E Shtunë, 31 Tetor 2026

Edi Rama po manovron në ujëra të turbullta, për fatin e keq të shqiptarëve

Po krasiten rrënjët e së keqes. Megjithatë...

Padyshim që LMN-ja e së majtës shqiptare ndryshon kryekëput nga e majta EdRamës. Kjo e dyta, meqë e përmendëm, në të vërtetë është ajo e kontingjenteve më mëkatare të cilat ia arritën që jo vetëm të lajnë me ujë të bekuar prapësitë tragjike të regjimit të dhunës ekstreme të diktatorit E. Hoxha, ku ishin protagonistë në vetë të parë, por edhe të pasurohen në mënyrë të beftë, sidomos pas mynxyrës së 1997-s. Kjo ngjarje e kobshme e revolucionit komunist të vonuar, ende ka mbetur e pazbardhur dhe e mjegulluar, madjé. Kaporionët e kësaj gjëme janë qafa e padukshme që rrotullon majtas, djathtas, lart e poshtë kokën e të çekuilibruarit E.Rama. Ustallarët që sapo u cekën, nuk e prishën gjakun nga shpërthimet histerike të pseudodhjetoristit që, në proceset e para, s’la gur e kusur kundër Enver Hoxhës, për të qenë protagonist i sistemit të ri shoqëror. Aní. Ata të sferës më të rrezikshme nostalgjike, ishin të sigurt se do ta kishin pedinën e tyre që Shqipëria, në rrethana të padëshiruara për ta, („ja që na zuri!“), të mbetej as Lindje, as Perëndim, - siç mundohej Ramiz Alia ta katandiste vendin tonë pas rrëzimit të komunizmit, por ruajtjes – megjithatë - të nostalgjisë ndaj një regjimi rrënimtar, siç ishte ai i Enverit. Shkurt, Edvini ishte njeriu i kapur, i gatshëm të jetësonte vullnetin e atyre në krye të lozhës konspirative. Mjafton që ai ta ishte i parë, paçka se marionetë! Duket se i ndjeri Gramoz Pashko pati i pari perceptimin e shëmbëllimit të Kalit të Trojës, në personin egocentrik të propagandistit vizatimor të revistave të Sigurimit. Doemos që një aventurieri politik të tillë, i përçartur édhe në familjen e vet gjer në akuza skandaloze (siç ia kishte dokumentuar në mënyrë të pakontestueshme grindaveci M. Baze), i mjaftoi një grishje naive e liderit historik të PS-së, që rishtari në parti t’ia punonte rengun edhe bamirësit të tij, me anë të bashkëfajësisë së këpëdarëve injorantë, të cilëve gazetarët u vunë nofkën e komgresmenëve, fjalë të cilën këta haxhiqamilistë as që ia dinin kuptimin. Kjo u vu ré në talljen e madhe që vazhdoi me pyetjen e gazetarëve se ç’domethënë kongresmen, pyetje e cila pati përgjigje nga më komiket! Ndërkaq manovratori që vuri në kokën e stërzgjatur dafinat e kryetarit të PS-së, për t’ua trallisur edhe më keq trutë me përmasat e një molekule këtyre “komgresmenëve” , mbajti një fjalim spektakolar, me fjalë që as opozita e hershme tetëvjeçare nuk kishte mundur t’i gjente. Nga sa mund të mbahet mend, oratori i ri, me bubullimat e zërit të tij, kishte bërë një panoramë të zezë sterrë, të atij tetëvjeçari vërtet të trishtë: “E patëm me hak, që e humbëm pushtetin. Mirë na u bë! Korrupsioni në kulm. Trafikët e qenieve njerëzore; drogat që u bënë problem në fqinjët tanë, që përçoheshin nëpër vendet kufitare nga skafet me pronarë në krye të kupolës; prostitucioni me nam me vijë transiti nga vendi ynë; varfëria me listat e dyqaneve për të marrë bukën që fukarenjtë s’merrnin dot as djathin për ta ngrënë ... ishin njolla e turpit tonë jo vetëm në Ballkan, por edhe ne vendet afrikane” e të tjera, e të tjera. (Sapo vuri skeptrin në dorë, i mori era të gjitha këto fjalë. Të korruptuarit u zhbënë, me kolaboracionin e Theodhori Sallakut. Korrupsioni i tetëvjeçarit u bë temë-tabù për mediet e pasura majtiste. Qeverisja e re u sulmua në mënyrë të pangjarë. Nihilizmi tërësor, absolut, u bë i rendit të ditës. Se ku u gjetën gjithë ato pare për të shëtitur anë e kënd të gjithë vendin për t’u dhënë leksione fshatarëve sesi të mbillnin, si të korrnin e të prashitnin. (Eja, babà, të të tregoj arat!). Pa u vunë në dispozicion të këtyre ekskursioneve edhe autobusë xhaba me vajzurina e miturakë, përveç xhaketave të vjetra. E kështu filloi propaganda zgjedhore e mandatit të dytë pas 2005-s, jo në kohën procedurale, por kur i deshi qejfi kryetarit. I dehur në megalomaninë e tij, i personalizoi zgjedhjet. Nuk kishte nevojë as për program zgjedhor partiak. Ky program mbulohej nën jorganin e dhjetëmijë faqeve dhe të një barange që kishte zënë qendrën e Sheshit Skënderbej! (që ka zënë udhën edhe sot e kësaj dite). Le të dalë një njeri, një i vetëm, që të thotë se e ka lexuar atë pirg faqesh! Bashkia mbeti mall pa zot. I zoti dukej vetëm për licencat e ndërtimeve, të destinuara ekskluzivisht për Eftimin dhe për Shkrelin. Të tjerët? –S’ka licenca për ju! (Metodë fitimprurëse për xhepat e kryetarit të bashkisë).

Pa iu dha edhe prioriteti që të kishte firmën e parë në njëzetmijë e kusur komisionerë. Që të kishte vendin e parë në përpilimin e kodit zgjedhor. Që KQZ-ja të ishte në raport 4:3, ndërsa kishte qenë, në zgjedhjet e tetëvjeçarit, në raport 5:2, apo edhe 6:1!

. . .Dhe kështu, PS-ja i humbi zgjedhjet. Ekstravagancat e këtij njeriu të dalldisur, e çuan në humbje PS-në, sipas një grupi elitar të kësaj partie, që kërkoi dorëheqjen e parevokueshme, në përkitje të nenit 28 të statusit të partisë. Por EdRama, pasi ishte fillimisht dakord me rregullshmërinë e zgjedhjeve, pasi u pajtua edhe me mendimin e monitoruesve ndërkombëtarë se ishin nga më të mirat e zhvilluara gjatë të gjithë tranzicionit, e drodhi dhe nuk e pranoi humbjen. Tani rrezikohej ofiqi i kryetarit! Ishte një truk, sajesa e një ngërçi, që të mos jepte dorëheqjen. Bojkoti u bë kryefjala e kryetarit, uzurpator i ofiqit të përkohshëm në krye të Partisë. Propagandistët e tij thonë se bojkoti është shprehja më e lartë e demokracisë (!). Por faktori ndërkombëtar është i mendimit të kundërt: se bojkotit i ka ikur koha, është anakronik. Edramistët e bëjnë veshin shurdh!

* * *

E kështu E.R.-ja u bë tiran në demokraci! Merret me mend sesi do të katandisej një popull i tërë, kur mujshia e tij nuk durohet dot as në partinë e vet. Këtu qëndron burimi edhe i përçarjes në partinë e tij, një ngjarje e përzishme për kryebanditët enveristë në prapaskenë, kaporionët ( për shkurt). Por këta të fundit kanë si të ngushëllohen, sidoqoftë, për këmbënguljen kryeneçe të Edvinit, për të qenë konsekuent kundër Perëndimit, siç kishte bërë emër “i paharruari”, perversitetet antishqiptare të të cilit janë të ngulitura si me vidha në radaken fanatike të atyre që kaosin e kanë amanet nga diktatori, meqë anarkia konsolidon pushtetin e zotëruar përmes dhunës. “Ata (perëndimorët) le të shohin punën e tyre” - është thënia e Gramoz Ruçit, e papërgënjeshtrueshme nga Rama. Domethënia: Mos të na ngatërrohen nëpër këmbë, që né ta bëjmë këtë vend katrahurë, mjafton që të marrim pushtetin: me mjete të ligjshme apo të paligjshme, - sipas “parimit” leninist.

Stalinizmi dhe kopja e tij e keqe, enverizmi, i vunë vetes si detyrë që të bënin shpëlarjen e truve të vendasve të tyre: Bënë indoktrinimin e njerëzve me gjysmë truri. Enverizmi e përvetësoi në mënyrë mortore tiraninë staliniste. Me një ndryshim: Se Stalini jetësoi perandorinë që kishte projektuar Pjetri i Madh. Dhe u bë perandor i kuq i BRSS-së. Kurse Enveri u bë shitësi i interesave të kombit shqiptar, në emër të famëkeqit Internacionalizëm Proletar. Dhe u bë vasal, për hir të zotërimit të pushtetit të pakufishëm vetjak. Këtë huq të lemerishëm ua la si trashëgim fanatikëve të tij të zhytur në krime çnjerëzore, të cilëve nuk iu prek as qimja nga ndërrimi i sistemeve. Përkundrazi. U bënë milionerë, në kurriz të popullit! Dhe tani përfitojnë nga varfëria. . .

Ata kanë përfitim që ta shohin popullin në varfëri, se mjerimi është aleati i tyre. Dhe manipulojnë, përmes fatkeqësisë, që të vënë pushtetin tiranik në duart e tyre. Ky është thelbi i një libri të famshëm të Rikard Kapuçinskit, me titullin “Perandoria”. Sipas Marksit, revolucioni proletar do të triumfonte në vendet e industrializuara, ku proletariati është një masë kompakte. Madje, jo në një vend të vetëm. Por në analizën e Indro Montanelit, historia vërtetoi të kundërtën. Pa lënë të piqen kushtet për një ndryshim sistemi, sipas analistit me famë europiane, të cilin sapo e përmendëm, ndodhi ajo tragjedi me përmasa globale që solli si pasojë viktima të panumërta pikërisht në popullin e thjeshtë në emër të të cilit u mor pushteti. 100 milionë viktima të komunizmit, përkundrejt 25 milionë viktima të nazifashizmit!- është bilanci tragjik, që e rrëzoi komunizmin në kompeticion me demokracinë, e cila e përgjunji ekonominë e prapambetur totalitariste, siç e pohoi – së fundi – Nikita Krushovi (“Një punëtor amerikan, e ka rrogën më të madhe se unë, që jam në krye të shtetit sovjetik”!). U bë pluhur e hi ajo parulla e Marksit dhe e Engelsit: “Proletarë të të gjithë botës, bashkohuni!”. është anakronike që tani të bashkohen ata që kanë veturën dhe vilën: përse të bashkohen? Që të bëhen kockë e lëkurë?!. Komunizmi kishte prodhuar varfërim dhe mjerim.

Vetëm këta tanët, antiperëndimorë siç janë , duan të bashkohen, që të marrin pushtetin me mjetin e paharrueshëm: dhunën! Veçse po përçahen. Sepse tani nuk mund të përdorin ato mjete që përdoreshin në kohën e Miladinit dhe të Dushanit, për t’i vrarë e kositur kryetarët e grupeve komuniste dhe ithtarët e tyre, me ndihmën e emisarëve të Titos. . .

Ishin të shumtë ata që mendonin se do bëhej edhe një hile tjetër, në kurriz të vendit, që të pabetuarit e Edit të hynin në Parlament, vetëm sa për të bërë betimin, që të mos u digjeshin mandatet dhe... rogat! Por a mund të kërkohet korrektesë nga Edi Rama? Për më tepër, vazhdojnë kushtet, kërcënimet, ultimatumet: Rrinë në kuvend, nëse hapen kutitë! Endé s’e kanë marrë vesh se kjo është e pamundur juridikisht? Duket se ndërkombëtarët s’i zinin besë; sepse një hamendësi të tillë, po të ndodhte e quajtën, me eufemizëm, “punë kalamajsh”. Ndërkombëtarët, qofshin edhe ata socialistë, po e kuptojnë përherë e më tepër se socializmi i Edit është i ngjyrosur me enverizmin. Me siguri do të kundërveprojnë. Me gjithë shkopinjtë nëpër rrota, Shqipëria po ecën përpara. Kur të jetësohet liberalizimi i vizave, mos të guxojë ky sabotator i përparimit të thotë se është edhe kontributi i tij! Po ashtu kur të hyjmë në BE, pa dëshirën e Edi Ramës!

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›