Imami: Flamuri i Dhjetorit, jo si banerat e bashkisë
ADI SHKEMBI
Ministri i Mbrojtjes, Arben Imami akuzon PS-në se po e kthen në rregull bojkotin. Në një intervistë për gazetën “Panorama” ai komenton ultimatumin e vendosur për hapjen e kutive të votimit dhe qëndrimin e maxhorancës. Z. Imami, Partia Socialiste vazhdon t’i qëndrojë vendimit për bojkotin e Parlamentit. Kjo nuk është praktikë e panjohur për vendin tonë, ka ndodhur dhe më parë kur opozita mungonte në Parlament...?
Është e vërtetë që në këta 20 vjet, janë ndjekur edhe praktikat e bojkotit. Pra, duhet thënë për hir të së vërtetës se ky nuk është një fenomen i ri. Ajo që do të na duhet të përcaktojmë është se, a është bojkoti një kundërpërgjigje në masën e duhur, ose jo, ndaj një problemi të lindur. Po ju kujtoj një gjë. Personalisht kam marrë pjesë vetëm në një bojkot dhe ky është bojkoti i seancës së parë të Parlamentit pluralist të dalë nga zgjedhjet e 31 marsit 1991. Vendosëm që të dërgojmë kryetarin e grupit parlamentarë z. Ceka, që mori pjesë në seancën e parë të atij parlamenti të parë pluralist dhe ku deklaroi mospjesëmarrjen e PD-së, për shkak të vrasjeve të 2 prillit. Kur e krahasoj atë bojkot të një seance të vetme me rëndësinë dhe gravitetin e ngjarjes, vrasjen e katër qytetarëve të pafajshëm, në kontekstin e një konflikti social dhe politik fort të ashpër, mua më duket se nuk mund të gjej arsye të bojkotimit të sotëm. Por edhe bojkotet e tjera të mëpastajmë, qoftë të PS-së në 96’, qoftë të PD-së në 2001, kanë qenë të përkohshëm. Në ’96, Partia Socialiste ishte vetëm me 12 deputetë, ishte gati në kushtet e bojkotit faktik dhe ligji zgjedhor i ‘96-ës ishte kundërshtuar ashpër. Bojkoti i Partisë Demokratike, në 2001 erdhi si pasojë e një serie shkeljesh të rënda në zgjedhje. Përdorimi i dhunës, përdorim i policisë, ndërhyrja e gjykatës etj. Megjithatë zgjidhja erdhi edhe për shkak të qëndrimeve të moderuara të PD-së. Të mos harrojmë se Partia Demokratike erdhi në Parlament, megjithëse nuk hyri në sallë, për të treguar se i njeh institucionet dhe zgjedhjet. Kur e sheh në këtë kontekst dhe në këtë vijimësi historike kupton që bojkoti i sotëm është krejt i pa arsye. Nuk ka asnjë shkak. Por në thelb të bojkotit është mosnjohja e zgjedhjeve. Nëse do të njiheshin zgjedhjet, opozita do të ishte në Parlament dhe të gjitha veprimet do të kryheshin në kuadër të jetës parlamentare. Nga Partia Socialiste u deklarua se ne nuk kemi as fakte, as prova, por kemi dyshime. A mundet vallë të shkojë partia më e madhe e opozitës drejt braktisjes së Kuvendit për shkak dyshimesh, të cilat mund të vërtetohen ose mund të mos vërtetohen. Është përgjegjësi e madhe të mbash opozitën jashtë Parlamentit pa pasur arsye të forta. Por shqetësimi im lidhet edhe me diçka tjetër. Sjellja e opozitës pas vitit 2005 me zgjedhjet është problem. Bojkoti ka filluar të kthehet në rregull. Zgjedhjet lokale të 2007 ishin në prag të bojkotit nga ana e opozitës, pjesëmarrja ishte meritë e moderacionit që tregoi Partia Demokratike. Parlamenti i zgjedhjeve të qershorit 2009 u bojkotua dhe zgjedhjet e pjesshme që u zhvilluan tani, sërish u bojkotuan. Pra nuk kemi të bëjmë me një veprim të izoluar, por me një rregull sjelljeje, i cili padyshim nuk është një lajm i mirë nga opozita. Ajo që dua të them është se nuk mund të ketë lëvizje jashtë kontekstit. Më lejoni të kujtojë grevën e parë të urisë të së dënuarve politikë. Ata hynë në grevë sepse një regjim çnjerëzor u kishte mohuar lirinë. Ndërsa sot bëhen greva edhe për rritje rrogash. Kjo është mënyra më e keqe për të degraduar sakrificat e mëdha njerëzore. Ky është degjenerim qesharak.
Pas vendimit për bojkot opozita e ka përshkallëzuar qëndrimin e saj, duke organizuar protesta masive, nga të cilat mesa duket nuk do të tërhiqet. Në këtë rast kemi të bëjmë me një krizë politike apo jo?
Sigurisht që çdo lëvizje politike kur shkon drejt këtij qëllimi edhe përshkallëzohet. Por, edhe përshkallëzimi do të duhej të ishte gjithmonë i balancuar në masë me shkaqet e lëvizjes. Opozita ka hyrë në një spirale, nga e cila nuk del dot. Ajo ka ngritur disa dyshime, për shkak se ka dyshime shkon në bojkot, për shkak të bojkotit shkon në protesta, (edhe pse sit-in u shoqërua me këngët e mejhaneve që i zhvillonte stafi i pastrim-gjelbërimit i bashkisë). U bë përpjekje për një protestë masive. Nuk doli një revolucion i portokalltë, doli një diçka ashtu gri, e hirtë, por le të themi që u krye edhe kjo veprimtari. Çdo me thënë përshkallëzim pas kësaj….? Nuk do të shkohet në mjetet e dhunës është e qartë. Nuk do shkohet në konfrontime politike apo sociale është e qartë. Shumë mirë që e kanë deklaruar dhe unë jam krejtësisht i bindur që nuk ka të tilla plane, por çdo me thënë përshkallëzim masiv!? Së dyti, është e qartë se nuk kemi të bëjmë me krizë. Krizë do të kishte, nëse do të kishte manipulim të zgjedhjeve. Këtë nuk e thotë askush, madje as vetë Partia Socialiste nuk është shprehur për manipulim të zgjedhjeve. Kështu që nuk mund të kemi krizë politike. E vetmja krizë qëndron tek Partia Socialiste, krizë që ka të bëjë me lidershipin, humbjen etj. Edi Rama po përpiqet që këtë krizë të partisë së tij t’ia transpozojë shoqërisë në tërësi. Unë besoj se kjo nuk ka për të ndodhur.
Kryetari i Partisë Socialiste e ka krahasuar këtë lëvizje të opozitës me protestat e Dhjetorit ‘90. Ju keni qenë ndër personazhet kryesore të këtyre lëvizjeve, si e gjykoni këtë paralele të hequr?
Protestat e dhjetorit kanë qenë protestat e studentëve, të cilët nuk ishin as kryetarë, as kërkonin të bëheshin kryeministra, as ministra, as qeveritarë, as deputetë, siç jemi ne sot në parlamentin shqiptar. Protestat ishin krejtësisht të dezinteresuara në planin privat. Ishin protesta të pjesës më të iluminuar të kombit, ishin protesta të atyre njerëzve që me një altruizëm të lartë, ishin të gatshëm të sakrifikonin gjithçka. Për fat nuk ndodhi asgjë gjatë dhjetorit, por ata ishin të gatshëm të shkonin deri në sakrificat më të mëdha. Sigurisht që u goditën, u rrahën etj., etj., sepse luftonin për të rrëzuar një regjim, i cili u kishte mohuar lirinë qytetarëve të këtij vendi, i cili e kishte çuar ekonominë në fund, i cili e kishte izoluar përfundimisht vendin. Ku mund të krahasohet ky flamur, flamuri i Dhjetorit, me banerat e bashkisë apo të njësisë bashkiake numër x të Tiranës. Ka vetëm një shkak dhe në këtë rast shkaku është psikologjik. Ata që nuk morën dot pjesë në manifestimet e mëdha të Dhjetorit, duan t’i kompensojnë jashtë kohe dhe hapësire. Unë do të lutesha për të gjetur mençuri, forcë dhe maturitet për të parë realitetet në sy dhe për të reaguar ndaj realiteteve dhe jo ndaj skemave dhe fantazmave të një kohe tjetër. Së dyti, nuk duhet dhe nuk mund të ngatërrojmë lëvizje që kanë si pikë orientimi liritë dhe të drejtat themelore të njeriut, siç ishte Lëvizja e Dhjetorit me lëvizje që kanë si synim thjesht dhe vetëm pushtetin.
Gjithsesi, kryetari i Partisë Socialiste ka lëshuar një ultimatum ndaj Qeverisë. Nëse nuk vendoset të hapen kutitë deri më 5 dhjetor, atëherë ai është i vendosur të shkojë drejt mosbindjes civile, të paktën me atë që ka deklaruar. Cili është mendimi juaj mbi këtë çështje?
Kur ka ultimatum nuk ka dialog. Nëse themi që hajde të ulemi për të biseduar brenda dhjetë ditësh është ndryshe, por pasi ti të kesh marrë këtë masë që unë ta imponoj apo ta kushtëzoj, këtu nuk ka hapësirë për dialog. Në fakt, ultimatumi e përjashton dialogun. Le të flasim për dialogun në vetvete. Askush nuk është kundër dialogut, as unë nuk mund të jem, as Partia Demokratike nuk mund të jetë dhe askush nuk është kundër një dialogu, i cili për hir të së vërtetës ka nisur që në 1991 në Shqipëri. Nuk është se Shqipëria dekurajon dialogun. Problemi është që kur prishet dialogu, atëherë përdoren mjete të tjera të luftës politike siç po përdoren, për shkak se dialogu, i cili thelbësisht është institucional, është prishur në mënyrë të njëanshme. Megjithatë lë të pyesim, se çfarë do të duam të dialogojmë? Duam të dialogojmë për gjykatat, për reformën në drejtësi, për reformën elektorale. Për çfarë duam të dialogojmë? N.q.s do të themi që duam të dialogojmë për këto gjëra pasi të kemi marrë kutitë, atëherë kushti i kutive është ultimativ dhe nuk kemi çfarë të diskutojmë. Faktikisht po ta shohësh në thelb kërkesën e opozitës, ajo është kusht për dialogë të mëtejshme, nuk është kërkesa në vetvete e dialogueshme e negociueshme. Megjithatë edhe ne nuk kemi çfarë të negociojmë për këtë çështje. Ajo në vetvete është e panegociueshme, sepse sikurse e kam thënë në vijimësi nuk mund të negociojmë për të shkelur ligjin. Nuk mund të negociojmë për diçka që nuk e posedojmë. Ne nuk posedojmë kutitë. Kutitë i posedojnë institucione të tjera, të cilat i posedojnë ato mbi bazën e ligjit. Ne nuk mund të mblidhemi jashtë dhe kundër këtyre institucioneve që janë kushtetuese për të vendosur diçka që shkon kundër ligjit. Kjo do të ishte një kërkesë absurde, irracionale.
Kaq e vështirë është hapja e kutive të votimit, cili është problemi. Në pamje të parë duket një kërkesë mëse normale, çfarë problemi ka hapja e kutive të votimit?
Nuk po flasim për hapjen në vetvete të kutive të votimit. Kutitë kanë qenë të hapura dhe janë numëruar në prani të komisionerëve të dhjetëra partive, të vëzhguesve të dhjetëra partive, të numëruesve të dy koalicioneve qendrore. Janë të filmuara dhe nuk ka pasur as një fakt dhe asnjë provë që të kërkojmë rihapjen.
E dyta, kërkohet rihapja por jo rinumërimi. Është pa sens, sepse kutitë që rihapen nuk di se përse hapen! Për kuriozitet shkencor apo artistik! Nëse hapen, kjo bëhet për tu rinumëruar. Por ato janë të numëruara, janë të vendosura, janë të mbyllura dhe nuk ka asnjë dyshim, sepse edhe dyshimi ndërtohet mbi bazën e disa provave, e disa indiceve të besueshme. Kodi Zgjedhor, i cili është hartuar në bashkëpunim me opozitën e sanksion fare qartë këtë pjesë. Neni 136, i cili flet për pretendimet dhe provat, në pikën 1 germa b) detyron palët, po citoj, “të tregojnë faktet dhe provat, mbi të cilat mbështesin pretendimet e tyre. Llojet e provave përcaktohen në Kodin e Procedurës Civile”. Këto prova nuk ekzistojnë. Po kështu në nenin 158, pika 5, të Kodit Zgjedhor, ku flitet për Kolegjin Zgjedhor dhe vendimet që merr, thuhet tekstualisht “Vendimi i Kolegjit Zgjedhor është i formës së prerë. Ndaj tij nuk bëhet ankim.” Ky Kod është shkruar nga ekspertët e Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike dhe gjykimi i ligjvënësit për këtë rast është i qartë. Interesi i të dyja palëve, në paritet, ka qenë stabiliteti i vendit pas zgjedhjeve, pranimi i zgjedhjeve dhe i vendimeve të KQZ-së dhe Kolegjit Zgjedhor. Megjithatë dhe le të themi që kjo është një e drejtë e tyre, kjo nuk është çështja ime dhe nuk e gjykoj. Ajo që gjykoj unë është, se ne së bashku nuk mund të hapim kutitë. Le t’i hapin me rrugë ligjore. Ka institucione të tjera shtetërore, të cilat janë të pavarura, që fillojnë që tek prokuroria. Le të shkojnë në prokurori, të japin prova dhe fakte, ta bindin prokurorinë. Ne nuk mund të dalim kundër në rast se do të ketë vendim gjykate. Ne nuk mund të dalim kundër vendimit të gjykatës, sikundër nuk dolëm dot kundër vendimit të gjykatës që i mbylli kutitë edhe për kërkesat tona. Kjo është e gjitha.
Nga pikëpamja legale, çfarë problemi substancial do të sillte hapja e kutive?
Ka një kod i cili përshkruan se cila është rruga e gjithë materialit elektoral dhe kur ka një vendim gjyqësor nuk mund të merret një vendim tjetër nga një trup tjetër, ky është problemi. Problemi i vetëm është se nuk mund të shkelet vendimi i një gjykate. Kemi të bëjmë me substancën e sistemit kushtetues të ndarjes së pushteteve. Vendimin e gjyqësorit nuk mund ta ndryshojë e as ta korrektojë, pushteti ekzekutiv, apo legjislativ, siç dhe kërkon opozita. Këtu do të merrte fund ndarja e pushteteve. Si mund t’i kërkosh qeverisë, ndrysho vendimin e gjykatës. Është absurde, qeverisë mund t’i thuash zbato vendimin e gjykatës, por jo dil mbi atë vendim. Nuk mund të marrë Partia Demokratike rolin e gjykatës. Ata i drejtohen Partisë Demokratike sikur është gjykata që e ka në dorë këtë vendim. Ne nuk jemi gjykata që e ka në dorë këtë vendim, ne nuk jemi gjykata që marrin vendimin për hapjen apo mbylljen e tyre. Ne u kemi ofruar çdo gjë brenda kontekstit kushtetues. U kemi ofruar ngritjen e komisionit hetimor, le të fillojë të punojë, të mbledh fakte, prova etj., dhe mbi bazën e tyre të procedohet më tej. U kemi ofruar shumicën dhe kryetarin e komisionit dhe nuk di se çfarë mund të bëhet më shumë për një ngjarje për të cilën janë dhënë të gjitha miratimet dhe aprovimet e mundshme.
Duke lexuar qëndrimet e maxhorancës dhe të opozitës për këtë çështje, duket se nuk ka një rrugëzgjidhje?
Jo, rrugëzgjidhje ka. Është vetëm rruga gjyqësore. Kemi rastin më ekselent, zgjedhjet e vitit 2000 në Amerikë. Njëri nga kandidatët pati pretendime dhe nuk shkoi tek fitimtari por shkoi tek gjykata. Shko tek gjykata dhe zgjidhe me gjykatën.
Për t’iu rikthyer edhe një herë qëndrimit të ndërkombëtarëve. Partia Socialiste pretendon se komuniteti ndërkombëtar ka kërkuar nga qeveria që të zgjidh këtë situatë politike. A është e vërtetë që ndërkombëtarët i kanë kërkuar qeverisë të hyjë dialog me opozitën dhe cili është qëndrimi real i tyre ndaj kësaj çështje?
Në unison janë vendimet e Brukselit ku janë themelet e gjithë politikës evropiane ndaj Tiranës dhe kjo politikë është e qartë dhe është pa të çara. Është bërë thirrje për të braktisur bojkotin. Ajo që mund t’ju siguroj është se në Uashington nuk gjeta në asnjë moment asnjë mbështetje apo simpati për bojkotin. Ashtu sikurse nga ana tjetër nuk gjeta asnjë pikëpyetje për funksionimin e qeverisë dhe të parlamentit.