Dibër, situatë kritike, 120 mijë banorë të izoluar
DIBËR – Situatë dramatike mund të konsiderohet ajo që po përjetojnë 120 mije banorët e qarkut të Dibrës nën një dimër të acartë dhe të mbuluar me dëborë si rrallë ndonjëherë. Të vdekur që mezi varrosen, të gjitha komunat e izoluara, të sëmurë që transportohen me krahë drejt qyteteve Peshkopi e Bulqizë, shtëpi që rrezikohen të shemben, frikë e panik nga orteqet që mund të nisin, banorë që kërkojnë evakuim nga shtëpitë e tyre-
Kryetarët e 14 komunave të Dibrës, 7 të Bulqizës dhe 2 të Matit raportojnë se situata vazhdon të përkeqësohet. Edhe pse rrugët janë hapur ditë më parë ato sërish bllokohen nga bora që vazhdon të bjerë papushim. Mjetet janë përqendruar në rrugën nacionale Milot-Peshkopi, kryesisht në segmentin Qafa e Buallit-Shupenzë, ndërkohë që rrugët rurale janë tërësisht të bllokuara, duke izoluar banorët e 23 njësive vendore në Qarkun e Dibrës.
Sipas kryetarit të komunës Kala e Dodës, Bajram Himallari situate atje është tejet kritike. Rruga që lidh komunën me Peshkopinë është hapur dy herë me fondet e komunës dhe prej dy ditësh është bllokuar përsëri. Në Radomirë dhe Shullan rezervat ushqimore po mbarojnë. Po ashtu nuk ka shërbim shëndetësor dhe as ilaçe.. Në këtë komunë janë izoluar 3375 banorë. Misri I zier është shpëtimi I jetëve njerëzore për shumë familje.
E ndërkohë Xhemal Delishi, kryetar i komunës Selishtë në rrethin e Dibrës shprehet se as media dhe as shtabet e emergjencave nuk e përmendin komunën e tij, ndërkohë që të 2089 banorë rezultojnë të bllokuar prej dy javësh. Ilaçet për të sëmurët kronikë kanë mbaruar. Ushqimet e siguruara për dimër po pakësohen çdo ditë. Banorët e gjashtë fshatrave të kësaj komune presin ndihma nga shteti, ndryshe gjendja e tyre vihet në rrezik.
Njazi Cani kryetar I komunës Zalldardhë, thotë se 1343 banorët e 9 fshatrave janë në gjendje të rëndë, pasi trashësia e borës në disa zona është mbi 2 metra. Një banesë në Lugje është shembur, ndërkohë që çatitë e banesave të tjera vihen në rrezik nëse reshjet vijojnë me këtë intensitet. Dy raste të emergjencave shëndetësore u zgjidhën me ardhjen e helikopterëve-tha kryetari i Zallë Dardhës.
Fushë Bulqiza me 4145 banorë vazhdon të jetë në situatë tejet kritike. Sipas kryekomunarit Fluturim Zeneli 7 fshatrat e kësaj komune janë të izoluar. Ai th0otë se nuk kemi nevojë vetëm për kuti ushqimesh port ë hapen rrugët. Kërkuam nga Prefektura një mjet borëpastrues pasi kishim një rast vdekje por nuk na u dha ndaj është ngrit fshati në këmbë për të bërë varrimin në varrezat e fshatit. Kështu ka ndodhur edhe në Zerqan, kur një i vdekur ka qëndruar dy ditë pa u varrosur-nënvizoi Zeneli i Fushë Bulqizës.
Edhe kryetari i Shupenzës njoftoi se situata është shumë e rëndë në fshatrat e kësaj njësie. Kovashica, Gjurras e Bllatë vazhdojnë të jenë të izoluara prej ditësh. Banorët e fshatrave të Zallë Reçit e Zallë Dardhës janë përfshirë nga paniku sepse mund të nisin orteqet, pasi këto zona njihen për orteqe në stinën e dimrit.
E ndërkohë në komunën e Muhurit janë regjistruar tre raste të emergjencës shëndetësore, por banorët i kanë dërguar ato me barrela në krahë drejt spitalit të Peshkopisë. Po ashtu banorët e Kastriotit i kanë ardhur në ndihmë një gruaje shtatëzënë që rrezikonte, duke e transportuar drejt maternitetit të Peshkopisë.
Mungon energjia elektrike por dhe ndërlidhja mobile në jo pak prej fshatrave për defekte të antenave.
Gjergj Marku