E Diel, 1 Nëntor 2026

Lulzim Basha: Unë dhe familjarët e mi, jo biznese me Fazlliç

Pas akuzave në media dhe nga opozita për lidhjet me biznesmenin boshnjak, Damir Fazlliç, ministri i Jashtëm, Lulzim Basha, ka sqaruar dje Kuvendin dhe opinionin publik. Ai ka deklaruar se as ai dhe as ndonjë familjar i tij nuk ka ndonjë biznes të përbashkët me këtë person dhe gjithashtu ka garantuar se gjatë kohës që ai ka qenë ministër i Transporteve, ky person nuk ka përfituar nga fondet publike të shtetit. “Le të regjistrohet se nga kjo foltore unë deklaroj sot me përgjegjësi të plotë se z. Fazlliç nuk ka marrë dhe as përfituar asnjë qindarkë nga fondet dhe asetet publike gjatë drejtimit tim të ministrive përkatëse. Po kështu pa paragjykuar aspak të drejtën e çdokujt për të zhvilluar lirinë e ndërmarrjes ekonomike në Shqipëri, deklaroj se midis z. Fazlliç dhe meje apo familjarëve të mi nuk është zhvilluar kurrë asnjë biznes i përbashkët dhe asnjë aktivitet ekonomik”, - tha në Kuvend ministri Basha. Përpara tij, në punimet e Kuvendit mori pjesë edhe Kryeministri Berisha, i cili hodhi poshtë akuzat e opozitës, si dhe ftoi opozitën për të bërë një mocion mosbesimin ndaj tij. Berisha tha se është i gatshëm për t’i shkuar së vërtetës deri në fund, dhe për këtë, ai premtoi edhe praninë e Damir Fazlliç në Kuvend, në rast se opozita e konsideronte si të domosdoshme një gjë të tillë. “Dëshmoj gatishmërinë time të plotë dhe totale të paraqitem para opozitës, madje jam i gatshëm t'ju sjell këtu edhe Damir Fazlliç", - tha Kryeministri Sali Berisha dje në mbrëmje në Kuvend. Pas deklaratës së Kryeministrit Berisha, opozita, nëpërmjet kreut të grupit parlamentar, Valentina Leskaj, e konsideruan gatishmërinë e Kryeministrit për të sjellë në Kuvend Damir Fazlliçin si një kërcënim. “Kuvendi nuk është vend për të ardhur Fazlliçi”, - tha Leskaj.

“Te verbuar nga histeria e shpifjes”

Prej dy ditësh z. Rama po orkestron me imtësi fabrikimin, shpërndarjen dhe trumbetimin e një tjetër shpifjeje, me qëllim mashtrimin e opinionit publik. Prej dy ditësh fytyra e së keqes dhe ndërgjegjja e së ligës kanë dalë para opinionit, duke bërë atë që dinë të bëjnë më mirë. Duke tjerrë me zell pëlhurën e intrigës dhe gënjeshtrës. Duke gatuar me ngazëllim çorbën e helmatisur të trillimit që prej kaq vitesh e dekadash është specialiteti i tyre. Fytyra e vrerosur e të keqes u shfaq përsëri sot para shqiptarëve. Duke mbllaçitur gënjeshtrën që vetë prodhoi dhe shpërndau me një infrastrukturë që do t'ia kishte zili edhe vetë Sigurimi i Shtetit, bashkarkitekti i së djeshmes u rrek përsëri të na flasë në emër të së ardhmes. Fillimisht dëshiroj t’u përgjigjem shpifjeve dhe akuzave ndaj meje dhe familjarëve të mi. Le të regjistrohet, se nga kjo foltore, unë deklaroj sot, me përgjegjësi të plotë se, z. Fazlliç nuk ka marrë dhe as përfituar asnjë qindarke nga fondet dhe asetet publike gjatë drejtimit tim të ministrive përkatëse. Po kështu, pa paragjykuar aspak të drejtën e çdokujt për të zhvilluar lirinë e ndërmarrjes ekonomike në Shqipëri deklaroj se midis z. Fazlliç dhe meje apo familjareve të mi nuk është zhvilluar kurrë asnjë biznes i përbashkët dhe asnjë aktivitet ekonomik. Çdo pretendim i kundërt për sa më sipër është i pavërtetë. Çdokush që pretendon të kundërtën shpif dhe mashtron. Të verbuar nga histeria e shpifjes, z. Rama dhe hijet e tij nuk kanë marrë mundimin as të artikulojnë se për çfarë akuzojnë, çfarë ligji është nëpërkëmbur, çfarë krimi është kryer. Por njeriu i cili nuk mund të shqiptojë një fjalë të mirë për Shqipërinë kur ajo i afrohet çdo ditë e më shumë anëtarësimit të plotë në NATO, ai që i dridhet buza dhe i mpaket vështrimi kur vendi renditet në listat e transparencës dhe progresit, ai që nxin me çdo hap që Shqipëria hedh larg të shkuarës dhe drejt të ardhmes, vrapoi sot të shqiptojë mashtrimin dhe marrëzinë e radhës së imagjinatës së tij perverse. Bashkë me të dhe përkrah tij sot qëndronte e keqja, nga e cila po ndahet ky vend. E kaluara, ajo e kriminelëve të veshur me pushtetin e dhuruar nga pushteti i kapur që dhunonin qytetet dhe fshatrat, rrugët dhe hapësirat publike, fëmijët dhe prindërit tanë. Bashkë me të dhe përkrah tij qëndronin sot trafikantët dhe vrasësit që udhëtonin brenda makinave zyrtare të pushtetarëve tok me të cilët mbillnin dhe korrnin vesin, lëviznin drogën dhe ndanin fitimet. Bashkë me të dhe përkrah tij ishin sot 8 vjet korrupsion dhe kapje shteti e një volumi dhe thellësie të paparë dhe të panjohur më parë për Evropën dhe hapësirën Euro-Atlantike. Bashkë me të dhe përkrah tij ishin sot të gjithë ata që integrimin dhe përparimin e vendit të tyre e frenuan deri në ndalje duke vjedhur dhe abuzuar me taksat dhe doganat e shqiptarëve, duke përvetësuar çdo atribut ekonomik nëpërmjet pushtetit politik, duke zhbërë ligjin nëpërmjet arbitraritetit të pafre e të pakontrolluar. Ai që briti si një i marrë duke u tallur me vdekjen e një njeriu për qëllimet e tij, ai që nëpërkëmb çdo kod njerëzor për interesin e vet politik, ai që nuk ndahet dot asnjë natë nga nata e pafund e së kaluarës së tij u vërsul sot përsëri me tërbim mbi të tashmen dhe të ardhmen e një Shqipërie që po ndryshon çdo ditë. I ndërgjegjshëm se çdo krahasim mes të kaluarës dhe të tashmes do të thotë se ai dhe hijet e tij nuk kanë të ardhme, ky njeri e ka dorëzuar prej kohësh betejën e alternativave politike që normalisht stolis mejdanin e debatit politik. Ai dhe hijet e tij e kanë zëvendësuar këtë debat me një fushatë denigruese shpifjesh dhe mashtrimi, të mirëpaguar dhe të mirorganizuar, me objektiv personalitetin e kundërshtarëve të tij politike dhe familjarëve të tyre. Mashtrimi dhe gënjeshtra, shpifja pafre ndaj kundërshtarëve dhe familjarëve të tij është prodhimi final i politikës së dështuar të z. Rama. Qytetarët shqiptarë duhet të përgatiten se për çdo ditë që i sjell ata më afër zgjedhjeve midis të shkuarës dhe të ardhmes kjo fushatë histerike e së keqes dhe së ligës do të bëhet mv e tërbuar dhe e palogjikë së një dite përpara. E mbathur dhe e mirëushqyer me frutat e vjedhura të së djeshmes që shkoi por edhe me premtimet për t'u rikthyer si e nesërme e keqja dhe bijtë e saj po përgatitet edhe një herë të marshojë mbi këtë vend. Kështu pra zonja dhe zotërinj, vëllezër dhe motra, trumpetat e betejës po thërrasin përsëri. Kjo është një betejë të cilës jo vetëm nuk i ikim por e mirëpresim. Sepse përballja me të keqen është virtyti më i lartë i qenies njerëzore, thelbi i një jete të drejtë dhe parakushti i një shoqërie me të ardhme. Ne jemi përballur më parë dhe kemi ngadhënjyer. Vendi është shkëputur nga kthetrat e krimit dhe mafies që bashkëjetonin me pushtetin dhe sot po realizon aspiratat shumëshekullore për integrim mirëqenie dhe përparim. Çdo shqiptar krenohet kur vendi ynë përfaqësohet denjësisht dhe me dinjitet në arenën ndërkombëtare para kombeve të tjera. Reformat e kanë shndërruar Shqipërinë brenda 3 vjetësh nga vendi i kapjes së shtetit dhe korrupsionit në vendin e progresit dhe transparencës, nga e kaluara e dëshpërimit dhe stagnacionit në të tashmen e ndryshimit dhe shpresës, nga përbuzja dhe mosbesimi tek respekti dhe besimi që kombet Euro-Atlantike çdo ditë vendosin tek ne. Si ministër i Jashtëm, unë jam dëshmitar i këtij vlerësimi marramendës dhe krenohem me përparimin e bërë.

Por sa herë që vendi i shqiptarëve vlerësohet, fytyra e vrerosur e së keqes nxin edhe më shumë. Së fundi edhe dy fjalë për obsesionin e së keqes me rrugën Durrës-Kukës. Unë nuk i iki por e kërkoj ballafaqimin. Nuk jam unë ai që paguan për të mbyllur dosjet e panumërta që e ndjekin si fantazmat. Ajo është rruga me të cilin krenohet çdo shqiptar, është rruga që më zbardh mua dhe të nxin ty o korbi i rrugës, sot dhe përgjithmonë, sa të jetë jeta.

Deklarata e ministrit të Punëve të Jashtme, Lulzim Basha, në seancën plenare të Parlamentit

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›