E Diel, 1 Nëntor 2026

Shansi i funditNga Skënder MinxhoziMë në fund PS erdhi sërish, tre muaj pas zgjedhjeve, në situatën e brendshme statutore dhe institucionale të para zgjedhjeve. Të paktën formalisht. Nuk ka më një kryetar në detyrë, por një drejtues me mandat të plo

Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.

Shansi i funditNga Skënder Minxhozi

Më në fund PS erdhi sërish, tre muaj pas zgjedhjeve, në situatën e brendshme statutore dhe institucionale të para zgjedhjeve. Të paktën formalisht.

Nuk ka më një kryetar në detyrë, por një drejtues me mandat të plotë, rrjedhimisht nuk ka një debat konkret rreth problemit të suksesionit në parti. Natyrisht që ka një debat tjetër, po aq të rëndësishëm dhe që nuk mund të mos prekë edhe mandatin e dytë që Rama sapo e ka futur në xhep. Çështja e madhe që shtrohet në PS, menjëherë pas mbylljes së kutive të votimit apo më mirë lista e çështjeve, ka të bëjë me numrin jo-indiferent të hapave, lëvizjeve, korrigjimeve, ideve dhe tezave që kjo parti, pra opozita vetë, duhet të përpunojë shpejt dhe pa gabuar. Me qëllim që të devijojë sa më parë, nëse do të mundet vërtet ta bëjë këtë, tendencën negative që solli me vete humbja djegëse e 28 qershorit. Kjo kthesë nuk është as e lehtë dhe as e thjeshtë për t’u marrë. Aq më tepër kur “shoferi” i autobusit të PS ka dëshmuar në këto tre muaj pas votimeve, se ka pak dëshirë që të ndërmarrë akte spektakolare dhe që të krijojë një thyerje të qartë mes asaj që ishte dhe asaj që do të jetë.

Edi Rama ulet sot me mandat të plotë në tryezën që në fakt nuk e liroi asnjë ditë, me detyrën e parë ...dhe më të rëndësishme para vetes - atë të identifikimit të një linje të qartë opozitare për vitet që e presin përpara. Është e vështirë të besohet se ai llogarit zgjedhje të shpejta apo edhe një rënie të parakohshme të mazhorancës aktuale. Të paktën kjo është një mundësi, por jo një siguri në kushtet aktuale. Detyra e parë e Ramës është që t’i japë formë një mandati të dytë si kryetar, i cili duhet të zgjidhë shumë nga nyjet që krijoi mandati i parë dhe që të gjitha së bashku çuan në një profil humbës dhe jo fitues në zgjedhje. Çfarë opozite duhet? Pse dhe si duhet ndërtuar një koalicion i fortë, duke mbledhur këdo (përfshirë Ngjelën dhe Ndokën), që nuk beson se Berisha dhe Meta janë një dyshe e besueshme dhe afatgjatë? Çfarë nuk shkon në demokracinë e sotme që duhet korrigjuar sa më parë? Ja vetëm disa prej pyetjeve-piketa, mbi të cilat mund të qëndronte projekti dhe vullneti për një opozitë të re. Në fillim duhet zgjidhur bojkoti. Një çështje e mprehtë politike që mban opozitën jashtë institucioneve përfaqësuese, që prek imazhin e Shqipërisë, dobëson pozitën e qeverisë, por që njëherësh mund të paraqesë një kurth të rrezikshëm për vetë PS.

Vite më parë, kur Berisha bojkotonte sa herë që kishte zgjedhje, pozita e tij dhe e partisë së tij u dobësua dukshëm, pasi ai u pa nga ndërkombëtarët si një faktor destabilizues në një vend që kishte nevojë për qetësi dhe rend, po aq sa për oksigjenin që thith çdo njeri. Natyrisht Berisha i pas 1997-ës ishte një personazh me kredibilitet mjaft të ulët dhe të dyshimtë, e ky ishte një humor mjaft i përhapur për Doktorin në ato kohë.

Bojkoti aktual ka në themel disa kushte që në rrethanat konkrete duken të rënda dhe përjashtuese. Për pasojë, nga opozita nevojitet një kalkulim i kujdesshëm i anëve pozitive dhe negative të këtij hapi të hedhur, që s’mund të zgjasë pafundësisht dhe që duhet përdorur për të arritur disa objektiva politike. A mund të rihapen kutitë, ashtu siç kërkon sot Rama dhe Ngjela? Duket e vështirë, në mos e pamundur. Atëherë, në një rast të tillë, cili do të ishte modaliteti dhe kompromisi i mundshëm mes palëve? Sot, kur s’ka asnjë kontakt mes pozitës dhe opozitës për këtë çështje, por vetëm ftesa në formë kurthesh, duket e vështirë të jepet një përgjigje. Ajo që tashmë duket është se presioni ndërkombëtar mbi opozitën mund të vijë duke u rritur në javët e ardhshme, çka do ta vinte Ramën dhe aleatët e tij përballë nevojës së një vendimi të qartë dhe sidomos konkret në planin kohor.

Skena e sotme opozitare ka një parti të fuqishme dhe disa projekte rreth saj, që praktikisht dështuan nga pikëpamja numerike. Riorganizimi i këtij konglomerati të ri unicentrik është ndoshta ndër hapat e parë për t’u hedhur. Zgjedhësit e demotivuar dhe të çoroditur opozitarë kanë nevojë të shohin se cili do të jetë formacioni/ formacionet politike që do të bëjnë opozitën në këtë vend. Idetë janë hedhur dhe shkojnë nga federata e deri te shkrirja e të gjithëve brenda strukturës së PS apo te krijimi i një fronti unitar që përfshin edhe të djathtët. Një projekt që vetëm fillon me këtë transformim dhe që duhet mbushur me ide dhe me teza, me angazhime konkrete nga të gjithë, e jo vetëm nga një grup i vogël të preferuarish, siç ndodhi në fushatën që lamë pas.

Një tjetër problem delikat për kreun e ri të PS është situata e brendshme në parti. Nëse mendon se e zgjidhi me 50 mijë vota socialistësh rivalitetin me Blushin dhe mbështetësit e tij, Rama e ka të humbur që në nisje betejën për një opozitë të re fituese. Duket qartë se kundërshtarët brenda partisë i kanë dhënë vetëm një pauzë qetësie kryetarit të sapozgjedhur, porse lufta në PS s’ka mbaruar. Rama vetë shpreson te kjo klimë qetësie relative, ndoshta për të afruar disa prej “rebelëve”, e kjo mund të sjellë një stabilitet relativ për muajt që vijnë. Megjithatë, armëpushimi nuk është asnjëherë fundi i konfliktit. Nëse pesëshja e deputetëve do të ulë ritmin e akuzave dhe kundërshtimit publik, nëse ata vendosin t’i binden shumicës dhe jo të vijojnë hapat e largimit nga partia, kjo paqe e përkohshme mund të prishet njëherë e mirë si sot një vit, kur të bëhet i qartë rezultati i zgjedhjeve lokale. Një fitore (edhe kjo për t’u parë në çfarë termash dhe përmasash), do t’i jepte të drejtë Ramës mbi ata që sot e kundërshtojnë. Një humbje eventuale do të përkeqësonte përfundimisht këtë marrëdhënie kaq të acaruar edhe në momentin aktual.

Problemi i madh i mandatit të dytë të Ramës ka vetëm një emër: zgjedhje lokale. Prej këtu nis ringritja, prej këtu mund të nisë dhe rënia e rrezikshme drejt një krize të gjatë dhe të thellë. Në mesin e vitit të ardhshëm, vetëm pak muaj para zgjedhjeve administrative, mazhoranca pret dritën jeshile për liberalizimin e vizave për shqiptarët, i cili duhet të ndodhë diku në fillim të vitit 2011, sipas asaj që pritet të jetë kalendari normal i Brukselit. Berisha dhe Meta e kanë deklaruar drejtpërdrejt apo tërthorazi, që në daljet e tyre të para pas 28 qershorit, se qeveria e re me dy koka e pret si ujët e paktë përmbushjen e këtij objektivi historik. Me fjalë të tjera, kjo është ndoshta rrethana më tinëzare që mund të kompromentojë fushatën e opozitës ende pa nisur, duke kanalizuar vota dhe mbështetje masive te shumica e djathtë. Nëse kësaj i shton edhe pozitën dominuese në terma financiare që tashmë kanë krijuar demokratët e pas tyre edhe lësëistët, fushata e zgjedhjeve do t’I ngjante një faqeje të pjerrët mali për opozitën e sotme. Vetëm një puls i ri opozitarizmi mund të motivonte nga e para popullin e së majtës përballë këtij aliazhi të rrezikshëm interesash dhe parash.

Ramës i duhet që të nisë që sot shpleksjen e këtij lëmshi të ngatërruar krizash, problemesh, mërish të vogla dhe të mëdha. A ka mësuar ai diçka nga humbja e qershorit? Ja rasti që të na e tregojë duke nisur që tani.

Në të kundërt, edhe ai, edhe Maqo Lakrori, edhe e gjithë opozita aktuale do të jenë lodhur kot duke na mbushur mendjen se ajo që ndodhi më 28 qershor mund të zgjidhej me një votim anëtarësie dhe se gjithçka paska qenë thjesht një çështje procedurash. Duhet diçka krejt tjetër nga ajo që kemi parë deri tani. Rama ka shansin e dytë, ndoshta dhe të fundit. Le ta përdorë me mend!

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›