së historisë, njëlloj si Enver Hoxha para tij”, - tha Shamku.

Deputetja e PS tha se libri duhet të tërhiqet nga shkollat dhe zv/ministri i Arsimit duhet të shkarkohet.

“Partia Socialiste nuk mund ta lejojë që ky neodiktator dhe koleksioni i tij i buratinëve të tallen me shqiptarët. Për këtë ne kërkojmë sot:

1. Që ky libër të tërhiqet menjëherë nga të gjitha shkollat e vendit dhe jo të pritet një vit, derisa ai të korrigjohet. Të tërhiqet menjëherë, pasi, siç e kemi denoncuar, ky është një tekst antikombëtar, ku mungojnë 14 shekujt më të rëndësishëm të etnisë sonë, të cilët janë hequr për t’u zëvendësuar nga fletët me sahanlëpirje ndaj porositësit Berisha.

2. Po ashtu, PS kërkon që të shkarkohet menjëherë zv/ministri i Arsimit, z. Shamata, i cili, fill pas denoncimit tonë, rendi të shpallë se libri është konform gjithë standardeve, porse sulmet ndaj tij janë thjesht politike. Ne nuk do ta lëmë këtë vend të bjerë në kthetrat e një diktature të re të të vjetrit Berisha”, - tha Shamku.

“Opozita po e përdor Historinë si kalë beteje, ne nuk kemi të drejtë ligjore të ndërhyjmë”

Deklarata e plotë e zëvendësministrit të Arsimit, Halit Shamata

23 shtator 2009

“Jemi këtu për të sqaruar procedurën e miratimit të teksteve shkollore, mes të cilave njërin prej teksteve alternative: “Historia e Popullit Shqiptar 12”, që po përdoret si kalë i lodhur beteje politike me mbulesë “shkencore”.

MASH deklaron se reforma e liberalizimit të teksteve shkollore ndaj tregut të botimit dhe të shpërndarjes ka sjellë impaktin e pritshëm të cilësisë së tekstologjisë shkollore, ka bërë të mundur që mësuesit e shkollave tona të bëhen pjesë e vendimmarrjes arsimore, me përzgjedhjen e teksteve alternative të miratuara nga MASH. MASH deklason se nuk ka të drejtë ligjore të ndërhyjë me të drejtën e autorit, e cila mbrohet me ligj, por brenda kuadrit ligjor MASH ka një procedurë të miratimit të teksteve shkollore që kalon në këto faza:

Komisionet e ngritura për oponencë dhe vlerësimin e teksteve, janë përzgjedhur mes mësuesve e pedagogëve më të mirë të vendit, duke marrë mendimin e Drejtorive Arsimore Rajonale, Zyrave të Arsimit dhe Rektorateve të Universiteteve. Ato kanë qenë tërësisht të paanshëm dhe jashtë çdo ndërhyrjeje. Fjala është për më shumë se 200 mësues e pedagogë përzgjedhës e më shumë se kaq tekste mësimore.

Ritheksojmë se në çdo rast, ajo që ka munguar ka qenë vetëm ndikimi zyrtar ndaj pikëpamjeve të studiuesve, të cilët kanë qenë të lirë të thonë mendimin e tyre të pavarur, të bazuar në fakte e kritere shkencore.

Duke u ndalur te procedurat për miratimin e teksteve shkollore, sqarojmë, se për çdo grup alternativash të teksteve të paraqitura për konkurrim, janë ngritur komisione me 5 vlerësues.

A. Në përbërjen e secilit komision, është një pedagog universiteti. Ai e vlerëson tekstin për saktësinë shkencore dhe përdorimin e modeleve shkencore didaktike bashkëkohore. Për rastin konkret komisioni i oponencës është drejtuar nga një autoritet i fushës, njeri prej pedagogëve të shkollave të larta publike.

B. 3 nga vlerësuesit janë mësues të lëndës të dalluar për rezultate të larta në shkollat e tyre, të cilët vlerësojnë tekstin për: Përputhja me tematikën e programit të lëndës; Përshtatja e gjuhës së tekstit me moshën e nxënësve; Metodat pedagogjike. Paraqitja dhe dizenjimi; Ndjeshmëria ndaj barazisë, mos diskriminimi gjinor, fetar, racor, dhe të qenies në pakicë.

C. Një vlerësues, i cili është specialist i gjuhës shqipe, e vlerëson tekstin për saktësinë gjuhësore dhe për pastërtinë e gjuhës së përdorur.

Për të gjithë elementet e vlerësimit të një teksti grupet e vlerësimit janë pajisur me materialet udhëzuese përkatëse. Gjithashtu janë kryer trajnime dhe janë dhënë udhëzime nga anëtarët e Komisionit të Miratimit të teksteve. Tekstet dorëzohen pranë sekretarisë së Komisionit të Miratimit të teksteve të sekretuara, pa emrin e autorit (autorëve) dhe të Shtëpisë Botuese.

Vlerësuesit kanë punuar në mjedise të izoluara dhe larg ndërhyrjeve nga përfaqësuesit e shtëpive botuese apo autorët e teksteve. Ata kanë qenë tërësisht të pavarur në gjykimet e tyre. Në fazën e dytë teksti vlerësohet nga Komisioni i Miratimit te Teksteve për çmimin sipas një formule të caktuar dhe në fazën e tretë për dokumentacionin ligjor të paraqitur nga shtëpia botuese.

Së fundi gjuha e përdorur dhe përbaltja e institucioneve nuk përbëjnë në asnjë rast argument dhe aq më tepër argument shkencor, siç pretendohet. Nuk e di se çfarë ndjesie publike shkakton fakti që një tekst historie bëhet alibi për mos hyrjen e opozitës në Kuvend. Tonet ultimative për tërheqjen e tekstit në një kontekst më të gjerë aktual e politik, nuk i bëjnë nder askujt.”

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›