Ligji për “spiunët”, dështon përsëri diskutimi
Tentativa e radhës për të diskutuar ligjin për pastërtinë e figurave ose siç njihet rëndom ligji i “spiunëve”, ka dështuar. Komisioni i Ligjeve kishte dje në rend dite për të diskutuar draftin e deputetit demokrat Aldo Bumçi, por një gjë e tillë nuk ndodhi. Justifikimi ishte se Komisioni po diskutonte projektligjin për dënimet alternative dhe nuk kishte kohë për ligjin e pastërtisë së figurave. Ndonëse diskutimi i projektligjit për dënimet alternative zgjati vetëm 1 orë, deputetët u ngritën dhe u larguan, duke treguar lodhje dhe aspak interes për ligjin e dosjeve. Pavarësisht se Konferenca e Kryetarëve në Kuvend ka vendosur që brenda datës 11 tetor të kalojë ligji i dosjeve në Komisionin e Ligjeve, një gjë e tillë duket se nuk do të respektohet përsëri. Deri në këto momente, janë shtyrë tri afate të vendosura për të diskutuar dhe miratuar ligjin e dosjeve. Duket se çështja ka ngelur në gjetjen e konsensusit mes PD-së dhe PS-së. Pvarësisht se PD-ja ka paralajmëruar se do të veprojë e vetme në rast se PS-ja nuk jep konsensus, çështja ka ngecur edhe në detajet e ligjit, pasi është parë i domosdosëëm miratimi i ligjit me konsensus të plotë politik.