LSI angazhohet për realizimin e objektivave gjatë qeverisjes së ardhshme

Program bashkëqeverisës mes PD dhe LSI, për integrimin në Evropë
Lëvizja Socialiste për Integrim deklaroi dje se pritet të nisë negociatat me Partinë Demokratike, për formimin e qeverisë së ardhshme. Kryetari Komitetit Drejtues të LSI-së, Edmond Haxhinasto informoi gjatë një dalje për shtyp se së shpejti do të realizohet programi i përbashkët qeverisës i koalicionit PD-LSI, pas vendimit të përgjegjshëm të kësaj të fundit për të qenë pjesë e kabinetit të ardhshëm.
“Vendimi i LSI për të marrë pjesë në bashkëqeverisje me PD, vendim i marrë me përgjegjësi të plotë politike e historike, do të konkretizohet së shpejti në hartimin e një programi të përbashkët qeverisës. LSI po përgatit dhe do të paraqesë në tryezën e negociatave, për formimin e qeverisë së re objektivat e saj programore bashkë-qeverisëse, të cilat janë në funksion të integrimit evropian, forcimit të shtetit të së drejtës dhe zhvillimit të qëndrueshëm të vendit”, u shpreh Haxhinasto.
Ai deklaroi se prioritetet zhvillimore si punësimi dhe lufta kundër varfërisë, rritja e prodhimit vendas dhe veçanërisht zhvillimi i sektorit të bujqësisë dhe atij të turizmit, përmirësimi cilësor i shërbimeve publike të shëndetësisë dhe arsimit,
reformat institucionale, pavarësia e institucioneve dhe pushteteve dhe veçanërisht reforma zgjedhore do të jenë elemente të rëndësishëm që LSI do t’i mbështesë fuqimisht në tryezën e negociatave.
“Ne jemi të bindur se integrimi i prioriteteve tona qeverisëse dhe atyre të PD, në mënyrë racionale dhe transparente, do të garantojnë një qeverisje të qëndrueshme dhe sukses në realizimin e objektivave kryesore të qeverisjes së ardhshme, stabilitetit të vendit dhe plotësimit të standardeve për integrimin në BE”.
...