E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha e Meta nisin revanshin ndaj medieve kritikeNga Faktori PlusPolicia e Ndërtimit e qarkut të Tiranës është vënë në lëvizje në mënyrë të kundërligjshme nga persona të paautorizuar, që përdorin autoritetin e kryeministrit Berisha për të prishur a

Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.

Berisha e Meta nisin revanshin ndaj medieve kritikeNga Faktori Plus

Policia e Ndërtimit e qarkut të Tiranës është vënë në lëvizje në mënyrë të kundërligjshme nga persona të paautorizuar, që përdorin autoritetin e kryeministrit Berisha për të prishur antenat e televizionit Vizion Plus. Të dielën, herët në mëngjes, një operacion blic, i paautorizuar i Policisë së Ndërtimit të qarkut të Tiranës ka rrëzuar përtokë ndërtesën e antenave të Vizion Plusit në malin e Dajtit, ndërtesë e cila është ndërtuar brenda gjithë kuadrit ligjor të vendit, me leje nga komuna e Dajtit dhe Ministria e Mjedisit.

* * *

“Faktori Plus” ka gërmuar më tej tek autorët e këtij urdhri të paligjshëm. Nga një video e marrë prej kamerave të sigurisë në malin e Dajtit zbardhet i gjithë skenari i prishjes së ndërtesës.

Nga pamjet mund të shihet ndërtesa e TV Klan, e cila, në kohën kur është ndërtuar me leje ndërtesa e Vizion Plusit, ka qenë pa leje. Rreth orës 16.10, një person në tarracën e ndërtesës së Klanit, një punonjës zyrtar i këtij televizioni, raporton te drejtori i tij, Aleksandër Frangaj, për faktin se në godinën e Vizion Plusit po punohet. Personi është shqetësuar nga fakti se Vizion Plus po ri-ngrinte godinën e antenës së prishur dhe më parë nga Policia Ndërtimore. Roja e objektit dëshmoi se personi foli i alarmuar me Aleksandër Frangajn, drejtorin e TV Klanit. Pas kësaj në orët e mbrëmjes ditën e shtunë, në vend mbërrin një ekip i Policisë Ndërtimore të degës së Tiranës. Policia, e cila gjen kohë të shkojë natën e së shtunës në malin e Dajtit, e urdhëruar nga persona ende të paverifikuar zyrtarisht, bën planin e punës për prishjen e objektit. Pasi qëndrojnë 5 minuta, ata largohen. Ata nuk i lënë asnjë shkresë apo njoftim rojës së objektit në malin e Dajtit.

* * *

Skandali thellohet të dielën, herët në mëngjes. Në pamjet e kamerës së sigurisë shihet se rreth orës 5.44 minuta të mëngjesit mbërrin fadroma e Policisë Ndërtimore të Tiranës. Pas fadromës vjen dhe një furgon i policisë, megjithëse në objekt nuk kishte asnjë rrezik. Operacioni për shembjen e godinës zgjat dhjetë minuta. Pas kësaj fadroma largohet si në panik nga vendngjarja.

Kjo është gjithë prapaskena e prishjes së antenës, zbuluar nga “Faktori Plus”. Pra, Policia Ndërtimore në Tiranë është vënë në lëvizje nga një punonjës i TV Klanit, i cili i ka raportuar pronarit të TV Klanit dhe ky i fundit ka vënë në lëvizje policinë mbrëmjen e së shtunës dhe të dielën herët në mëngjes. Nëse llogarisim kohën që i duhet fadromës të shkojë deri tek antenat, i bie që ajo të jetë nisur rreth orës 3.30 të natës duke u gdhirë e diela, nga Tirana. Është e papërfytyrueshme që një strukturë e tillë shtetërore të kalojë në gjendje gatishmërie numër 1, vetëm për të prishur antenat e ligjshme të një televizioni, i cili ka qëndrime kritike ndaj qeverisë.

* * *

Vizion Plus ka ndërtuar antenën me leje të komunës së Dajtit. Vizion Plus ka marr me qira truallin nga Ministria e Mjedisit. Vizion Plus ka marrë me qira nga Drejtoria Pyjore e Tiranës hapësirën ku vendoset godina. Në kohën që Vizion Plus ka nisur këto procedura, në krah të tyre antenat e televizioneve të tjera ishin pa leje. Që atëherë ka nisur presioni për mos-ndërtimin e saj. Në vitin 2007, strukturat shtetërore bënin presion mbi Policinë Ndërtimore për ta përdorur atë si mish për top për të frikësuar medien. Me gjithë rezistencën e disa zyrtarëve korrektë, arroganca tashmë është rritur dhe askush nuk pyet më për ligjin.

Vizon Plus do të padisë në prokurori drejtorin e policisë së qarkut të Tiranës, që është vënë në lëvizje nga persona jozyrtarë për të prishur objektin. Vizion Plus po përpiqet të verifikojë spekulimet, nëse urdhri gojor është dhënë nga ministri Sokol Olldashi, kryeministri, Sali Berisha, apo është keqpërdorur emri i tyre nga Aleksandër Frangaj. E themi këtë, pasi ky person ka precedentë të keqpërdorimit të pushtetit për interesa të tij personale.

Historia e zaptimit të tokave në Kinostudio prej tij është e njohur. “Faktori Plus” ka zbuluar një vit më parë se si Aleksandër Frangaj dhe vëllai i tij janë përleshur deri fizikisht me pronarin e një televizioni tjetër dhe i kanë arrestuar atij gjithë personelin, me qëllim që të zaptonin një rrugicë në Kinostudio. Fakti që ky person arreston gjithë personelin e një televizioni me furgona policie, që i binden atij sikur të jetë ministër i Brendshëm, na bën të besojmë që dëshmitë se ai ka urdhëruar prishjen e antenës së Vizion Plusit mund të jenë të vërteta dhe janë një akuzë edhe më e rëndë për autoritetin e kryeministrit Berisha, i cili ka deleguar pushtetin e tij te trafikantë të tillë influencash për interesat e tyre.

Presioni i hapur mbi Vizion Plusin pason prishjen e njëanshme të kontratës me televizionin Top Channel ditën e fundit të mandatit të ministrit Genc Ruli. Top Channel u njoftua se duhet të largohej urgjent nga mjediset e tij pranë ish-ekspozitës “Shqipëria Sot”, duke lënë pezull programacionin e tij vjetor.

Këto detaje të aksionit qeveritar kundër medies kanë pasuar një vit të vështirë të lirisë së medies, ku shtypshkronja e gazetës “TemA” u bllokua papritur me policë dhe tashmë është kthyer në një hekurishte brenda rrethimit të policëve, që e ruajnë ende atë. Arroganca me të cilën qeveria ka ristartuar mandatin e saj, kundër medias së lirë dhe mendimit kritik, është një mesazh i keq për të gjithë ata që duan të besojnë se historia e errët e Berishës me medien nuk do të përsëritej.

Editorial

Një nga standardet më të ulëta që liria e medies ka pasur në këtë vend

Qeveria shqiptare ka nisur mandatin e saj të ri me një arrogancë të shtuar ndaj medieve kritike, të pabindura ndaj saj, duke mbajtur dukshëm një qëndrim selektiv në raport me mediet e tjera që ka vendosur nën kontroll. Brenda dy javëve, nga fillimi i punës së koalicionit Berisha- Meta, qeveria ka sulmuar ndërtesat e dy televizioneve të mëdha, Top Channel dhe Vizion Plus, të cilat po përpiqet t’i vendosë nën kontroll. Top Channel u njoftua papritur disa javë më parë se ministri në ikje i Ekonomisë, Genc Ruli, kishte firmosur daljen e tyre nga studiot e ndërtuara me kontratë të rregullt ligjore pranë ishekspozitës “Shqipëria Sot”. Veprimi ishte dukshëm një presion mbi televizionin, pasi ministri i ri, Dritan Prifti, nxitoi menjëherë të thotë se do ta rishikojnë vendimin, duke nënkuptuar një ndryshim dhe të reagimit të këtij televizioni në raport me qeverinë.

E njëjta situatë po ndodh dhe me Vizion Plusin. Duke u gdhirë e diela, rreth orës 5 të mëngjesit, fadroma e Policisë Ndërtimore dhe një furgon policie janë vënë në lëvizje nga njerëz informalë të pushtetit për të shkuar në Dajt dhe për të rrëzuar përtokë antenën e Vizion Plusit, një nga investimet e kompanisë gjermane WAZ në Shqipëri. Edhe pse gjithçka është brenda rregullave, që nga leja e ndërtimit, deri te leja e mjedisit, policia ka gjetur të dielën herët në mëngjes për të shkatërruar godinën, në krah të së cilës lulëzojnë godina të medieve qeveritare me status të dyshimtë nga ana ligjore.

Qëndrimi selektiv i pushtetit ndaj medies dhe tendenca për t’i bërë presion asaj në emër të një sjelljeje konformiste ndaj pushtetit, po rrezatohet dhe në presione mbi politikat editoriale apo qëndrime refuzuese për të qenë prezent si palë në media nga ana e qeverisë.

Por, fakti më i rëndë që shkon jo vetëm kundër lirisë së medias, por dhe kundër shtetit ligjor, është se politikën revanshiste kundër medies kritike e drejtojnë në emër të qeverisë njerëz të medies proqeveritare, që flasin në emër të Sali Berishës, Sokol Olldashit apo drejtorit të Policisë Ndërtimore, dhe këta të fundit nuk e përgënjeshtrojnë. Ky degradim i shtetit ligjor dhe përdorimi i grupimeve të interesit në media kundër asaj pjese të medias që nuk është konformiste me qeverinë, është një nga standardet më të ulëta që liria e medias ka pasur në këtë vend. Në kohën kur media e shkruar është vendosur thuajse nën kontrollin e qeverisë dhe shumica e medias televizive është aneks i propagandës zyrtare, kjo fushatë e re presioni ndaj medias së pavarur ngre dyshime të rënda për angazhimet dhe detyrimet që qeveria shqiptare ka për lirinë e medias në rrugën e saj drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe si vend me statusin e anëtarit të NATO -s.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›