Takimi në Tiranë, Topalli siguron ratifikimin e NATO-s nga Çekia
Presidenti i Senatit çek, Premysl Svobotka, vizitoi dje Tiranën ku është takuar me autoritetet më të larta shqiptare. Svobotka kaloi kohën më të gjatë me homologen e tij shqiptare, Jozefina Topalli, e cila arriti që të siguronte një ratifikim brenda tetorit të Protokollit të NATO-s nga Çekia. Në konferencën e dhënë për shtyp, kreu i Parlamentit çek, Sobotka, theksoi se Çekia, vend që do të marrë presidencën e radhës së BE-së në janar 2009, vlerëson progresin e bërë në Shqipëri, mbështet aspiratat e saj integruese, duke shprehur bindjen se anëtarësimi i Shqipërisë në NATO dhe në Bashkimin Evropian do të jetë i afërt. Topalli falënderoi homologun çek, si dhe garantoi që Shqipëria do të vazhdojë më tej rrugën e nisur të reformave. “Ju e kuptoni më mirë se kushdo historinë tonë të vështirë dhe ëndrrën tonë evropiane, ndaj edhe marrja e presidencës së BE-së nga Çekia në janar 2009, është shumë e rëndësishme për ne”, - tha kryetarja e Kuvendit, Topalli. Nga ana e tij, Svobotka u shpreh se njihte mjaft mirë realitetin shqiptar, pasi sipas tij, ngjante me Çekinë, por të dyja vendet tashmë janë në rrugën e sigurt të demokracisë. “Dy vendet tona kanë kaluar një histori të vështirë nën regjimin totalitar. Por tashmë, koha e totalitarizmit ka kaluar dhe jemi “me të dyja këmbët” në demokraci”, - tha Sobotka