Rama sulmon Kryeministrin për lidhje me Fazliçin
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, reagoi dje ndaj arrestimit të një biznesmeni serb, i cili sipas Ramës, ka lidhje me familjen kryeministrore. Sipas Ramës, publikimi i disa fakteve “ku personazhi i prangosur në Bosnjë ka regjistruar disa kompani të përbashkëta me klanin kryeministror dhe, me sa duket, nga gjurmët e mbetura në dokumente origjinale, ka kryer së bashku me njerëz të besuar të Sali Berishës operacione të paligjshme ekonomike”, - tregon një aferë korrupsioni. “Dalja në dritë e kësaj hallke tjetër të zinxhirit të rëndë të korrupsionit qeveritar tregon se as grabitja e fondeve publike nga rruga Durrës – Kukës, as punishtja e vdekjes në Gërdec, ku për qëllime fitimi u shpërdorua detyra shtetërore dhe vetë emri i Shqipërisë me pasojë humbjen e jetës së 26 të pafajshmëve, nuk janë të shkëputura nga një skenar i kapjes së shtetit dhe i ngritjes së një sistemi klanor korrupsioni që ka si tutor Kryeministrin Sali Berisha”, - tha Rama. Ndërkohë PS-ja ka kërkuar mocion për debat në Kuvend me kreun e qeverisë për këtë çështje.