E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dënimet alternative, ligji kalon në seancën plenare

Komisioni i Ligjeve miratoi dje projektligjin e qeverisë për dënimet alternative, si dhe ngritjen e institucionit Shërbimi i Provës, i cili do të bëjë monitorimin e zbatimit të këtyre dënimeve. Pritet që nga burgu të shpëtojnë rreth 400 vetë çdo vit, të cilët do të dënohen me dënime të tjera ose me kusht. Njëkohësisht janë miratuar edhe disa ndryshime në Kodin Penal, duke rritur dënimin për vjedhësit apo dëmtuesit e energjisë, ujit, tokës, ndërtimeve etj. Sipas ndryshimit, kërkohet që një ndërtim pa leje të dënohet nga 5 vite deri në 7 vite burg. Deputetët e opozitës kanë kërkuar që të specifikohen qartë se sa dënohet për një ndërtim të caktuar, pasi propozimi përcaktonte edhe gjobë. Sipas formulimit të ligjit, të ndërtosh në mënyrë të paligjshme edhe mbi tokën tënde, përbën një vepër penale dhe dënohet me burgim nga 1 deri në 3 vjet. Ndërtimet pa leje në tokën publike, shtetërore apo në tokën e tjetrit dënohen me burgim nga 5 deri në 7 vjet. Dëmtimi i pyjeve apo pemëve, edhe në pronat private, cilësohet vepër penale. Sipas ligjit për “Fondin pyjor”, në rast se një pronar kërkon të presë pemën në bahçen e tij, duhet të marrë leje, si dhe duhet ta kompensojë me mbjelljen e tri pemëve të tjera. Zjarrvënia dënohet nga 5 deri në 10 vjet dhe me gjobë nga 500 mijë deri në një milion lekë. Dëmtimi nga pakujdesia dënohet dyfish më pak. Shpërdorimi i tokës në kundërshtim me destinacionin e saj përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë deri në 1 milion lekë ose me burgim gjer në gjashtë muaj. Pra, një tokë bujqësore nuk e kthen dot në truall ndërtimi. Lidhja e paligjshme me rrjetin e energjisë elektrike dënohet me burgim gjer në 2 vjet. Shkatërrimi apo dëmtimi me dashje i rrjetit elektrik, telegrafik, telefonik, radioteleviziv apo të çdo rrjeti ndërlidhës dënohet me burgim gjer në 3 vjet.

Lituania ratifikon hyrjen në NATO të Shqipërisë

Shteti baltik, Lituania, ka ratifikuar dje në Parlamentin e saj Protokollin e Anëtarësimit në NATO të Shqipërisë, duke u bërë vendi i tretë që e bën një gjë të tillë pas Hungarisë dhe SHBA-së. Kryetarja e Kuvendit, Topalli, falënderoi vendin baltik dhe shprehu mirënjohje për këtë besim që i është dhënë Shqipërisë. Aktualisht, të gjitha shtetet anëtare të NATO-s janë në proces të ratifikimit të Protokollit të hyrjes në NATO. Mjaft shtete të mëdha kanë shprehur gatishmërinë për një ratifikim të shpejtë. Kjo rrugë, ratifikimi, pritet të jetë më e shpejtë se ç’pritej, për shkak të ratifikimit që senati i SHBA-së i bëri pak javë më parë. Brenda muajit mars të vitit 2009, duhet që mbi 20 shtete të bëjnë ratifikimet përkatëse në vendet e tyre.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›