E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Edhe në prani të ndërkombëtarëve, Edi Rama rrëzoi dy opsionet për zgjidhjen e situatës

Kryeministri Sali Berisha bën përgjegjës kryesocialistin në detyrë Edi Rama, për mos arritjen e një kompromisi mes palëve për zgjidhjen e ngërcit politik. Berisha hedh poshtë akuzat e socialistëve të cilët kanë deklaruar se ka qenë lideri i mazhorancës ai që ka refuzuar paktin negociues me PS-në. Në mbledhjen e grupit parlamentar të PD-së, shefi i mazhorancës deklaroi se ka qenë vetë Edi Rama, ai që ka hedhur poshtë dy propozimet që do conin në një marrëveqshje midis palëve. Berisha tha se Rama refuzoi që të ishte Prokuroria e Shtetit që të hetonte zgjedhjet, dhe më pas rrëzoi edhe opsionin e dytë, që t’i drejohej Komisionit të Venecias për këtë çështje. “Komitetit Presidencia i Venecias i është dukur shumë i arsyeshëm dhe është pranuar nga unë qendrimi që të gjitha problemet që Rama ka me fakte dhe prova dhe që implikojnë hapjen e kutive, t’ia adresojë Prokurorisë së Shtetit. Prokuroria ka të drejtat ligjore për të ushtruar të gjitha kompetencat për të kompletuar hetimin. Kjo pranohet nga unë si koncesion pavarësisht se ka skaduar çdo afat për hetimin ligjor të zgjedhjeve”, deklaroi Berisha, duke shtuar se ky propozim nuk është pranuar nga Rama, ndaj në tryezë u shtrua një opsion tjetër. “Në tryezë u shtrua opsioni tjetër. U bë e qartë se kërkesa për hapjen e kutive nuk mund të plotësohet pa procedura kushtetuese. Kundërshtia ishte se Rama e quan të mirëfilltë interpretimin që i bën vendimit të Gjykatës Kushtetuese, për hetim të pakushtëzuar. Dhe unë i lexova vendimin, që nuk lejohej ndërhyrja në vendim të gjykatave. Pasi e lexova ndërhyri Presidenti, që i kujtoi edhe një herë vendimin e Kushtetueses. Ndaj u sugjerua që për këtë çështje t’i drejtohej Komisionit të Venecias. Por kjo nuk u pranua”, vuri në dukje kreu i qeverisë. Më tej, shefi i ekzekutivit deklaroi se të dy nismat ligjore të depozituara nga PS-ja do trajtohen sipas ligjit. Berisha apeloi përsëri për kthimin përfundimtar të opozitës në Kuvend dhe në të gjitha komisionet parlamentare.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›