E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: E turpshme përpjekja për rehabilitimin e Hitlerit të Ballkanit

Kryeministri Sali Berisha denoncon ashpër përpjekjet “monstruoze”, sipas tij, të opozitës së majtë për rehabilitimin e figurës së diktatorit Hoxha në 100-vjetorin e lindjes. Duke marrë shkas nga mbrojtja që e majta shqiptare po i bën kohës më të errët të shqiptarëve, Berisha solli dje në vëmendjen e publikut shqiptar krimet më çnjerëzore të diktatorit Hoxha, bashkëpunëtores së tij më të afërt, Nexhmijes dhe pasardhësit të tyre, Ramiz Alia. Berisha akuzoi dje opozitën para deputetëve të djathtë se rehabilitimi i Hoxhës bëhet qëllimisht në prag të anëtarësimit me të drejta të plota të Shqipërisë në NATO. Sipas Berishës, këto përpjekje përligjin terrorin, barbaritë, skllavërinë dhe izolimin që ai vendosi mbi Shqipërinë dhe shqiptarët për gjysmëshekulli me radhë. Berisha theksoi se “është e vërtetë që Sadami vrau me gaz qytetarët e tij, por është e vërtetë që Enver Hoxha përveç burgjeve dhe kampeve, vrau qindra-mijëra shqiptarë të tjerë në sistemin skllavërues kolektivist të vendit”. Në një situatë të tillë, Kryeministri kërkoi një distancim të prerë të drejtuesve të PS-së dhe në mënyrë të veçantë të kreut, Edi Rama, nga procesi i rehabilitimit të figurave të diktaturës më të egër që kanë njohur shqiptarët në gjithë historinë. Berisha vuri në dukje se të përligjësh sot këto veprime, është një krim i shëmtuar i ri ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve. Gjatë mbledhjes së djeshme të grupit parlamentar të PD-së, i cilësoi si çnjerëzore dhe të turpshme përpjekjet që po bëhen për rehabilitimin e “Hitlerit” të Pasluftës së Dytë Botërore, diktatorit më mizor të shqiptarëve, Enver Hoxhës. Kryeministri theksoi se po bëhen përpjekje monstruoze dhe të paimagjinueshme për të nxjerrë nga kalendat e turpit të historisë figurën më gjakësore që shqiptarët kanë njohur në të gjithë historinë e tyre, në një kohë kur vendi po bëhet partner gjithnjë e më i besueshëm për aleatët perëndimorë dhe është në prag të anëtarësimit me të drejta të plota në NATO. “Në një kohë kur jemi buzë anëtarësimit në NATO, në mënyrën më anakronike, më të papranueshme dhe më të dënueshme, po bëhen përpjekje për rehabilitimin e “Hitlerit” të Pasluftës së Dytë Botërore, po bëhen përpjekje të paimagjinueshme për të nxjerrë nga kalendat e turpit të historisë figurën më gjakësore që shqiptarët kanë njohur në tërë historinë e tyre, Enver Hoxhën”, - tha Berisha. Sipas tij, përpjekjet për përligjjen e barbarive të diktatorit ndaj shqiptarëve nuk janë më të kamufluara, por të hapura dhe një gjë e tillë është e dënueshme. Ndaj dhe kreu i qeverisë, Berisha, i kërkoi kryetarit të PS-së të lërë mënjanë të gjitha problemet e tij me të shkuarën, pasi nuk mundet kurrë të pasqyrohen në të sotmen dhe në të ardhmen e këtij vendi. Berisha vuri në dukje se “loja me diktatorin, figurën më barbare, personalitetin më mizor të historisë sonë kombëtare është një dhunim i dytë që u bëhet shqiptarëve, vuajtjeve, persekutimit dhe lëndimit të tyre”. Enver Hoxha, - denoncoi Berisha, - ishte diktatori më mizor që Evropa ka njohur ndonjëherë. “Ai vuri në ndjekje, persekutim, internim, burgim dhe ekzekutim së paku ¼ e këtij kombi, vuri nën terrorin më të zi dhe më të egër kombin në tërësi, vendosi sistemin skllavërues më të tmerrshëm që kanë njohur shqiptarët në 4 mijë vitet e fundit. Ai mbuloi vendin me terrin më të thellë të izolimit në tërë historinë kombëtare”, - u shpreh Kryeministri. Berisha i kujtoi kundërshtarit politik, Rama, se në dialektikën që ai beson nuk ka shqiptar që nuk e di që butonat e ekranit të televizionit ku u shfaq gruaja më mizore, që shqiptarët kanë pasur në të gjitha kohërat në pushtet, ndodhen në zyrën e kryetarit të PS-së. Pa përmendur këtu largimin nga seanca parlamentare e deputetëve të majtë për të ndjekur poshtërimin që u bëhej shqiptarëve nga një grua, e cila ka qenë bashkautore e të gjitha krimeve monstruoze të burrit të saj, e cila edhe pas vdekjes së burrit nëpërmjet kukullave të kontrolluara si Ramiz Alia, që e kishte bashkautor në krime, nga firma që kishte vendosur për ekzekutimin e 27 intelektualëve për bombën në Ambasadën Sovjetike, gjer tek qindra lidhje të krimeve të dyshimta me njëri-tjetrin, kontrolloi Shqipërinë deri në tetor të ‘90-s. Berisha siguroi se shqiptarët, duan apo nuk duan Rama me të vetët, do të shkëputen një herë e mirë nga koha e atij që kreu në masë krime kundër njerëzimit. “Enver Hoxha përbën kapitullin më të zi të historisë sonë kombëtare, nga e cila ne duhet të ndahemi dhe do ndahemi, por të tentosh të përligjësh, të angazhosh mediat, të shpërndash nëpër Shqipëri të deleguar dhe mesazherë në 100-vjetorin e këtij personi që ka kryer krime të egra kundër njerëzimit, është një krim i shëmtuar ndaj shqiptarëve”, - tha Berisha.

Uka: Ka spiunë të infiltruar edhe në PD

Ndonëse një grup parlamentar, disa nga deputetët e PD-së shprehin shqetësimin se brenda tyre mund të kenë infiltruar ish-sigurimsa të shtetit. Në një situatë të tillë, ata kërkojnë me insistim që të kalojë në mënyrë urgjente ligji për pastrimin e figurave të zyrtarëve të lartë të vendit. Dy prej tyre, Rexhep Uka dhe Ndriçim Babasi, i kërkuan dje Kryeministrit Sali Berisha që të ndalë përpjekjet e opozitës për rehabilitimin e figurës së diktatorit Hoxha, por dhe të kalojë për miratim ligjin për spiunët. Burime brenda mbledhjes së grupit bënë të ditur deklaratën e z. Uka. “Meqenëse ata po promovojnë figurën e Enverit, ne të bëjmë sa më shpejt ligjin e dosjeve. Shumë nga ata kanë të kaluarën të tillë”. Kur deputeti tjetër demokrat, Ndriçim Babasi, pohoi se “ligji të vijë sa më shpejt, ka njerëz të infiltruar edhe këtu dhe të shmangen emërime të këtyre njerëzve në drejtësi”. Por Kryeministri Berisha mësohet të jetë shprehur se është në pritje të konsensusit të opozitës për ligjin e hapjes së dosjeve. “Ligjin do e bëjmë, por me opozitën”.

Batuta

Leskaj: Të fusim në PD dhe shoferin e sekretaren e Pollos

Deputeti i PD-së, Bujar Leskaj, akuzoi dje partitë e vogla, në mënyrë të veçantë aleatët e djathtë se po bëjnë presion mbi partitë e mëdha për çështjen e reformës zgjedhore. Sipas tij, aleatët duan të dushkëzojnë sistemin e ri zgjedhor dhe se duan që listat të jenë me emra të përbashkët. Sipas Bujar Leskajt, aleatët Nard Ndoka, Sabri Godo, Fatmir Mediu dhe Genc Pollo s’kanë të drejtë të bëjnë presion në një formë të tillë. Sipas tij, listat duhet të jenë të mbyllura dhe të veçanta për çdo parti, edhe nëse do të ketë koalicion të përbërë. Mësohet se Kryeministri Sali Berisha i ka dhënë të drejtë parimisht deputetit Bujar Leskaj, duke i kujtuar atij se duhet vlerësuar edhe aleanca me partitë e vogla të djathta. Megjithatë, - ka shtuar Berisha, - me çështjen e reformës zgjedhore do të merret Parlamenti dhe jo grupi parlamentar. Ndërkaq deputeti i Vlorës ka prekur dhe një çështje tjetër të rëndësishme, ku ka kërkuar nga qeveria që të ketë transparencë të plotë të institucioneve, përkatësisht të ministrive, duke e bërë krahasimin e tyre me vitin 2005. Por Leskaj nuk ka nguruar të prekë dhe çështjen e bashkimit të PD-së me PDR-në e Genc Pollos, çështje të cilën ka preferuar ta kalojë me një batutë. Sipas Leskajt, “meqë është gjetur vend në kryesi e këshill kombëtar për drejtuesit e kësaj partie, le të tregohemi demokratë deri në fund dhe të gjejmë vend në parti dhe për shoferin e sekretaren e Pollos, se vetëm ata kanë mbetur pa ardhur në PD nga kjo parti me 9 anëtarë”.

Kryeministri i ofron Ramës kreun e ILDKP-së, grupi kundër

Kryeministri Sali Berisha, kreun e ri të ILDKP-së ia beson opozitës, e cila duhet të zgjedhë mes dy kandidaturave, Adriatik Alla dhe Bashkim Dedja, të dekretuara tashmë nga Presidenti Topi. Sipas tij, ky institucion kontrolli duhet të ketë mbështetjen më të gjerë të mundshme nga opozita. Por pavarësisht vendimit të z. Berisha, disa nga deputetët e tij e kundërshtuan një gjë të tillë në mbledhjen e djeshme të grupit parlamentar të PD-së, në pjesën pa praninë e medias. Burime brenda mbledhjes bëjnë të ditur se kreu i qeverisë është shprehur: “Meqenëse ILDKP-ja është organ kontrolli dhe Presidenti ka sjellë dy emra, t’ia lëmë opozitës propozimin dhe ne ta votojmë. Mua të dy emrat më duken të votueshëm”. Por mësohet se këtë vendim të Berishës e kanë kundërshtuar deputetët Xhindoli dhe Babasi, të cilët janë shprehur se “z. Llalla është njeri me integritet dhe një njeri i përgatitur për një post të tillë”. Gjithsesi në pjesën zyrtare të mbledhjes, Berisha ftoi deputetët e shumicës që preferencën për përzgjedhjen e kryetarit të ri të Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, t’ia lënë opozitës. Duke vlerësuar se ky institucion ka një rëndësi shumë të madhe për shtetin, Kryeministri theksoi se ILDKP-ja duhet të ketë mbështetje sa më të gjerë të opozitës. “Dua të shpreh vlerësimin për të gjitha përpjekjet e bëra për konsolidimin e këtij institucioni, i cili edhe njëherë e theksoj është i një rëndësie shumë të veçantë për vendin, për demokracinë, për ligjin, për luftën kundër korrupsionit në tërësi”, - u shpreh Kryeministri. Duke nënvizuar se nga seanca dëgjimore në komisionin parlamentar përkatës, për dy kandidaturat, njëri me profesion gjykatës dhe tjetri prokuror, nuk ka pasur asnjë vërejtje, Kryeministri Berisha theksoi se duhet rënë dakord që meqenëse ILDKP-ja është një institucion kontrolli, opozita të ketë një zë më përcaktues se mazhoranca në zgjedhjen e kryetarit të këtij institucioni. “Unë do t’ju ftoj që përzgjedhjen t’ia lëmë opozitës. Të jetë opozita ajo që të përcaktojë preferencën e vet. Duhet ta bëjmë këtë se jemi në pushtet. Nuk është kjo se opozita nuk verifikohet, edhe ajo verifikohet nga ky inspektorat dhe nuk duhet ta quajmë person të opozitës, sepse ky nuk është person i opozitës, por përzgjedhjen do ta bëjë opozita. Mendoj se do të ishte në interesin më të mirë të vendit”, - tha Berisha. Sipas tij, në qoftë se opozita ka një preferencë ose mendon se njëri prej tyre përmbush më mirë detyrën, ne të votojmë bashkërisht atë që mendon opozita. Berisha shtoi se në rast se opozita mendon se duhet të jetë një votim i lirë dhe cili të marrë vota më shumë të zgjidhet, unë sërish do të bija dakord me opozitën.

V. M.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›