E Hënë, 2 Nëntor 2026

Peta, fshati i internimeve, që u shua me shuarjen e komunizmit

Peta, me emrin e dikurshëm thirrej një fshat i krijuar enkas për internimet në Vlorë. Peta ishte fshati i fshehur pas kodrinave. Peta, në vetvete u krijua si një eksperiment i kauzës soc-enveriste për të pabindurit e sistemit. Në zanafillë, krijimi i fermave bujqësore sipas përvojës së kolkozeve solli, pikërisht aty nga viti 1961, krijimin e fermës blegtorale dhe më vonë bujqësore të Kotës, në perëndim të fushës së Ahmetes. Një fushë e shkretë buzë lumit Shushicë, e cila u popullua në vitet ‘70 me banorë të fshatrave të lumit të Vlorës. Pikërisht në këtë fermë bujqësore, regjimi solli në internim disa familje VIP, që kishin përfunduar në armiq të diktaturës enveriste. Fillimisht Abdyl Këllezi, zv/kryeministri, familja e zv/ministrit të tregtisë Vasil Katit, pjesëtarë të familjes së Xhevdet Mustafës, gjyshërit e Tedi Papavramit...etj. Duke parë përvojën e internimit, u hap një sektor i posaçëm, i kësaj ndërmarrjeje. Peta e baltës, llucës dhe mizeries së dimrit, u bë një nga sektorët e fuqishëm ekonomikë të ndërmarrjes. Atje prodhohej gruri, luledielli, misri dhe mbarështohej blegtoria. U ngritën pallate banimi dhe banesa përdhese. U quajt vend internimi për një arsye të thjeshtë dhe madhore njëkohësisht: mungesa e ujit të pijshëm. Peta në këmbët e saj kishte njërin ndër ujëmbledhesit më të mëdhenj të Vlorës. Por ujë të pijshëm nuk kishte gjëkundi. Zgjidhja që bëri regjimi ishte vendosja e një boti që e sillte ujin 10 km larg për të internuarit që i kishin familjet e tyre të arratisur apo nëpër burgje. Peta ishte fshati që u krijua me të internuarit dhe mbeti i këtillë deri në rrëzimin e komunizmit. Fshati pa ujë që mbahej me bote, e shtonte popullësinë e vet pas çdo fjalimi propagandist të partisë-shtet. Popullsia e tij u shtua në vitet ‘80 kur u pa se Peta po prodhonte grurë sa të gjitha sektorët e tjerë së bashku, edhe pse balta po e hante të gjallë njeriun e mjerë. Peta ishte simboli i punëve të rënda që përballonin familjërat e të internuarve. Peta do të kishte mbetur edhe 300 vjet kështu - një fshat i shpikur nga Stalini, mes baltës dhe mungesës së ujit - nëse regjimi nuk do të kishte marrë gremisjen në vitet ‘90. Deri në vitet ‘90 rreth 300 familje jetonin në këtë vend ku balta ishte sinonimi i bollëkut. Pas viteve ’90, fshati pësoi rrëgjimin. Aktualisht fshati ka mbetur me 2-3 banorë. Pallatet dhe banesat përdhese të të internuarve kanë mbetur bosh. I gjithë fshati i të internuarve u braktis masivisht, duke mbetur thjesht një ëndërr e keqe e regjimit socialist që e polli.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›