Topi siguron England për pavarësinë e institucioneve
TIRANË- Pjesë e axhendës së vizitës së Zëvendës Sekretarit amerikan të Mbrojtjes, Gordon Ingland në Tiranë ka qenë edhe takimi që ka zhvilluar me Presidentin e Republikës Bamir Topi në Pallatin e Brigadave ku dhe është nderuar me Urdhrin “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”. Pas ceremonisë solemne të organizuar me këtë rast kreu shtetit ka pritur numrin dy të Pentagonit në një takim të veçantë ku dhe është biseduar në lidhje me marrëdhëniet tepër pozitive ndërmjet dy vendeve, si dhe mundësitë për ti zhvilluar ato edhe më tej. Natyrisht pjesë e bisedës kanë qenë edhe zhvillimet politike në vend, ku kreu i shtetit ka siguruar partnerët amerikan për vullnetin e shtetit shqiptar për të vijuar edhe më tej realizimin e të gjitha atyre reformave që do të bënin të mundur integrimin e plotë të Shqipërisë në Organizatën e Atlantikut të Veriut (NATO). Në përfundim të takimit Presidenti i Republikës, Bamir Topi dhe Zëvendës Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Gordon Ingland deklaruan për mediat frymën e miqësisë që mbizotëroi gjatë kësaj bisede, duke vënë në dukje stadin shumë të mirë të marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe SHBA-së. “Sigurova z. England, që Shqipëria dhe institucionet e saj, e gjithë politika dhe e gjithë shoqëria shqiptare jo vetëm e konsideron këtë si një shenjë të çmuar të këtyre marrëdhënieve dhe të mbështetjesqë vjen nga Shteteve të Bashkuara të Amerikës, por si një moment të angazhimit të plotë për vazhdimin e reformave, reformave politike, institucionale dhe ekonomike në mënyrë që standardet që kërkohen nga Shqipëria të realizohen sa më shpejtë të jetë e mundur”, - tha presidenti Topi në fjalën e vet duke falënderuar njëkohësisht Shtetet e Bashkuara të Amerikës për miratimin e protokollit të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO. Ndërkohë zëvendës sekretari amerikan pasi ka falënderuar kreun e shtetit për mikpritjen e rezervuar, është shprehur i kënaqur për garancitë që i kishin dhënë drejtuesit e lartë shtetëror për vazhdimin e reformave. “Jam shumë i kënaqur sot gjatë diskutimeve kur mora sigurimet më të mira që këto reforma do të vazhdojnë, që Shqipëria do të vazhdojë të respektojë pavarësinë e institucioneve të pavarura të cilat janë aq jetësore për demokracinë në Shqipëri, të cilat do të ndihmojnë vendin tuaj për të ndërtuar një demokraci të fortë dhe një ekonomi të tillë”, - tha Zëvendës Sekretarit amerikan të Mbrojtjes, Gordon Ingland.