E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha-Dule, takim i vështirë për zëvendësuesin e Barkës

Berisha u kërkon drejtuesve të PBDNJ-së një kandidaturë alternative përveç Martos

TIRANË- Zëvendësimi i Kosta Barkës në postin e ministrit të Punës dhe Çështjeve Sociale ka rezultuar të jetë një proces jo i lehtë për Partinë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut. Pasi dha “OK” për largimin e Barkës, kreu i qeverisë Sali Berisha ka hezituar deri më tani që të japë pëlqimin për të pranuar në kabinetin e tij qeveritar si ministër të Punës, propozimin e parë të kësaj partie, Andrea Marton. Para se të ndërmarrë një vendim të tillë, kreu i qeverisë ka kërkuar nga PBDNJ të paraqesë edhe një kandidaturë tjetër të dytë si alternativë e së parës, për të krijuar mundësi zgjedhje. Për këtë arsye, PBDNJ është detyruar që ti bindet kërkesës së kryeministrisë dhe ditët e fundit mësohet se i ka paraqitur një kandidaturë të dytë, emri i të cilit nuk është bërë ende i njohur prej saj. Pikërisht zëvendësimi i Barkës ka qenë edhe objekt i bisedës që ka zhvilluar dje kryeministri Sali Berisha me dy përfaqësuesit e lartë të PBDNJ-së, kryetarin e saj Vangjel Dule dhe deputetin Spiro Peçi në ambientet e një prej lokaleve të kryeqytetit. Megjithëse biseda ka qenë konfidenciale, burime pranë PBDNJ-së bënë të ditur se përveç urimit për festën e “Bajramit”, temë e diskutimit, ka qenë padyshim edhe emërimi i ministrit të ri të Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta. Siç bëjnë të ditur të njëjtat burime, Dule i ka kërkuar kryeministrit shpjegime në lidhje me vonesat e emërimit të ministrit të ri. Ndërkohë që kryeministri ka konfirmuar së pari se tashmë shkarkimi i ministrit Barka është çështje e mbyllur, ndërsa ka siguruar se është duke shqyrtuar dy kandidaturat e paraqitura. Gjithashtu shefi i ekzekutivit mësohet të ketë qetësuar aleatët e vet minoritar se përzgjedhjen e ministrit të ri do ta bëjë pikërisht prej këtyre dy kandidaturave që tashmë janë depozituar si propozime zyrtare të PBDNJ-së. Vlen të përmendet fakti se përpjekja e kësaj force për të mbajtur të fshehtë emrin e ri të propozuar prej saj tregon njëkohësisht edhe preferencën e saj ndaj kandidaturës së ish-sekretarit të përgjithshëm të Ministrisë së Punës, Andrea Marto, i shkarkuar vetëm pak javë nga ministri Barka.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›