E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Dy shqetësimet urgjente për veriun

Në mbledhjen e grupit, kryeministri Sali Berisha, paraqiti dy problemet më shqetësuese për banorët ku ka rënë sasi e madhe dëbore.

“Dy janë problemet me rrezikshmërinë më të madhe: i pari, me një rrezikshmëri të lartë, janë çatitë dhe pastrimi i dëborës. Kjo përbën një kërcënim shumë serioz për jetën e banorëve. Sot në mëngjes, mediat kanë informuar se në komunën e Shalës janë dy shtëpi të shembura dhe kanë rënë çatitë e dy shkollave. Thirrja ime për të gjithë banorët e këtyre zonave është që të konsiderojnë si përparësi pastrimin e shtëpive nga dëbora. Njësitë vendore të ndihmojnë familjet që e kanë të pamundur që të ndërmarrin pastrimin e çative të tyre. Nuk duhet injoruar ky problem”, tha kryeministri.

Sipas tij, rreziku i dytë janë ortekët. “Ato mbeten rrezik pak më afatgjatë, sepse kjo sasi e madhe dëbore, tendencën për krijimin e ortekëve e ka edhe kur fillon shkrirja. Ndaj, kryetarët e komunave të bëjnë gjithçka për të nxjerrë nga rreziku, ato banorët që mund të kërcënohen nga ortekët e dëborës. Gjysma e Shqipërisë është e mbuluar me dëborë. Qeveria ka shpallur gjendjen e fatkeqësisë natyrore në këto zona. Po bëhet gjithçka për çelur fonde komunave për pastrimin e rrugëve. Po bëhet gjithçka për të ofruar ndihma më elementare familjeve më të kërcënuara. Fatkeqësitë natyrore kanë profilet e tyre”, vijoi.

Kryeministri u shpreh se ky dimër nuk është regjistruar të paktën 37 vitet e fundit, ndaj vijoi ai, duhet një angazhim maksimal. “Qeveria mbrëmë deklaroi gjendjen e fatkeqësisë natyrore, por gjatë gjithë javës është vepruar me të njëjtin mekanizëm. Deri më sot, viktima direkt e lidhur me dëborën është i ndjeri Isa Qarri. Janë bërë përpjekje për të ofruar urgjencë mjekësore me dhjetëra fluturime dhe sa herë jemi mundur, në kushte më të vështira, janë ndihmuar nga ekipet shëndetësore në gjendje urgjente”, shtoi ai. 

Sipas kreut të qeverisë, ortekët dhe dendësia e madhe e rënies së dëborës ka qenë faktor që ka rikthyer bllokimin e akseve edhe pas rihapjes së tyre. “Asgjë nuk mund të jetë e veçantë pas solidarizimit. Ministria e Punës ka disporsuar ndihmën ekonomike për tre muaj. Ministria e Shëndetësisë ka shpërndarë paketat shëndetësore në të gjitha qendrat. Ushtria ka marrë masat e saj, por këto nuk zëvendësojnë solidaritetin njerëzor. Sot, një gjeneratë e tërë nuk njeh dimra si ky. Të shmangim çdo lloj rrugëtimi të panevojshëm në dëborë. Sot ka zona nga Bilishti dhe gjer në Valbonë, me dy metra, ose dy metra e gjysmë dëborë, në mos më shumë”, shtoi më tej. /S.Ll/Start/

                                                                                             2012-02-13 13:31
   

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›