Kryetari i Partisë për Drejtësi dhe Integrim, Tahir Muhedini, flet për bashkëqeverisjen me PD-në
Eljona Ballhysa
Kryetari i Partisë për Drejtësi dhe Integrim, Tahir Muhedini, në një intervistë për gazetën “Albania”, tregon për projektin e kësaj partie për zgjidhjen e çështjes çame. PDI-ja është një parti që në zgjedhjet e 28 qershorit u fut si pjesë e koalicionit “Aleanca për ndryshim” dhe arriti të marrë një mandat deputeti, ndryshe nga shumë parti të vogla parlamentare që nuk arritën të merrnin asnjë mandat. Madje, Muhedini akuzon Partinë Socialiste për grabitjen e mandatit të dytë të PDI-së në qarkun e Fierit. Kreu i PDI-së tregon se është në pritje të telefonatës së kryeministrit Berisha për të biseduar për nivelin e bashkëpunimit në katër vitet e ardhshme, ndërsa shprehet se PDI-ja ka kapacitete intelektuale për të drejtuar jo një, por disa dikastere ministrore. Në këtë intervistë kryetari i PDI-së zbardh projektin e kësaj partie për zgjidhjen e çështjes çame.
Zoti Muhedini, partia juaj arriti të fitojë një mandat deputeti në zgjedhjet e 28 qershorit dhe kjo ju jep mundësinë për të bashkëqeverisur me PD-në. Cilat janë pretendimet e juaja për qeverinë e re?
Ne kemi nënshkruar një aktmarrëveshje parazgjedhore, e cila përfshin dhe bashkëqeverisjen paszgjedhore, sipas kontributeve që do të japë secila parti do të marrë pozicione në bashkëqeverisje. Ne kemi biseduar që, nëse nuk do të marrim mandat deputeti, do të marrim poste zëvendësministri dhe poste drejtorësh. Kjo ndoshta nuk ishte parashikuar nga Partia Demokratike, që ne do të fitonim mandat, por, siç e kam shprehur më parë, ne do të ishim partia surprizë. Është për të ardhur keq që gjithë kjo zhurmë që u bë nga Partia Socialiste duke akuzuar KQZ-në, gjithë kjo situatë u stabilizua, u qetësua. E gjitha kjo u bë për të na grabitur mandatin e dytë në qarkun e Fierit. Kjo u pa qartë edhe pas ankimimit që bëmë ne në Kolegjin Zgjedhor. Ky mandat u vodh nga PS-ja. Ky mandat i kaloi PS-së në mënyrë të padrejtë. PS-ja e krijoi protestën vetëm për të grabitur mandatin. Deri ditën që KQZ-ja hapi 9 kutitë, mandati ka qenë i PDI-së. Por edhe Kolegji Zgjedhor u ndikua nga presioni i PS-së.
Gjatë zgjedhjeve, a patët mbështetjen e PD-së?
Unë kam dhënë një deklaratë për shtyp ditën e zgjedhjeve në qytetin e Fierit. I kërkova hapur PD-së, meqenëse ne nuk kemi as numërues dhe as komisioner, që të mbrojë votat tona. Por, të jem i sinqertë, unë kam rezervat e mia. Edhe në qytetin e Patosit ka pasur parregullsi, komisioneri i PS-së, Artan Laze, ka fyer komisionerët për të hapur dy kuti që ishin mbyllur. Këto janë arsyet që PS-ja i përdori të gjitha metodat për të marrë mandatin tonë, duke krijuar dhe imazh negativ. Unë personalisht, në emër të partisë, kam takuar ambasadorin amerikan, u kam bërë me dije të gjitha institucioneve, OSBE-së, ODIHR-it për këtë grabitje të mandatit që i është bërë partisë tonë. Mandati dytë i yni duket se i bëri xheloze edhe partitë e mëdha. Duket se këtu ka ndikuar dhe një faktor i jashtëm për të na hequr mandatin.
Që do të thotë...?
Që do të thotë se na u hoq mandati pasi PS-ja i ka shërbyer një force tjetër, siç është PBDNJ-ja. Duket pak absurde nga forcat e tjera që ne arritëm të merrnim 2 mandate.
Megjithatë, edhe ky mandat që ju keni ju jep mundësi të jeni në qeveri. Cilat poste do të kërkoni ju?
Nuk diskutohet që ne e kemi një mandat tani dhe jemi parti parlamentare, patjetër që do të marrim një post qeveritar. Ne si kryesi partie kemi bërë një analizë dhe kemi pikëpamjet tona për dikasteret dhe funksionet e ndryshme, por ato do t’i shohim kur të ulemi në tryezë me Berishën. Mund t’ju them se që nga dita që kemi nënshkruar marrëveshjen, që më datën 1 qershor deri sot, unë nuk kam biseduar me zotin Berisha. Tani presim telefonatën e tij që të bisedojmë. Ne kemi kapacitetet që të drejtojmë jo një ministri, por disa ministri. Ne kemi intelektualë, kemi të rinj dhe të reja të shkolluar në shkollat më të mira jashtë vendit, kemi ekspertë të fushave të ndryshme. Por ne do t’i bëjmë publike të gjitha këto në momentin kur do të bisedojmë me Berishën.
Kauza që ju mbroni është zgjidhja e çështjes çame. A keni një projekt që do ta zbatoni në katër vitet e ardhshme që do të jeni në pushtet për zgjidhjen e kësaj çështjeje?
Sigurisht që e kemi një projekt. Në Parlamentin shqiptar, ne, përveç kësaj çështjeje, do të japin kontributin tonë për të gjitha reformat me rëndësi për integrimin e vendit në Bashkimin Europian. Ne do ta bëjmë me dije në Parlamentin shqiptar çështjen çame. Do të kërkojmë miratimin e një rezolute për këtë çështje. Rezolutë që nuk u miratua në vitin 2004 për shkak se e pengoi Vangjel Dule, duke thënë se miratimi i kësaj rezolute do të prishë marrëdhëniet me shtetin grek. Përkundrazi, ne mendojmë se marrëdhëniet Shqipëri-Greqi do të forcohen edhe më shumë me zgjidhjen e çështjes çame. Nëse këtu në Shqipëri diskutohet vetëm problemi i minoritetit grek, ashtu edhe deputetët shqiptarë në Parlamentin Europian diskutojnë vetëm çështjen e minoritetit grek, në një kohë kur kemi të bëjmë me një popullsi shqiptare çame, së cilës i është mohuar një e drejtë njerëzore. Kjo çështje nuk diskutohet. Asnjëherë nuk është marrë seriozisht. Mandati ynë në Parlamentin shqiptar do të ndikojë pozitivisht për zgjidhjen e çështjes çame.
A keni diskutuar me zotin Berisha për këto pika që ju kërkoni të realizoni dhe a keni gjetur mbështetjen e tij për zgjidhjen e çështjes çame, duke pasur parasysh dhe deklaratat publike të Berishës se çështja çame do të zgjidhet midis dy qeverive në bazë të traktatit të miqësisë së nënshkruar në vitin 1996? A keni informacion nëse është zbatuar ky traktat?
Unë mund t’ju them që nga ndryshimi i sistemit nga diktaturë në demokraci ka pasur përmirësime në drejtim të respektimit të popullsisë çame. Nëse në diktaturë ka qenë inekzistente përfaqësimi i çamëve në shtetin shqiptar, në demokraci pjesëmarrja e popullsisë çame në strukturat e shtetit ka qenë aktive. Ka qenë një deputet që ka dhënë një kontribut për të kujtuar 26 qershorin e vitit 1944 si ditën e gjenocidit grek ndaj popullsisë çame dhe këtë datë e dekretoi presidenti i atëhershëm, Sali Berisha. Përsa i përket traktatit të miqësisë, ky traktat nuk ka funksionuar. Ai u bë për të zgjidhur problemet midis dy shteteve. Ky traktat nuk ka kryer funksionin e tij. Kështu që popullsia çame e kuptoi më së fundi duke i dhënë mbështetje të madhe partisë sonë duke na votuar. Dhe nuk i dha vota partive të vogla që nuk kanë ndikuar në zgjidhjen e kësaj çështjeje. Kërkesa jonë parësore është që popullsia çame të gëzojë të drejtat e njeriut. Sali Berisha, në aktmarrëveshjen e bërë, është shprehur se do të jetë një avokat i zgjidhjes së çështjes çame.
Kjo do të shkojë përtej kërcënimeve që bën Greqia, që sa herë kujtohet çështja çame, ajo kërcënon me largimin e emigrantëve shqiptarë atje?
Këto janë spekulime që bëhen nga qarqe antishqiptare. Këto qarqe antishqiptare i shkojnë për shtat kryetarit të PBDNJ-së, Vangjel Dule, i cili, me qëndrimet e tij dhe me diskutimet e tij që mbajti dhe gjatë fushatës, e tregoi veten që është një kryetar partie që nuk mund ta gëzojë respektin e minoritarëve grekë. Është një kryetar partie që u shërben qarqeve antishqiptare, ai është një antishqiptar dhe punon që marrëdhëniet Shqipëri-Greqi të jenë jo në rrugën e bashkëpunimit dhe të miqësisë, por në rrugën e përçarjes. Unë mund t’ju them dhe një moment që ndoshta populli shqiptar nuk e di. Në kohën e fushatës së zgjedhjeve Dule ka dhënë një intervistë në një stacion televiziv grek ku ka shpifur dhe ka spekuluar për popullsinë shqiptare çame. Ai, me qëndrimin e tij në Parlament, nuk ka bërë gjë tjetër veçse ka mbajtur një rol servil ndaj shtetit grek. PDI-ja ka denoncuar Vangjel Dulen, ka denoncuar shtetin grek, që është një shtet që bën pjesë në Bashkimin Europian, për të gjitha mashtrimet që bëjnë për popullsinë shqiptare çame. Por, një përgjigje të mirë e dhanë historianët grekë, të cilët thanë hapur në mes të Athinës që gjatë Luftës së Dytë Botërore është ushtruar gjenocid ndaj popullsisë çame, kjo popullsi nuk ka bashkëpunuar me fashizmin dhe Vangjel Dulja është mirë që të mësojë nga historianët grekë dhe të mos shpifë dhe sajojë.
Është thënë se shteti shqiptar ka ndjekur deri diku një politikë servile ndaj shtetit grek. Cila është strategjia juaj që të ndryshohet kjo politikë dhe Shqipëria të kërkojë të drejtat e saj?
Unë nuk do të thosha se ka qenë servile, por marrëdhëniet Shqipëri-Greqi kanë ndryshuar gjatë kohërave. Është bërë një punë voluminoze për të krijuar marrëdhënie sa më të mira, saqë ne po dyshojmë që e tejkalon pak, qeveria shqiptare ka toleruar kërkesat e Greqisë në territorin e Shqipërisë. Flitet se do të ndërtohen 3 varreza të ushtarëve grekë në Shqipëri. Unë them publikisht se ky është spekulim. Në ato vende që do të bëhen varrezat janë vrarë ushtarë italianë, dhe jo ushtarë grekë. Ne i kemi bërë një kërkesë zyrtare Ministrisë së Jashtme dhe kryeministrit Berisha që t’i kërkojnë shtetit grek që të ndërtojë një varrezë masive dhe një memorial për të vrarët e popullsisë çame të fesë myslimane që nuk kanë as varre, që janë vrarë në mënyrë të pafajshme. Kjo do të ishte gjëja më e mirë që do të bënte shteti shqiptar, sesa të ndërtojë varreza imagjinare me ushtarët grekë. Unë kam mendimin se pas 50 vjetësh, pasi Greqia vepron me plane afatgjata, do të thotë që kufijtë e Greqisë janë në këto territore, pasi ja ku janë varrezat tona. Kjo është pjesë e qeverisë shqiptare, që duhet të jete e kujdesshme.
Cili është roli i faktorit ndërkombëtar për zgjidhjen e kësaj çështjeje dhe si do të veproni ju për të pasur mbështetjen e tij?
Roli i faktorit ndërkombëtar për këtë çështje ka qenë inekzistent për arsye se as në Parlamentin shqiptar, as në Parlamentin Europian nuk është bërë me dije një çështje e tillë, një padrejtësi që i është bërë popullsisë shqiptare çame. Ne po e ndërgjegjësojmë Parlamentin Europian dhe Këshillin e Europës për mohimin e të drejtave të njeriut për këtë popullsi. Ne jemi duke punuar për të hartuar një dosje tjetër që do ta dërgojmë në Departamentin e Amerikan të Shtetit për ta njohur për këtë tragjedi të popullit çam, që nuk është marrë në konsideratë nga shteti shqiptar. Aq më tepër që në sistemin e diktaturës ka qenë një çështje e kyçur, madje është ndjekur një politikë denigruese ndaj popullsisë çame.
Ju kërkoni dhe pronat e popullsisë çame. A mund të flitet për një shifër konkrete se sa përfiton kjo popullsi?
Ky është një tjetër problem për popullsinë shqiptare çame. Partia për Drejtësi dhe Integrim po kërkon nga institucionet ndërkombëtare dhe nga Gjykata e Strasburgut të vendosë në vend dinjitetin e kësaj popullsie. Së pari, ne kërkojmë të mbahet një qëndrim për vrasjet që u janë bërë njerëzve të pafajshëm. Kjo është kërkesa kryesore që ne bëjmë. Ne nuk kemi kërkuar as prona dhe as para për shkak se popullsia shqiptare çame i ka me dokumente pronat dhe shtëpitë. Pra pronën nuk mund t’ia mohojë njeri. Popullsia çame erdhi në Shqipëri për shkak të gjenocidit. Mund të bëj një krahasim, siç erdhën kosovarët gjatë luftës dhe u kthyen sërish në tokat e tyre, kështu erdhën dhe çamët, për t’u kthyer sërish. Ne po përgatisim një paketë me të gjitha këto prona, si dhe për kohën prej 60 vjetësh që qeveria greke ka marrë qira nga shtëpitë e popullsisë çame. Unë mund t’ju them që edhe sot, në krahinën e Çamërisë në shtetin grek, çamët ortodoksë nuk i gëzojnë të drejtat e tyre. Imagjinoni çfarë presioni ushtrohet. Madje unë i kam bërë një pyetje Vangjel Dules: Si ka mundësi që pas 65 vitesh ende ajo popullsi flet shqip dhe atje nuk ka asnjë shkollë shqipe, ndërsa këtu tek ne janë ndërtuar një sërë shkollash greke, madje dhe në Sauk, që është një territor që s’ka asnjë lidhje me minoritetin grek. Pra kjo tregon që shteti shqiptar, pa dashje, bëhet servile që nuk merret me ndërtimin e shkollave për gjuhën shqipe, por plotëson kërkesat e Greqisë.
Gjatë pjesëmarrjes sonë në Parlament ne do t’i bëjmë me dije të gjithë popullit shqiptar, por dhe faktorit ndërkombëtar për këtë çështje. Deri dje ne i kemi bërë në mënyrë private. Kemi kontaktuar me znj. Doris Pak dhe me parlamentarin Samerberg. Tani do t’i bëjmë në mënyrë zyrtare. Dhe do të punojmë për të krijuar një lobing në Parlamentin Europian në mënyrë që kjo çështje të zgjidhet nga dy qeveritë, shqiptare dhe greke, por me ndërhyrjen e BE-së dhe të SHBA-ve. Pra çështja çame nuk zgjidhet pa qenë ndërhyrjen e faktorit ndërkombëtar. Dhe, për shkak të punës sonë, shteti grek ka ndryshuar qëndrim në vite. Para 5 vitesh presidenti grek i asaj kohe, Stefanopullos, deklaroi se nuk ekziston çështje çame gjatë një takimi me presidentin Moisiu. Ndërsa presidenti Moisiu tha se kjo çështje ekziston dhe duhet të zgjidhet nëpërmjet dialogut. Më vonë në Shqipëri vjen presidenti tjetër i Greqisë, Papulias, dhe shoqata “Çamëria” organizoi një ceremoni festive për pritjen e tij në Sarandë, pasi ai ka jetuar në krahinën e Çamërisë. Por vizita e tij u anulua dhe u aludua se shoqata “Çamëria” ishte agresive dhe mund të ndodhë ndonjë aksident, një spekulim pasi ceremonia ishte organizuar me lule e flamuj. Madje unë kam raportuar në Komisionin Eurpian për këtë dhe mediat greke e kishin filmuar gjithë këtë ceremoni. Por, ministrja e Jashtme, Bakojanis, e cila erdhi para ca kohësh, tha që shqiptarët çamë t’i drejtohen Strasburgut. Por në Strasburg nuk mund të drejtohet njeri pa u bërë një seancë gjyqësore në vendin ku është problemi, që është Greqia. Në vizitën e dytë që ka bërë Bakojanis tha se duhet t’i drejtohen gjykatave të Greqisë. Kjo deklaratë tregon se shteti grek ka filluar ta njohë si çështje dhe unë uroj se e gjithë shoqëria progresiste greke të ndikojë pozitivisht. Ne po punojmë për hapjen e një gjyqi në Greqi, në mënyrë që të kemi mundësi t’i drejtomi më pas Gjykatës së Strasburgut.
Zoti Muhedini, a do të vazhdoni të qëndroni në qeveri në rast se PBDNJ-ja i bashkohet koalicionit të PD-së?
Nuk më shqetëson ardhja e PBDNJ-së në qeveri. Mendoj se do të ndikojë pozitivisht, pasi partia e grekëve ka si çështje kryesore minoritetin grek, ndërsa PDI-ja ka marrë përsipër zgjidhjen e çështjes së popullsisë shqiptare çame që ka me shtetin grek. Mendoj se Vangjel Dule duhet të hyjë në rrugë të drejtë dhe të ndikojë pozitivisht që të dyja këto çështje të ndikojnë si urë bashkëpunimi dhe t’i shërbejë forcimit të marrëdhënieve me shtetin grek. Vangjel Dule duhet të ndikojë pozitivisht te shteti grek për zgjidhjen e problemeve dhe të mos u shërbejë interesave të tij dhe të qarqeve që përfaqëson.
8 Gusht 2009