Fokus/Duart e zeza mbi kryeqytet
Nuk ka si mëngjeset në Tiranë! Njerëzit kanë një energji të pabesueshme kur dalin nga shtëpia, por ata stepen vrik, si përpara një sinjali automobilistik STOP! Në sipërfaqe duket se në Tiranë nuk ndodh asgjë, por të gjithë qytetarët e dinë se lojërat bëhen sa majtas, po ashtu edhe djathtas tyre, pas ceremonive tungjatjeta, mirëmëngjesi e ritualeve të kafesë dhe gënjeshtrave në TV. Ka marioneta që i lëvizin kabllot-merimanga të këtij qyteti të ashpër e të dhunshëm, pa emocion, gjithmonë të vrejtur prej Malit të Dajtit, sovranit me karakter të heshtur. është e vërtetë thënia se “Tirana e ka mbajtur gjithmonë në shpinë Pushtetin”... pasi hesht, dhe nuk ka bërë kurrë zë.
Ndërkaq, si kudo në metropol, ka ca figura amebike që dalin në sipërfaqe sapo dielli zhduket përtej horizontit, kurse nata vjen e galvanizon vampirët e hapësirave publike, të ryshfeteve si modus vivendi, çrregullimeve energjetike, që janë njësoj si ato automobilistike: me trafik. Tirana pa dyshim nuk është qendër skandali, ajo është skandali autist për të cilin nuk flitet, simboli i kaosit që zgjerohet përtej vijës së verdhë. Këtij qyteti i mungon gjuha, zanoret dhe bashkëtingëlloret, i është fikur megafoni i dhimbjeve e po ashtu boria kronike e sëmundjeve.
Mirëpo për dreq, stërthënë në opinionin publik nga dikush e nga gjithkush - që Tirana nuk ka metër ajër pa pluhur toksik - por më mirë të themi se qytetari nuk e zotëron sot hapësirën e vet, ndryshe nga shumë qytete të botës, madje, me përjashtim të Elbasanit edhe si asnjë qytet tjetër të vendit të ketë kaq pluhur në ajrin që thithim. Nuk është skenografia e ndonjë filmi apokaliptik, por një skenar real, edhe pse i trishtueshëm
që jep shenjat alarmante të përkeqësimit të shëndetit të banorëve të metropolit.
Mirëpo, cila do të ishte ajo diçkaja tipike që do ta përfaqësonte Tiranën e sotme? Lumi Lana? Pallatet e shumta bythazi? Patjetër ngjyrat e pallateve?
Të gjitha...në një qytet të përbërë kështu si Tirana, si një mozaik i sapobombarduar. I bombarduar jo në luftë, as në paqe, por në të ashtuquajturin tranzicion. Një tranzicion që për një qytetet do të thotë të improvizosh kudo, sepse nuk ke një plan urbanistik, i cili për fatin tonë të keq, mbahet ende peng nga mendësia komuniste dhe establishmentet e
betonarmesë që e kanë narkotizuar prej 10 vitesh bashkinë e Tiranës.
...