Berisha: E vërteta e grave të Ramës, kreu i PS: Kryeministri pa ekuilibër mendor
ADI SHKEMBI
Kryeministri Sali Berisha sulmon ashpër nga foltorja e Kuvendit, kundërshtarin e tij politik Edi Rama. Me një fjalim që zgjati rreth 45 minuta, kreu i Qeverisë bëri fillimisht një panoramë të proceseve zgjedhore në Shqipëri, ku partia që ai drejton ka pasur përgjegjësinë e organizimit të zgjedhjeve dhe u ndal gjerësisht në zgjedhjet e 28 qershorit.
Sulmi ndaj Ramës
Para Parlamentit me gjysmën e sallës së boshatisur për shkak të bojkotit të opozitës, kryetari i Qeverisë është rikthyer mbrapa në kohë, në vitet ’90, kur Rama, atëherë pedagog në Akademinë e Arteve ishte i martuar me aktoren e njohur Matilda Makoçi. Sipas Berishës, “është shumë normale të krahasojmë pak familjet. Meqenëse ti lakon familjen time ditë për ditë, unë kam këtë përgjigje për ty: ti vuan nga një kompleks i tmerrshëm, nga një kompleks patologjik si askush tjetër. Kujtdo në jetë i kanë ndodhur ndarje, bashkime, fatkeqësi, burgosje për probleme familjare. Por çdo njeri në jetë sado të rënda t’i ketë pasur traumat dhe dramat është përpjekur të gjejë nordin. Familja është vlerë kryesore e njeriut, e shoqërisë, e njerëzimit. Kjo nuk është për ty zotëri”. “Cili është ai burrë, çfarë burri është ai që bashkëshorten e vet e akuzon se ka fëmijë me të atin e tij, ashtu siç ka botuar dokumentet ndihmësi i tij ndër më kryesorët Erion Baze në fletushkën e tij? Cili është ai baba zoti Rama që i mohon djalit kafshatën e gojës? Çfarëdo që të ketë bërë djali, kafshata nuk i mohohet, aq më tepër kur ai ishte i vogël, i mitur”, vijoi më tej kryeministri.
Fotografitë në plazh
Por kryeministri nuk është kursyer ndaj kreut të Partisë Socialiste. Ai akuzoi Ramën për nxjerrjen e gruas së tij në plazh për ta fotografuar nudo. “Zoti Rama, të ndodhi me bashkëshorten e parë, artiste e nderuar që kam respektin më të madh, ç’ndodhi pastaj? Cili është ai burrë, shqiptar, ballkanas, ai evropian që nxjerr gruan e tij lakuriq në plazhet e botës? A mund të na e thuash pak zoti Rama, ti që përmend familjen çdo ditë dhe çdo natë? A e di ti që ajo është një nënë, një motër, një bijë, është shqiptare, por edhe po të mos ishte shqiptare, po të ishte serbe, gjermane, franceze, italiane, nuk i bëhej kurrë ajo që ke bërë ti. Dhe e ke fotografuar.”, u shpreh Berisha. “A e di ti që sot ajo shëtit rrugëve të Tiranës dhe e ke ndarë? Cili je ti që lakon familjen çdo ditë, duke dëshmuar kompleksin e tmerrshëm që ke, urrejtjen patologjike që ke për familjen si të tillë? Ke akuzuar babën, si baba të djalit, ke nxjerrë gruan lakuriq në plazhet e botës. Këtë s’e ka bërë kush kurrë”. Në fjalimin në pikën jashtë rendit të ditës, kreu i Qeverisë renditi një tjetër akuzë ndaj Ramës, sipas të cilës, ai ka qëlluar në mes të Tiranës bashkëshorten e tij para disa personaliteteve shqiptarë dhe të huaj. “Zoti Rama, cili është ai burrë, ai që ngrihet nga shtrati i të shoqes në kullën e Myslym Pezës dhe shkon në shtratin e Dashit dhe të deshve dhe e detyron të largohet natën e lemerisur? Cili është ai burrë? Ke muaj të tërë që më lakon, me diçka që e kam krenari shumë të madhe. Edhe ajo është një zonjë, një motër, një vajzë shqiptare. Ti që lakon familjen çdo ditë, a mund të më thuash cili është ai burrë që rreh si kafshë te “Piazza” dhe i mbush fytyrën me gjak bashkëshortes në prani të personaliteteve shqiptare dhe kosovare? Je ti dhe askush tjetër. Kjo është e vërteta”, theksoi më tej kreu i Qeverisë. Berisha përmendi para deputetëve demokratë një letër që sipas tij i kishte ardhur nga e ëma e Edi Ramës. Por ai shfrytëzoi rastin t’i kërkonte asaj, të bënte publik faktin që e ka kuruar djalin e saj prej 10 vjetësh për skizofreni. Berisha akuzoi kundërshtarin e tij politik edhe për lidhje me bandën e Aldo Bares. “Këto ditë në Shqipëri u riatdhesua Aldo Bare. Cili është raporti yt me botën e krimit? Në të gjithë politikanët shqiptarë je skllav i krimit. Ti je i kapur në mënyrë të tmerrshme dhe je më frikacaku. Ti s’e di që bandat vetëm guxim nuk kanë. Ti je kaq i përzier me to. E nise me Denis Ginën, me afera shumë të fëlliqura. Denis Gina u vra në rrethim policie, duke mbrojtur me antitank në një kohë kur ishte.... mori për burrë vrasësin e burrit të parë. U desh ta pësonte shumë që të kuptonte gabimet që kishte bërë”, u shpreh më tej Kryeministri.
Ultimatumi
Në fund të fjalës së tij kryeministri iu përgjigj edhe ultimatumit të opozitës për hapjen e kutive të votimit. Berisha paralajmëroi Ramën se nëse në protestat e ardhshme do të ketë incidente kreu i PS-së do të jetë përgjegjësi kryesor. “Kërcënon dhe lëshon ultimatume, po në emër të kujt i lëshon ato? Kush je ti mo? Provoje po ta mbajti. Nuk dua këtë gjuhë, por vjen një ditë që të jesh bindur që për çdo gjë që të ndodh në këtë vend në dhunim të ligjit, do të ketë një dhe vetëm një përgjegjës, ti dhe vetëm ti. Provoje. Ti fryhesh si kaposh se të citoi çakalli. Provoje ultimatumin. Ti ke qenë me klimaks të përjetshëm, ti ke lindur me klimaks. Ky është fati yt i zi. Nuk e zgjidhim dot botën hormonale tënden. Ky je ti. Një kapitull i ri hapet gjatë ditëve që vijnë mbi aleancën punisto-mafioze. S’mund të ndryshosh ti. Ti s’ndryshon dot se s’të lë Koço Kokëdhia dhe Ton Tullaku”, u shpreh Berisha. Sipas tij “Ditët që vijnë një nga një do ti shkul dhëmbët aleancës punisto- mafioze. Ai ishte vetëm dhëmbi i parë, do të vazhdoj, mos u zemëro, mos u shqetëso. Pas dhëmbëve vjen nofulla. Ndaj mafies zero tolerancë. Ata që menduan se rrethuan kështjellën dhe tani do e marrin, le ta provojnë po ua mbajti. T’u tregoj sa u vlen lëkura. Unë jam Sali Berisha, unë mbaj fjalën time. Të mos kemi fjalë”.
Paloka
“Rama duhet mbyllur në çmendinë”
Deputetët e PD-së sulmuan dje nga Kuvendi kreun e PS-së, Edi Rama. Edi Paloka tha nga foltorja e Parlamentit se: “Papërgjegjshmëria e Ramës shkon deri në çmenduri, por s’mund të thuash që veprimet e tij dhe pasuesve të tij vijnë thjeshtë sepse ata janë të çmendur”. Sipas tij, kreu i opozitës i kujtua për të birin vetëm për fushatë, ndërkohë që e akuzoi atë se ka ushtruar dhunë ndaj të ëmës dhe gruas së tij. “Ky është nga ata që nuk duhet t’i hapësh rrugë, por duhet mbyllur në çmendinë. Unë nuk i kam përmendur historitë e jetës Edvinit, por kur shoh që qenie të tilla rrezikojnë t’i shkaktojnë trauma një populli të tërë nuk mund të hesht. Ky njeri në fakt duhej mbyllur në çmendinë qëkur ngrinte dorën dhe u shkaktonte drama nënës dhe gruas së tij. Një qenie që kujtohet të përdorë fëmijën e tij vetëm për fushatë zgjedhore, një qenie që detyron ish-vjehrrën e tij të dalë në një media të thotë që ne e duam Edin, kjo lloj qenie është ky”, tha më tej Paloka.
Topalli: Ai që dhunon familjen, ëndërron të dhunojë dhe shtetin
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli në seancën e posaçme plenare të organizuar për sensibilizimin e shoqërisë shqiptare kundër dhunës ndaj grave u shpreh se “ato persona që ushtrojnë atë nuk duhet të jenë drejtues të ardhshëm të shtetit shqiptar” Topalli ka takuar kreun e PS-së për ushtrim dhune në familje. “Imagjinoni një burrë që dhunon njerëzit e afërt të tij, e që është në krye të një bashkie dhe partie. Ai që dhunon familjen është rrezik tashmë jo vetëm për njerëzit e tij, por është rrezik për popullin e tij. Ai që dhunon nënën e tij, dhunon edhe institucionet. Ai që dhunon këdo që ka rreth tij, ëndërron të dhunojë edhe shtetin. Ai që kërcënon dhe rreh pa mëshirë partneret e tij, do të donte po të kish gjë në dorë, të dhunonte edhe rendin kushtetues. Kjo është universalisht e dënueshme. Këtij soj burri i tregohet vendi”, tha Topalli në fjalën e saj. Kryeparlamentarja në fjalën e saj e cilësoi dhunën ndaj grave si një kancer për të gjithë shoqërinë dhe shtoi e “kjo luftë dhe ajo kundër tumoreve janë beteja të pandalshme si politikane, grua dhe nënë”. “Dhuna kundër grave është mizore, destruktive. Ai dhunon integritetin e nënave, grave. Ai dhunon dinjitetin njerëzor. Është përgjegjësi e shoqërisë për të pasur tolerancën zero ndaj këtyre. Është koha që mosndëshkimi të marrë fund”, tha Topalli.
Akuzat e Berishës
Ky zotëri na futi në procesin më kafkian, më të neveritshëm që kam njohur në jetën politike, procesin e certifikatave dhe listave të votimit.
Isha i bindur se do të bënte çdo përpjekje për të bojkotuar zgjedhjet.
Ai kishte frikë nga vota e lirë. Si mund t’ia nxirrja unë frikën atij? Duke i thënë shkruaje vetë.
Që nga dita e përfundimit të zgjedhjeve deri sot ky zotëri me një gjuhë halabaku ka formuluar çdo ditë dhe tre herë në ditë shpifjet më të ulëta ndaj meje, ndaj fëmijëve të mi, familjes sime dhe së fundi filluan të shqipërojnë edhe emrat e mbesave dhe nipit tim
Cili është ai burrë, çfarë burri është ai që bashkëshorten e vet e akuzon se ka fëmijë me të atin e tij
Cili është ai burrë, shqiptar, ballkanas, ai evropian që nxjerr gruan e tij lakuriq në plazhet e botës?
Zoti Rama cili është ai burrë, ai që ngrihet nga shtrati i të shoqes në kullën e Myslym Pezës dhe shkon në shtratin e dashit dhe të deshve dhe e detyron të largohet natën e lemerisur?
Ti që lakon familjen çdo ditë, a mund të më thuash cili është ai burrë që rreh si kafshë te “Piazza” dhe i mbush fytyrën me gjak bashkëshortes në prani të personaliteteve shqiptare dhe kosovare?
Do i them zonjës (e ëma e Edi Ramës): kam shumë respekt për ty, por do ishte në nderin dhe integritetin tënd tu tregosh shqiptarëve se e ke mjekuar djalin tënd Edvin Rama 10 vjet për skizofreni dhe e kanë mjekuar për kolegët e mi.
Një kapitull i ri hapet gjatë ditëve që vijnë mbi aleancën punisto-mafioze. S’mund të ndryshosh ti. Ti s’ndryshon dot se s’të lë Koço Kokëdhia dhe Ton Tullaku.
Ata që menduan se rrethuan kështjellën dhe tani do e marrin, le ta provojnë po ua mbajti. T’u tregoj sa u vlen lëkura.
Ditët që vijnë një nga një do ti shkul dhëmbët aleancës punisto- mafioze. Ai ishte vetëm dhëmbi i parë, do të vazhdoj, mos u zemëro, mos u shqetëso. Pas dhëmbëve vjen nofulla. Ndaj mafies zero tolerancë.
Rama: Sali Berisha ka humbur ekuilibrin mendor
BLEDAR HOTI
Kreu i PS-së, Edi Rama i cilëson sulmet e Kryeministrit Berisha në adresë të tij si deklarata të një personi që ka probleme me ekuilibrin mendor. Ky ka qenë reagimi i menjëhershëm i kryesocialistit, pas qëndrimit të ashpër të mbajti Kryeministri Sali Berisha nga salla e Parlamentit, duke theksuar se opozita nuk tërhiqet nga kërkesa për hapjen e kutive të votimit. “Vendosa të reagoj sonte sepse dua të ndaj me të gjithë ju shqetësimin për ekuilibrin mendor të njeriut që ka në dorë Qeverinë e Shqipërisë në këto orë të vështira për vendin, për demokracinë, për shtetin e së drejtës, për ekonominë shqiptare. Vendi është në udhëkryq. Demokracia është në rrezik. Shteti i së drejtës ka rënë. Ekonomia shqiptare po falimenton”, theksoi Rama. Ai theksoi se “ne të gjithë drejtohemi nga një njeri që, bashkë me ekuilibrin mendor, ka humbur vetë aftësinë për t’i fshehur ato që fatkeqësisht mendon me të vërtetë për demokracinë, për lirinë e të drejtat e njerëzve në Shqipëri, për opozitën, për të gjithë ata që thjesht nuk e duan për të parin e vendit dhe për vetë normat më elementare të edukatës qytetare. Kohën që ne i dhamë për reflektim, Berisha e ktheu kohë për tërbim”. Për Ramën sulmet e kryeministrit ndaj familjes vijnë si rezultat i dështimit të qeverisjes dhe të përfshirjes në afera të familjarëve të tij. “Sali Berisha nuk i ikën dot ballafaqimit me të vërtetat e qeverisjes së tij, duke iu drejtuar nga foltorja e Parlamentit nënës time. Sali Berisha nuk e fsheh dot përfshirjen e familjes e të tarafit të tij në kapjen e qeverisë për përfitime të paligjshme, duke sulmuar të ndjerin babain tim. Sali Berisha nuk e mbulon dot masakrën elektorale, duke përgojuar nënën e djalit tim dhe pa kursyer as gjyshen e djalit. Sali Berisha nuk i shpëton dot nxjerrjes të të vërtetave, duke e përdorur foltoren e Parlamentit për të kërcënuar me emër e mbiemër qytetarë të lirë të këtij vendi që s’janë të rreshtuar pas tij”, deklaroi Rama. Kryesocialisti shprehet se opozita nuk i trembet sulmeve të kryeministrit dhe veprimeve e tij. “Këto nuk i bën asnjë njeri normal, jo më kryeministri i një vendi evropian nga foltorja e Parlamentit. Unë nuk ulem dot në nivelin e këtij njeriu dhe s’kam baltë për t’i kthyer në këmbim të baltës që hodhi pa kursim mbi mua e mbi kë mundi sonte. Por është e sigurt si dielli që do të lindë nesër se, i kthyer si sot, në një dordolec që zor se do ta pranonte edhe ndonjë fshat për ta vënë në arë për trembjen e laraskave, Sali Berisha nuk frikëson dot askënd. Jo më popullin e opozitës që, pa asnjë dyshim e kthim mbrapa, do t’ia kërkojë deri në fund llogarinë e zgjedhjeve të 28 qershorit. Sali Berisha është një i humbur që ka humbur mendjen”, tha Rama. Në të njëjtën kohë ai paralajmëroi se lideri i PD-së në pushtet po tenton të manipulojë mbi kutitë e mbyllura. “Sali Berisha është bërë pengu i atyre kutive. I mban kutitë mbyllur forcërisht dhe i duket se nga çasti në çast do t’i vërsulen forcërisht për t’ia marrë. Dhe mu si ai “hajduti që bërtet kapeni hajdutin”, i shpërfytyruar prej panikut, tregon me gisht nga opozita duke yshtur drejt saj me gjuhën e urrejtjes të gjithë lakejt e tij, duke shpifur për opozitën me të gjithë forcën e altoparlantëve të medias që ka në shërbim nga titujt e mëngjesit tek emisionet e darkës, duke u kërkuar ndihmë miqve ndërkombëtarë që të mbrojë demokracinë nga opozita. E ka të kotë. Siç e ka të kotë edhe gjithë atë angazhim të fshehtë për të tentuar edhe manipulimin e kutive në depot ku i mban”, tha Rama.
Rama me Mirel: Hapja e kutive, kushti themelor
Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama priti dje në një takim në selinë e PS-së Drejtorin për Ballkanin Perëndimor në Drejtorinë e Përgjithshme të Zgjerimit në Komisionin Evropian, Pierre Mirel dhe Ambasadorin e Komisionit Evropian në Tiranë Helmut Lohan. Në fund të takimit që ishte i mbyllur për mediat, kryetari socialist Edi Rama, shprehu qëndrimin e kësaj partie të cilit ia ka shprehur dhe përfaqësuesit të lartë të KE-së. “Ishte një diskutim miqësor. Një diskutim i hapur, mbi të gjitha çështjet që na shqetësojnë. Unë bëra të qartë pozicionin e opozitës. Ne nuk hyjmë në parlament deri kur të plotësohen të gjitha kushtet, që parlamenti të konsiderohet legjitim, të konsiderohet demokratik, të konsiderohet vendi ku shqiptarët përfaqësohen drejtësisht dhe ku ato që aprovohen pastaj edhe zbatohen. Ndërkohë bëra edhe njëherë të qartë konceptin tonë të thjeshtë, se hapja e kutive është kushti themelor për t’i dhënë parlamentit legjitimitetin e munguar dhe njëkohësisht për të mos lejuar që shëmtia e zgjedhjeve të shkuara të përsëritet dhe që Shqipëria të hyjë në një cikël i cili do të ishte një skemë e mbyllur ku pushteti numëron pavarësisht sesi voton populli”, u shpreh Rama.
Basha: Prapaskenat në Këshillin Bashkiak për truallin e Tajvanit
Ish-anëtari i PLL-së, Murat Basha shpjegon për “Panorama” debatin e bërë në këshillin bashkiak në lidhje me privatizimin e truallit përpara lokal “Taivani”-t. “Të hapen tabulatet dhe procesverbalet dhe aty shihet se si qëndron e vërteta dhe aty të dalin dhe interesat e anëtarëve”, shprehet Basha.
Zoti Basha kohët e fundit u bë një debat për shitjen e truallit përpara lokalit “Taivani” në qendër të kryeqytetit. Bashkia e Tiranës pretendon se kjo është bërë me vendim, nga ana tjetër qeveria e konsideron atë joligjor pasi është një tokë shtetëror. Ju keni qenë anëtar i këshillit bashkiak në atë kohë dhe keni kontestuar atë. Si i konsideroni debatin?
Më vjen mirë që sot pas 5 vitesh rihapet problemi i pronësisë mbi Tajvanin, sepse e vërteta vonon, por nuk harrohet. Atë kohë unë jam anatemuar ndoshta dhe nga një pjesë e së djathtës pasi kam qenë intransigjent në qëndrimin tim në mbrojtje të pronarëve. Në këshillin bashkiak u paraqit kërkesa për tu privatizuar 1350 metra katror rrotull “Taivani”-t, për t’i vënë në shërbim të pjesës kryesore të lokalit aty, duke vendosur një çmim qesharak rreth 120 mijë lekë të vjetra për metra katrorë. Ishte një çmim skandaloz dhe kjo ishte gjëja e parë që më bëri përshtypje. Në mbledhjen e parë kam insistuar fort dhe me ndihmën e këshilltarëve të PR-së, Shkëlqim Barushit dhe të PBK-së, Hysen Hysenllari. Me një konsensus të një pjesë të anëtarëve të së majtës, si Farudin Hoxha dhe Sali Shijaku ne e rrëzuam herën e parë me 30 vota kërkesën për privatizimin e “Taivani”-t. Por erdhi pas një muaji dhe ne sërish e kontestuam në dy pika kryesore. E para ne thoshim se në bazë të Kushtetutës së këtij vendi toka t’i kthehet pronarit. Por përderisa zotëria e kishte privatizuar, duhet t’ia paguante pronarëve me 4 mijë euro/metri katrorë, jo 2 mijë euro/m2 jo sa deklarohet. Sepse aq kushton toka aty, pasi është në zemër të Tiranës. Atëherë në bashkëpunim me pronarët ky zotëria meqë e kishte privatizuar duhet t’i paguante tokën atyre dhe ata të kompensoheshin në rrugë financiare. Për këtë janë bërë shumë debate deri dhe në konfrontime fizike në Këshillin Bashkiak, por e majta kishte shumicën e votave dhe kaloi këtë vendim.
Cilat ishin argumentet që bashkia paraqiti në atë kohë për privatizim?
Nuk mbaj mend asnjë lloj argumenti nga bashkia e asaj kohe në privatizimin e truallit thjesht ata kishin shumicën e votave dhe e hodhën dhe fituan me 35 vota, ku vetëm 29 ishin anëtarë të majtë në këshill. Më duhet të theksoj se nuk kam asnjë problem me zotërinë që e ka privatizuar tokën, as nuk më intereson dhe nuk e kam takuar asnjëherë. E respektoj se investon për sportin, por pronarët duhet të dëmshpërblehen me çmimin e tregut. I takon atyre të marrin djersën, gjakun, hakun, trashëgiminë e familjes së tyre. Dhe në këtë pikë unë e përgëzoj kryeministrin.
Thatë se u bënë dy mbledhje. Si u karakterizua debati mes anëtarëve të këshillit?
Debati ishte i ashpër, me tone tw larta, në një nga mbledhjet ka qenë dhe kryetari i bashkisë, Edi Rama. Por më vjen për t’u habitur për një gjë, pasi edhe Këshilli Bashkiak i Tiranës ekzistojnë tabulatet, regjistrimet e mbledhjeve të Këshillit Bashkiak siç i ka Parlamenti. Le t’i marrin, t’i zbardhin bisedat, t’i zbardhin procesverbalet e dy mbledhjeve të Këshillit Bashkiak dhe aty shihet se si qëndron e vërteta. Aty mund të dalin shumë emra dhe dalin dhe mund të zbulohen dhe interesa të tjera. Aty shihet edhe qëndrimi i këshilltarëve. Jam shumë, shumë i gëzuar që po hapet kjo çështje. Jo thjesht që të vërtetojë të drejtën e qëndrimit dhe të forcës që unë përfaqësoj dhe i mbroj, por në fund të fundit, si pronar dhe si shqiptar, jam shumë i ndjeshëm ndaj çështjes së pronës. Prona duhet të shkojë tek i zoti. b.h