Berisha: E shtuna- ditë zie, shqiptarët votuan për monarkinë, por referendumi u manipulua
-Kryeministri tha se mbështetësit e mbretit luftuan kundër pushtuesit nazifashist që ditën e parë, më 7 prill 1939
Kryeministri Sali Berisha në mbledhjen e qeverisë, ka kërkuar nga anëtarët e kabinetit të mbajnë një minutë zi për pretendentin e fronit mbretëror, Leka I. Berisha e shpalli të shtunën ditë zie, ndërsa në fjalën e tij tha se në vitin 1997 atij iu vodh referendumi për monarkinë. Sipas Berishës, shqiptarët votuan masivisht që vendi të ishte monarki.
Gjeni më poshtë fjalën e Berishës:
Në vitin 1997, u dekretua nga presidenti i Republikës, referendumi popullor për tu dhënë qytetarëve shqiptarë mundësinë e përzgjedhjes.
Dua të them këtu se përzënia e Mbretit, mohimi i të drejtës për kthim në Shqipëri, ishte një nga veprime më arbitrare të Enver Hoxhës dhe klikës së tij. Mbreti Zog u largua nga Shqipëria siç u larguan mbretërit e tjerë nga mbretëritë e pushtuara nga forcat nazifashiste. Por mbreti Zog qëndroi në të gjithë kohën në anën e koalicionit antifashist.
Forcat e mbështetësit e tij luftuan me trimëri në Portin e Durrësit më 7 prill, të udhëhequr nga Abaz Kupi. Më pas forcat mbretërore, sërish të udhëhequra nga Abaz Kupi, vazhduan luftën për çlirimin e vendit deri në vitin e fundit të luftës. Natyrisht Lufta Nacionalçlirimtare mori edhe aspektin e saj vëllavrasës, siç dëshmojnë dokumente të panumërta. Kjo vëllavrasje kishte vetëm një qëllim. Por legalistët, mbretërore luftuan me vendosmëri të madhe okupatorët nazifashistë gjatë të gjitha viteve të pushtimit.
Përpjekjet e tyre pas vendosjes së diktaturës në Shqipëri, ishin të pandërprera.
Parlamenti shqiptar në vitin 2003 votoi ligji ku i njihen atributet familjes mbretërore. Ky ishte një vendim shumë i drejtë.
Dua të theksoj se referendumi u bë në flakë të rebelimit komunist dhe nuk mund të konsiderohet si një çështje e mbyllur. E vërteta është se padiskutim në atë referendum dominoi parimi stalinist, që ju votoni, numërimin e bëj unë. Ajo që është reale, shqiptarët votuan masivisht, nga Konispoli në Vermosh për mbretin e tyre. Por ata manipuluan dy javë rresht votat e referendumit.
Sot është një ditë e veçantë, ditë kur shqiptarët përkulen para njërit prej personaliteteve më të mëdha të historisë së tyre politike.
Familja mbretërore është përfshirë në protokollin shtetëror. Ndaj vendi dhe kombi do e përcjellë mbretin Leka I me nderimet që i përkasin një mbreti jo në detyrë, me atributet që i përkasin një mbreti jo në detyrë. Kështu që për këtë qëllim krijohet një komision shtetëror, i kryesuar nga zv/kryeministri dhe me një seri ministrash në përbërje. E shtuna do jetë zi kombëtare në të gjithë spektrin e ditës së zisë të nivelit mbretëror. Për të nderuar kujtimin e tij, unë ftoj anëtarët e Këshillit të Ministrave të mbajnë një minutë heshtje.