E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Edi Rama, humbësi i shqiptarëve, u faktua se ishte hiçi i hiçëve

Shefi i mazhorancës Sali Berisha etiketon Edi Ramën nga Kukësi, si përfaqësues të klikës antikombëtare, ndaj edhe mori nga shqiptarët atë që meritonte, humbjen e pakthyeshme

Kryeministri Sali Berisha dënon për të disatën herë politikën antikombëtare të kryesocialistit në detyrë Edi Rama, i cili, siç tha kryeministri, mori atë që meritonte duke u faktuar si humbësi i shqiptarëve. Lidhur me sulmet dhe deklaratat e Ramës, për rrugën Durrës-Kukës, i cili e ka cilësuar si rruga e asgjëkundit, Berisha tha se ai ishte i verbuar nga urrejtja dhe armiqësia ndaj kombit. Kryeministri shtoi se në këtë rrugë, qarkullojnë dhjetëra e mijëra shqiptarë dita-ditës. 

Kryeministri Sali Berisha është rikthyer dje në Kukës, të cilin e vizitoi vetëm një muaj më parë gjatë ceremonisë së inaugurimit të hapjes së autostradës Durrës-Kukës- Morinë, për të kurorëzuar përmbushjen e premtimit elektoral, me ndërtimin e rrugës Kukës-Krumë, 27 km e gjatë dhe me vlerë 277 milionë lekë. Kjo vepër e standardeve bashkëkohore lidh Hasin me Kukësin, dhe sipas kryeministrit është konkretizim e angazhimit për lidhjen e të gjitha komunave dhe fshatrave me rrugët e asfaltuara. 

“Rruga që ne inaugurojmë Kukës-Krumë, rindërtimi i saj, por edhe vendosja e trasesë së saj, në kilometra të tëra për të shkurtuar distancë, plotëson gjithashtu një nga segmentet më jetike të unazës verilindore dhe juglindore të vendit, unazë e cila fillon në Tropojë dhe përfundon në Delvinë, unazë e cila do ti japë një frymëmarrje të madhe të gjitha komunave të verilindjes dhe juglindjes së vendit”, u shpreh Berisha.

Shefi i ekzekutivit i është referuar edhe qëndrimit të Edi Ramës ndaj rrugës Durrës-Kukës, duke nënvizuar se për këtë arsye shqiptarët e nxorën atë në banesën e humbjes dhe harresës. 

“Sot, unë erdha në Kukës nëpërmjet korridorit të kombit. Duke ardhur mu rikujtua teza famëzezë e humbësit Edi Rama. Pasi volli vrer, tonelata shpifjesh dhe trillimesh , pasi përdori bashkë me të tjerë në mënyrën më monstruoze institucionin e akuzës, duke e shndërruar atë në një turp ordiner, nxori tezën famëkeqe, se kjo është rruga e asgjëkundit. Dua ti them sot se Kosova është gjysma e kombit, kurse ti je faqja e zezë dhe turpi i tij. Dua ti them sot se qytetarët e Kukësit janë qytetarë të nderuar të këtij vendi. E kam deklaruar dhe e deklaroj se vetëm për tu përgjysmuar atyre rrugën për ne Tiranë ata e meritonin plotësisht këtë rrugë. Të deklarosh se kjo është rruga e asgjëkundit, siç bëri humbësi i shqiptarëve, i cili meritonte të humbiste dhe shqiptarët i dhanë atij atë që meritonte, do të thotë të jesh verbuar nga urrejtja dhe armiqësia ndaj kombit tënd. 

Të deklarosh se kjo është rruga e asgjëkundit do të thotë se ti je hiç i hiçëve, sepse sot në këtë rrugë qarkullojnë dhjetëra e mijëra shqiptarë, qarkullojnë mbi 12 mijë. Unë ju garantoj ju se nuk do të jetë e largët dita, që në këtë korridor të qarkullojnë 20 apo 24 mijë automjete në ditë. Ky do të jetë korridori i shqiptarëve, korridori i Ballkanit, i cili do t’u ofrojë distancën më të shkurtër dhe shërbimin më të mirë edhe kombeve fqinj. Por le të mos merremi me të, se shqiptarët e nxorën atë në banesën e harresës dhe humbjes, kurse ne së bashku le të vazhdojmë projektin e Shqipërisë evropiane, të Kukësit evropian”, u shpreh kryeministri Berisha.

Më tej, kreu i qeverisë u shprehu mirënjohjen të gjithë qytetarëve të qarkut të Kukësit, që i dhanë mazhorancës aktuale, ndihmesën tejet të rëndësishme, në fitoren e 28 qershorit, siguroi se projekte të tjera të mëdha do të bëhen realitet në 4 vitet e ardhshme.

“Shpreh gjithashtu mirënjohje të thellë ndaj të gjithë qytetarëve shqiptarë, të cilët më 28 qershor përqafuan vizionin e Shqipërisë evropiane”, tha Berisha. 

Për sa i takon ndërtimit të rrugës Kukës-Krumë, rindërtimi i saj, por edhe vendosja e trasesë së saj, në kilometra të tëra për të shkurtuar distancë, plotëson gjithashtu një nga segmentet më jetike të unazës verilindore dhe juglindore të vendit, unazë e cila fillon në Tropojë dhe përfundon në Delvinë, unazë e cila do t’i japë një frymëmarrje të madhe të gjitha komunave të verilindjes dhe juglindjes së vendit. 

Kryeministri tha se kjo rrugë së bashku me rrugën e Shishtavecit, për të cilën nisën punimet, përbëjnë investime madhore për Shqipërinë turistike, si dhe përmbushin premtimin elektoral, që të gjitha komunat e këtij vendi do të lidhen me rrugët kombëtare nëpërmjet rrugëve të asfaltuara dhe të gjitha fshatrat e këtij vendi do të lidhen me qendrat e komunave me rrugë të asfaltuara.

Kjo rrugë e ndërtuar sipas të gjitha parametrave bashkëkohore evropiane lidh Hasin me Kukësin, me korridorin e kombit dhe Tiranën.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›