Fundi i karrierës delirante të Edvinit pranë komunizmit enverist
Duke e parë Edi Ramën me paraqitjen në publik si edhe në takimet me ndërkombëtarët, vetëm mediokrët dhe ata që i shkojnë pas qerres së tij, rrugë e pa rrugë, mund të mos e kuptojnë se kanë të bëjnë me një njeri që e ka humbur arsyen. Sigurisht, ai çdo ditë që kalon, kupton se karriera në krye të Partisë Socialiste po shkon drejt një fundi të palavdishëm dhe që për shumë kohë do të kujtohet si një marrëzi donkishoteske. Duke mos shkuar shumë larg në zhvillimet e ardhshme politike për zgjedhjet e qeverisjes vendore, një gjë është e sigurtë, se Edi Rama e ka të humbur Bashkinë e kryeqytetit. Koalicioni PD&LSI do të jetë fitues në betejën e ardhshme përballë një PS-je të sëmurë dhe me shumë probleme të brendshme. Në të dyja rastet e një loje për kandidimin ose jo për kreun e Bashkisë së Tiranës, Edi Rama do të mbetet përgjegjësi i humbjes. Kësaj radhe socialistët nuk mund të budallallepsen pas aventurës së tij. Duke iu shmangur kandidaturës për Bashkinë e Tiranës, i sëmuri psikik i PS nuk mundet të shmangë përgjegjësinë edhe të humbjes së një kandidature tjetër si përfaqësuese e kësaj force politike. Prandaj edhe lëvizjet e Edi Ramës mbeten mjaft të lexueshme. Duke ngulur këmbë në kërkesën absurde “të hapjes së kutive”, në përpjekje për të justifikuar humbjen e pashmangshme, ai po kërkon të bojkotojë edhe zgjedhjet vendore që po afrojnë. Krizën në Partinë Socialiste, ky njeri që nuk ka asgjë të përbashkët me interesat kombëtare, po përpiqet ta instrumentalizojë përpara ndërkombëtarëve si krizë të Shqipërisë, një element ky i përkthyer thjesht si “tradhti kombëtare”. Në këtë mënyrë, Partia Socialiste po rrezikon të rrokulliset drejt një shpërbërjeje të plotë e vetëm më pas mund të pretendohet që prej elektoratit të saj të kërkohet një alternativë më e besueshme në hapësirat e një të majte me vizion europian.
Por edhe një bojkot tjetër i PS nuk mund të kalojë pa një risk edhe në rrugën e vështirë të demokracisë dhe në proceset integruese për në familjen europiane. Në mbrojtje të kësaj karriere të sëmurë, Edi Rama, i vetëm kundër të gjithëve, është ngritur edhe kundër institucioneve ndërkombëtare që monitorojnë proceset tona demokratike. I kësaj linje ishte edhe përfaqësimi i tij në Parlament me një fjalim kërcënues dhe pa motiv kundër demokracisë, me gojën e Gramoz Ruçit, ish-Ministri i Sigurimit Komunist, organizatori “i shoqatave të Enverit”, krimineli që përgjaku Shkodrën me masakrën e 2 Prillit 1991. Kjo forcë politike tregoi edhe njëherë tjetër se asgjë nuk ka ndryshuar në konceptin e saj leninist si trashëgimtare e drejtpërdrejtë e Partisë Komuniste. Për këtë kurbë, flet edhe dominanca që ka mes deputetëve kontigjenti i pinjojve të diktaturës komuniste si përfaqësues të brezit të dytë të kastës enveriste.
Në këtë kontekst, ajo që është bërë lajtmotiv i fjalimeve të Edi Ramës në paraqitjet publike po bëhet gjithnjë e më tepër sulm kundër institucioneve ndërkombëtare. Gjithçka të kujton fjalimet e E.Hoxhës se “Shqipëria është shkëmb graniti në brigjet e Adriatikut dhe fanari ndriçes për të gjithë botën”. Me slloganin e “hapjes së kutive”, Edvini po përpiqet të shtyjë të paktën me ditë qënien në krye të Partisë Socialiste, duke çoroditur anëtarësinë, të cilës i pat premtuar se së bashku me Spartak Ngjelën, “në protestën e 20 Dhjetorit do të rrëzonin Sali Berishën”.
Por Shqipëria sot është anëtare e NATO-s, aleanca më e madhe e 28 vendeve më të fuqishme të botës dhe po përgatitet t’i qaset me nder e dinjitet edhe BE. Këtë vit shqiptarët edhe kundër dëshirës së të sëmurit të PS do të lëvizin pa viza në hapësirën Schengen. Duke parë kundërshtimin gjithnjë në rritje brenda grupit parlamentar dhe kërkesën për dorëheqje, Edi Rama po praktikon forma të tjera të kërcënimit, deri në linçimin e deputetëve që mendojnë ndryshe. Duke marrë pamjen e një diktatori të vockël në mundësi dhe gjatosh si karakatinë, ai po bën përpjekje të frikësojë kundërshtarët brenda PS. Tani asnjë deputet nuk mundet më të shprehë publikisht mendimin e vet, pa i nënshtruar censurës. Por edhe këto masa represive nuk mundet të shërojnë krizën brenda asaj partie. Largimi i Edi Ramës nga Bashkia e Tiranës dhe nga politika shqiptare paraqitet si një garanci dhe siguri. Ai do të ndodhë së shpejti. Edvini do të mbetet veç si një ëndër e keqe, veç si një delirant i politikës.
...