Mandatin e dytë qeverisës, Shqipëria me sistem rrugor tërësisht modern

Kreu i qeverisë Sali Berisha garantoi dje se qeveria e re që mandatohet në shtator, ka si pikësynim kryesor modernizmin e sistemit rrugor në vend, sipas standardeve evropiane. Kryeministri shpreh zotimin për arritjen e këtij objektivi dhe njëherazi u bën thirrje njësive vendore në të gjithë vendin që të punojnë ngushtë me qeverinë qendrore, për realizimin në kohë të këtij synimi.
Gjatë përurimit të fillimit të punimeve për ndërtimin e rrugës Kukës-Krumë, Berisha u shpreh se qeveria është e vendosur që si një projekt parësor ta bëjë atë realitet me shpejtësinë më të madhe.
Gjithashtu, kreu i qeverisë iu referua edhe ndërtimit të hidrocentraleve në vend, duke theksuar se me dhjetëra hidrocentrale janë për t’u ndërtuar në rrethin e Kukësit.
Ngritja e një sistemi të ri vaditës, për Hasin dhe për gjithë vendin ka qenë një tjetër angazhim, për të cilin kryeministri ka shprehur vullnetin e plotë të qeverisë, duke ftuar drejtuesit vendorë të paraqesin projekte për zhvillimin e zonave rurale.
Kreu i ekzekutivit, në përfundim të fjalës së tij, ftoi qytetarët kuksianë dhe ata shqiptarë të bëhen pjesë e projektit të Shqipërisë Evropiane.
...