E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Edi Rama, politikë terrori mbi deputetët

08-03-2013 / Gazeta 55

Në bashkëbisedimin periodik me gazetarët, kryeministri Berisha kujtoi se s’mund të kopjohej një program elektoral, si ai i PS-së, i cili bazohet tek taksa progresive dhe kthimi i sistemit të diktatorit Hoxha

Deklaratat e shefit të mazhorancës
Me taksën “Koleka”, brenda 3 muajve shkatërrohen mijëra vende pune
LSI, aleati më i mundshëm për koalicion para dhe paszgjedhor
E drejta e shqiptarëve për referendum, forcon demokracinë

Kryeministri Sali Berisha zhvilloi dje një bashkëbisedim me gazetarë, ku në fokus ishin aktualiteti politik dhe çështjet ekonomike. Të vendosura në një video-projektor studimet e organizatave ndërkombëtare që merren me vlerësimin e këtij sektori, për kryeministrin Berisha përbëjnë të dhëna referenciale lidhur me treguesit e progresit ekonomik.
Por të ardhura më së shumti si vlerësime për hapat e ndjekura nga ekonomia shqiptare, sipas kreut të qeverisë, këto të dhëna janë një përgjigje konkrete ndaj të gjitha akuzave e kritikave të ardhura nga opozita.
“Deklarata e Bordit Ekzekutiv të FMN-së e datës 11 janar 2013. Bordi Ekzekutiv i FMN-së konkludon se, ‘Shqipëria ka arritur me sukses të shmangë një ngadalësim ekonomik nga viti 2009. Drejtorët i përgëzuan autoritetet shqiptare për politikat e drejta që bënë të mundur rritjen ekonomike, në mes të krizës financiare globale. Drejtorët i përgëzuan autoritete shqiptare për politikat që kanë garantuar qëndrueshmërinë e sistemit financiar’0. Shefi i misionit të FMN në Washington, në krahun ekzekutiv të FMN-së për Shqipërinë Nadeem Ilahi thotë, ‘Ekonomia shqiptare deri më sot ka qëndruar me sukses jashtë krizës së Eurozonës. Vendi, që ka aplikuar zyrtarisht për anëtarësim në Bashkimin Europian në vitin 2009, ka treguar elasticitet të habitshëm që nga shpërthimi i krizës globale në vitin 2008. Deri kohët e fundit Shqipëria ka përballuar me sukses ambientin e jashtëm të pafavorshëm ekonomik. Ekonomia shmangu një rënie të mprehtë në prodhim, inflacioni qëndroi i ulët dhe i qëndrueshëm, sistemi bankar mbeti i shëndoshë’. Kjo është deklarata e këtij  viti e atij që kryeson ekipin e FMN-së për Shqipërinë në Washington, pasi dihet se FMN nuk është më Shqipëri, por tani është në Washington, në bazë të artikullit 4 të marrëveshjes me FMN. UNCTAD, Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Tregtinë, në raportin botëror të investimeve 2012, ‘Po të krahasojmë indeksin e tërheqjes së investimeve të huaja direkte me indeksin e potencialit të thithjes së investimeve të huaja direkte rezulton se Shqipëria ka arritur të tërheqë më shumë investime të jashtme direkte, sesa ka potencialin e saj’. Ku jemi tani? Situata e tanishme është se gjithnjë ekonomia është fusha më ndërkombëtare që ekziston. Këtu nuk duhet të kemi iluzion, çka do të thotë se kriza që persiston do të ndikojë sërish me pasoja të pafavorshme për ekonominë shqiptare. Kriza presupozohej që këtë vit të kishte marrë kthesën dhe Eurozona të dilte nga recesioni, në mënyrë të paparashikuar, por ky do të jetë viti i recesionit për Eurozonën. Atëherë, qeveria e reformave vendos për paketën e dytë të reformave më të thella. Opozita me një lehtësi, në mënyrë të përgjithshme, ka hedhur poshtë të dhëna, statistika, ka shpallur shumë herë se vendi është në krizë, se buxheti s’ka para për rroga, se ato s’do paguhen. Mirëpo opozita nganjëherë dhe media, duhet të kenë parasysh se është koha globale dhe kriza globale, pavarësisht se nuk na preku ndikoi në ekonomi. Por janë një seri vlerësimesh për ekonominë shqiptare, që faktojnë se: ekonomia i rezistoi krizës, nuk njohu recesion. I rezistoi krizës falë reformave së thella dhe të gjithanshme që u ndërmorën para krizës”, vuri në dukje kryeministri.
Sipas tij, ishin pikërisht këto reforma ato të cilat u bënë mburojë përkundrejt krizës. Ndër reformat këto reforma ishin taksa e sheshtë 10 për qind, ulja e kontributeve të sigurimeve shoqërore nga 42 për qind në 24 për qind, ulja e një seri tarifash dhe heqja e tyre, duke sjellë rritje rrogash e pensionesh. Por nga ana tjetër qeveria hartoi dhe paketën e dytë të reformave, nisur nga fakti se sipas kreut të qeverisë, në mënyrë të paparashikuar ky do jetë vit i recesionit për evropian.
Në këtë linjë, kreu i mazhorancës, risolli në kujtesë dhe nismën për heqjen e tatimit mbi të ardhurat personale mbi të gjithë punonjësit nën 30 mijë lek në muaj, si dhe heqjen për 3 vjet nga çdo detyrim tatimor për punësimin e çdo të riu. Në bashkëbisedimin me gazetarët kryeministri komentoi nismën e mazhorancës për referendumin e 3 ligjeve, propozimet e PS për sistemin e taksave, zgjedhjet e 23 qershorit etj.,

Gjithë paraqitjen tuja e cilësuat si paketë e guximshme reformash, por, nga ana tjetër, PS, vetëm një ditë më parë, tha se është një vjedhje e programit të saj, madje ju shtron edhe pyetjen se ku ishit për 8 vjet, për t’i bërë këto reforma?
Lidhur me britmat apo klithmat e socialistëve se po u vjedhin programin, unë do të të përgjigjem me sugjerimin që më bëri një nga miqtë e mi në FB, i cili më tha: aman doktor, jepu një copë program që t’ua mbyllësh gojën. Kjo është përgjigjja ime. Në qoftë se keni dëgjuar program tjetër, veç taksës progresive të Karl Maksit dhe Spiro Kolekës në Shqipëri, më thoni. Nëse dëshironi po jua lexoj nenin dy të manifestit të  Karl Marskit që adoptoi PS-ja. Zoti Rama ka mbetur i vetmi njeri që qarkullon me këtë taksë. Më thjesht, kjo taksë do të thotë që sipërmarrësi, aktin e parë që bën është t’i bjerë me gërshërë borderosë dhe të paktën 1/3-n  punëtorëve i nxjerr në rrugë e u thotë: shkoni se nuk kam më para t’ju paguaj, sepse po m’i merr shteti. Për taksat gjithmonë ka një debat dhe një doktrinë shumë të pasur. Sot debati për taksat është më i gjallë se kurrë ndonjëherë, për shkak të krizës. Lexoni dhe do të shikoni se ngado thuhet se taksa progresive është taksa, e cila nxit në progresion gjeometrik evazionin fiskal. Taksa progresive taksë shton edhe urrejtjen klasore në shoqëri. Kjo ka qenë pjesë e programit të Spiro Kolekës dhe megjithëse janë thënë të gjitha këto, i vetmi ndryshim që ka bërë zoti Rama është se ka thënë se Spiro Kolekën nuk e kam dajë, paçka se e ka “dajë me çizme”. Këtë e di i gjithë Bregu, mjafton të shkoni në Vuno dhe të pyesni. Unë kaloj pushimet atje. Pra, programi i tyre është programi i taksës progresive dhe programi i famshëm i llogaritjes  së borxhit si përqindje e GDP-së, nga Banka e Shtetit. Shumë zotërinj i kanë dërguar mesazhe duke i thënë se me këtë që mohon, tregon se je jashtë kohe. Herën e fundit, zoti Rama deklaroi se këtu ka rritje, por nuk ka punësim. Mirëpo nuk ka rritje pa punësim. Ai që ka konceptin e rritjes, vetëm këtë fjalë nuk mund ta thotë. Pra, programi i tyre, përveç taksës progresive të Marksit dhe të dajës, nuk ka asgjë reale, por vetëm fiktive. Zoti Rama ka thënë edhe se do të kthejë sistemin shëndetësor të Enver Hoxhës, sistemin pa sigurime shëndetësore. Por ai harron se sistemi ynë shëndetësor sot është një sistem universal dhe qoftë qeveria socialiste e mëparshme, qoftë qeveria ime, reformën sociale e ka bërë dhe e bën absolutisht me specialistët më të mirë që ekzistojnë dhe ata janë të Bankës Botërore, e cila ka ekspertizat më të shkëlqyera që ekzistojnë kund. Nga ana tjetër, janë shpenzuar miliona dollarë për këtë sistem. Por Rama thotë jo, unë dua sistemin  e Kastros ose sistemin e Enver Hoxhës. Por ai sistem nuk kthehet kurrë!
 
Kur do të ketë PD-ja listën e saj të kandidatëve për deputetë? Shohim se PS-ja po nxjerr emra, duke paraqitur “blerje të reja” më së shumti, por kemi parë edhe largime të mundshme apo kemi dëgjuar për zhvendosje të emrave nga një rajon në një rajon tjetër. Po PD-ja kur do t’i bëjë publike kandidatët e saj; a do të keni edhe ju blerje të reja? 
Zoti Rama ka vendosur që të fuqizojë në PS krahun miliarder. Po të marrësh Asllan Dogjanin, ai është një ish polic, për të cilin, për të qenë i hapur me, nuk kam dëgjuar të ketë ndonjë shkallë inkriminimi, por nuk ishte milioner. E mori atë, për të terrorizuar të gjithë PS-në. E filloi në Kukës, duke ”ia prerë kokën” deputetit të Kukësit. Imagjinoni kokën e Erjon Braçes, që nuk e llogarit fare dhe Erioni del e thotë në FB se jam ndier keq. Zotëri nuk e ke të keqen nga unë, por e ke nga kryetari yt. Pastaj gjeti Celibashin, i cili tha se kam dy vjet që hezitoj për t’u bashkuar me PS-në, për “të prerë kokën” e Gramoz Ruçit. Kjo është një politikë terrori mbi deputetët. Është miliardarizim i PS-së, me disa njerëz, të cilët me Ramën kanë një histori të veçantë. Por kjo nuk ka rëndësi.
Ndaj, nëse unë do të paraqes deputetët, do të paraqes deputetët e qarkut, deputetët në shkallë vendi dhe jo të kap një këtu e një aty. Si përfundim, Rama po përgatit humbjen e radhës dhe mbijetesën nëpërmjet bojkotit të parlamentit etj..
 
Lidhur me referendumin për 3 ligjet, sot edhe ambasadori i SHBA-së i është bashkëngjitur qëndrimeve të ndërkombëtarëve, zotit Fyle e zotit Sequi, kundër zhvillimit të referendumit. A do ta vazhdoni ju këtë nismë apo do të shikoni mundësinë e negociatave me opozitën për këtë çështje?
Në qoftë se zoti Rama nuk do referendum, është i lutur të vijë e të votojë ligjet dhe siç kam deklaruar në parlament, ne jemi të gatshëm t’i votojmë ato, në çdo kohë. Uroj që zoti Rama, mesazhin e ambasadorit Arvizu, të zotit Fyle, të ambasadorit Sequi apo të kujtdo, të mos e interpretojë si një thirrje për të mos votuar ligjet. Uroj që ta interpretojë si një thirrje për të votuar 3 ligjet. Zoti Rama, duke punuar për periudhën pas qershorit, u deklaroi shqiptarëve se miqtë tanë europianë e amerikanë nuk po më kërkojnë njohjen e rezultatit. Me këtë, zoti Rama u thotë socialistëve se nuk do të njohim rezultatin. Por ai e lexon kokëposhtë thirrjen, sepse nuk ka njeri të lirë që të mund të imagjinojë të mos njohë rezultatin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Pra, kemi të bëjmë me interpretime, sipas interesit të deklaratave, por mirë është të marrë tërësinë e tyre. Por ai nuk e bën këtë, se e ndjen veten të pafuqishëm për të fituar. Ai ka një dobësi genuine, në raport me fitoren. Kur përpiqet të shohë horizontin, disfatat i dalin si fantazma njëra pas tjetrës dhe e dobësojnë shumë zotin Rama. Por kjo është çështje e tij. Çështja ime është të bëjmë gjithçka për zgjedhje të shkëlqyera; çështja ime është të krijojmë kushtet më optimale. Rama, me idenë e tij për të demonizuar zgjedhjet apo me lobimet që bën për të demonizuar zgjedhjet, është i dështuar. Juve ju kujtohet në vitin 2009, se kush ishte në krye të misionit të monitoruesve, një njeri që unë, për disa arsye, nuk e kisha shpallur pothuajse “non grata”. Ju këtë e dini, por edhe kjo nuk e shpëtoi dot zotin Rama.     
 
Dy javë më parë Banka Botërore  ju ka sugjeruar se  puna e parë që duhet të bëjë qeveria, për të zbutur ngërçin ekonomik, është që të nisë e të shlyejë borxhet e prapambetura që ka ndaj kompanive. A do ta merrni në konsideratë këtë sugjerim?
Ky është një sugjerim shumë i drejtë. Unë ju njoha me një seri deklaratash. Pa diskutim që ekzistojnë edhe vështirësi të pamohueshme. Një nga këto janë edhe disa detyrime, por këto detyrime, duhet të jemi të vërtetë, janë dy llojesh. Një lloj detyrimi është i pastër, i qartë: kompania ka bërë punimet dhe ende nuk ka marrë paratë. Do t’i marrë. Lloji i dytë është detyrim i krijuar nga vetë kompania. Sigurisht, ajo do t’i marrë paratë, por këtu problemi nuk është njësoj. Kur hapet një tender, ka një programim të kohës së ndërtimit të rrugës, në rastin e rrugës, ka edhe një programim të disbursimit të parave, në përputhje me vëllimin e punimeve. Në qoftë se kompania, për interesa të punëve të veta, “vrapon” në punime, pra, tejkalon programimet dhe parashikimet, por buxheti nuk mund të vrapojë, sepse buxheti është i programuar, por sigurisht që paratë do t’i marrë. Detyrimi i dytë do programim dhe do të programohet. Shumë shpejt, ne do të likuidojmë çdo detyrim të llojit të parë, pra, do të likuidohen të gjitha situacionet, të cilat janë realizuar në përputhje me programimin e tyre. Do të shlyen më vonë situacione, të cilat janë avancuar jo me kërkesën tonë, por janë avancuar nga sipërmarrësi, për të liruar makineritë apo për arsye të tjera, për të cilën ne nuk e qortojmë. Por duhet të programojmë pagesën e tij. Ky është qëndrimi ynë dhe kjo do të ndodhë shumë shpejt.
 
Na bëtë një pasqyrë të qartë të reformave të qeverisë. A do të jeni ju i gatshëm që t’i pasqyroni edhe në një studio televizive, në një debat politik me kundërshtarin tuaj, zotin Edi Rama. Herën e fundit që ju jeni pyetur për këtë, keni përmendur zëdhënësen e PD-së. A është kjo një mënyrë për t’ju shmangur ftesës që ju bëri zoti Rama?
Ajo që unë u shpreha, ishte se nuk mund të kishte gjë më të padenje për një burrë, për një qytetar se të përflasësh një bisedë private. Edhe një herë e them se as Erla, as Laura dhe asnjë nga bashkëpunëtorët e mi, nuk do të marrin kurrë porosi nga unë, që të mos flasin a të mos përshëndesin Edi Ramën. Kjo nuk mund të ndodhë se nuk është në kulturën time, por nuk është as në kulturën e tyre. A e dini se shumica e deputetëve të PS-së nuk kanë kaluar në Rrugën e Kombit nga frika, sepse nuk i lë ai. Pa folur për rrugën Murat Toptani.  Laura, për hir të Lindës, i bëri dy komplimente dhe mirë bëri, se ishte me bashkëshorten. Ai e mbajti këtë temë një çerek ore në media, në mënyrën më patologjike, më hakmarrëse. Prandaj, le të shkojë të bëjë njëherë një debat me Laurën në televizor, për përshëndetje dhe mospërshëndetje dhe pastaj ta shohim. E krijoi vetë këtë gjë, nuk ia krijoi njëri. Ne mund të jemi kundërshtarë, por kjo është gjëja më normale të përshëndetesh njerëzisht. Ndaj edhe përgjigja ime është që më mirë të shkojë njëherë të bëjë një debat për përshëndetjen në avion. Zëdhënësja ime, duke qene se ai ishte me të shoqen, u tregua më e njerëzishme, ndërsa ai mbulonte historinë e pallatit pesëkatësh me përshëndetjen e saj në aeroport. Çfarë po i kërkon Laura në deklaratat e PD-së? I kërkon të nxjerrë faturat, me të cilat ka paguar ndërtimin e pallatit pesëkatësh, sepse ai nuk ka asnjë faturë në tatime, se nuk ka asnjë faturë në bankë. Atëherë si u ndërtua ai pallat!? PD-ja është forcë politike dhe atë detyrë ka, siç ka ai detyrë të thotë ç’të dojë për mua. Në vend që t’i kërkojë të falur, se ende nuk e ka bërë transparencën e pallatit, ngrihet dhe e përgojon se me mirësjellje e kishte përshëndetur dhe i kishte bërë një kompliment për shkak të Lindës. Ai ta ftojë të dalë në debat, pastaj t’i shohë punët e tjera.
 
A do ta zgjerojë mazhoranca koalicionin dhe me kë. Së dyti, kur do të mblidhet tryeza e aleatëve të PD-së?
PD-ja ka zgjeruar aleancën e saj. Siç dihet PDK-ja, një aleate e hershme e PD-së është tani në koalicion. LZHK-ja është në koalicion. PD-ja aktualisht është në koalicion në qeveri më LSI-në, është në koalicion në qeveri me PDIU-në dhe është e hapur për koalicione. Ky është koalicioni qeveritar më i suksesshëm, po të keni parasysh spektrin, është më i suksesshmi dhe më i qëndrueshmi në këto 20 vite. Për herë të parë, një parti e qendrës së djathtë, qeveris 4 vite me një parti të majtë, LSI. Këto dy forca politike, mbështetësit e tyre mendoj se kanë shumë arsye për t’u ndier krenarë me qeverisjen e këtij mandati. Çdo qeverisje dhe qeveri ka aspektet pozitive, ka dobësitë dhe të metat, por ju garantoj se koalicioni ka funksionuar, për mua, pa asnjë dallim me aleatët e tjerë. Nga ana tjetër, çdo anëtar i PD-së, eksponent i saj, e ka sot të qartë se nëse PD-ja qeverisi 4 vite dhe drejtoi një koalicion, ju them se ky ka qenë mandati më i suksesshëm në historinë e PD-së dhe të qeverisë së saj, për sa u përket realizimeve të gjithanshme në vend. Kurrë ndonjëherë, ne nuk kemi realizuar në të katër anët e këtij vendi projekte, sa në këto katër vjet; nuk do të mund t’i kishim realizuar këto, nëse nuk do të bënim koalicion me LSI-në, sovrani na dha 70 vota. Sikundër, çdo anëtar i LSI-së e ka të qartë si rrezja e diellit se pa këtë koalicion me PD-në, LSI-ja nuk do të mund të kishte luajtur kurrë këtë rol që ajo luajti në interes të vendit të vet, këto katër vite në pushtet. Me këtë dua të them se është krijuar në mënyrë të padiskutueshme një traditë dhe një trashëgimi shumë e çmuar në koalicionin midis këtyre dy forcave politike. Kjo nuk do thotë se ekziston apo nuk ekziston ndonjë marrëveshje për koalicion parazgjedhor. Kjo do të thotë se ekziston një trashëgimi shumë pozitive në koalicionin midis një partie të qendrës së djathtë dhe një partie të majtë, siç është LSI. Në koalicionin e sotëm qeveritar është edhe PDIU-ja e zotit Shpëtim Idrizi. Ne e kemi aleat, funksionojmë shumë mirë dhe jemi të bindur se me këtë parti do të shkojmë në zgjedhje, do të bëjmë çdo gjë që zgjedhjet të jenë të lira dhe të ndershme dhe do t’i fitojmë ato zgjedhje, në rast se shqiptarët do të bëjnë vlerësimin më të mirë. Në çdo rrethanë, po të kthehemi tek viti 2009, LSI-ja u ftua me një ofertë të jashtëzakonshme nga Edi Rama dhe e refuzoi me gjakftohtësinë më të madhe. Dhe këtë, zoti Meta e ka bërë publike. E refuzoi, sepse zoti Rama e bazonte ftesën e tij në kërkesa korruptive. Zoti Meta i tha zotit Rama: së bashku bëjmë 70 deputetë. Ndërsa zoti Rama, i përgjigjet se do të blejmë ndonjë deputet nga krahu tjetër. Por zoti Meta i thotë se kjo nuk më konvenon, sepse po të bashkohem me ta, ne bëjmë 74 deputetë dhe ne qeverisim. Dhe ne u bashkuam dhe ju e patë se dy ditë më parë u votua në parlament me të gjitha votat e mazhorancës, njëlloj si ditën e parë të koalicionit. Pra, ky koalicion ka funksionuar në mënyrën më të vendosur. Tani, nëse unë do të isha në vend të kryetarit të LSI-së, çka nuk jam, unë pa mëdyshje së pari, do të vija interesin e vendit dhe interesi i vendit është ky: LSI si parti e tretë do të qeverisë me forcën politike që mund të krijojë qeverinë. Trashëgiminë e qeverisjes e ka me PD-në. Me PS-në dihet sesi është, dihen marrëdhëniet me Edi Ramën, janë gjithnjë marrëdhënie të karakterizuara nga një pabesi ekstreme e tij. Ndaj të gjithë enturazhit të tij, çfarë bëri? Përse u bë darka? Darka kishte një qëllim: sanksionimin e mikut Preç Zogajt në listë. Dhe ku është në listë Preçi?! I nxori të gjithë aleatët një nga një, i ka mbetur vetëm avokati. Është simbol i pabesisë, kurse tjetri i luajalitetit të plotë në vendimin që merr dhe fjalën që jep. Dhe me këtë e kuptoni se nga do jene aleancat.
 
Me këtë deklaratë po lini të kuptohet se do të dilni vetëm në zgjedhje dhe më pas do të bëni koalicion pas zgjedhor. A keni një vlerësim për polin e tretë që duket se po krijohet mes FRD-së, PBDNJ-së dhe ndoshta LSI-së; e dyta, kryetarët e partive aleate do të jenë në listat e PD-së apo në listat më vetë si në 2009?
Lidhur me LSI-në, PD-ja është e hapur për koalicion, në mënyrë të padiskutueshme. Natyrisht, LSI-ja do të shqyrtojë dhe do të marrë vendimin në interesin e saj. Por ka një gjë: trashëgimia, tradita e krijuar gjatë këtyre 4 viteve është realisht pozitive. Çka do të thotë se e bën LSI-në aleatin me potencial më të mundshëm para zgjedhjeve dhe pas zgjedhjeve. Kjo është e vërteta. Ka një dallim, zotëria i vë kushte. Kushti i parë: ik nga qeveria. Kushti i dytë: prano taksën Koleka. Ne nuk kemi kushte, ne kemi program.
Çështja e dytë lidhur me listën. Unë nuk po paraqes deputetë, unë po merrem me programe dhe me reformat e mëdha. Për çështjet e tjera e bëjmë transparencën në kohën e duhur. Për një gjë ju garantoj: unë nuk eci kurrë me prerje koke. Ne nuk jemi parti e prerjes se kokave, e karshillëkut ndaj njëri-tjetrit, përkundrazi, siguroj se unë mbetem i detyruar ndaj çdo veprimtari që ka dhënë kontributin e tij këto 20 vite. Për sa i përket mundësisë së koalicionit midis LSI-së dhe PBDNJ-së janë dy aleatët tanë. Me LSI-në unë jam në qeveri, me PBDNJ-në kam qeverisur dhe kam histori të bashkëpunimit me të si një parti e lirive dhe të drejtat e njeriut. Kështu që unë nuk shoh asnjë lloj problem, përkundrazi, të dy janë aleatë. PBDNJ-ja potencial, LSI-ja real. Ndaj dhe janë lëvizje normale.
 
Duke marrë shkas nga deklaratat e fundit të kryetarit të PS-së se krimi i ka dalë shtetit nga kontrolli dhe sot krimi bën ligjin, a do të ketë reforma në policinë e shtetit? Sa i sigurt ndihet qytetari sot, duke pasur parasysh ngjarjet e fundit që kanë ndodhur?
Kriminaliteti ka statistika, krimet e rënda kanë statistika, të cilat nuk munden kurrë që të deformohen. Kur erdhëm në pushtet, ka pasur në vit 250 deri në 310 vrasje. Ato zbritën në 90-92-100 të tilla dhe vitin e kaluar kanë qenë rreth 120. Pa diskutim, kriminaliteti përbën një shqetësim shumë madhor, edhe në nivelet më të ulëta po të jetë. Kriminaliteti nuk mundet kurrë të injorohet, sado minimal që të ekzistojë. Le ta analizojmë pak bashkërisht atë, sepse duhet analizuar. Në pamje të parë, njeriu mund të thotë se policia është përgjegjëse, por le të shohim faktet. Policia do të ishte vërtetë përgjegjëse në qoftë se ajo do të kishte një shkallë të ulët zbulueshmërie, në qoftë se ajo do të kishte një shkallë jo të mirë të kapjes së krimeve, në qoftë se ajo do të kishte një shkallë bashkëpunimi me kriminelët. Por, cilido shqiptar që ndjek kronikën, konstaton se kjo polici ka shkallën më të lartë të zbulueshmërisë dhe të kapjes së kriminelëve. Kjo është e vërteta. Kurrë ndonjëherë kjo shkallë nuk ka ekzistuar. Në qoftë se mediat kapin një foto ku e gjejnë një drejtues policie me njeriun që akuzohet për vrasje, foto e bërë dy vjet më parë dhe, e paraqesin këtë si argument për të akuzuar policinë, ashtu siç bën Edi Rama, ajo është e turpshme, sepse ishin po ata, të cilët shpallën të akuzuar kryesor këtë person. Pra, shkalla e zbulimit dhe e goditjes është më e larta që ka ekzistuar. Sërish ka vrasje, rritje të qartë të krimit në familje. Një fakt është fakt, që një pjesë e të inkriminuarve dalin nga burgjet, sepse kryejnë dënimet. Një fakt është fakt, më kryesori madje, që legjislacioni ynë penal nuk i përgjigjet këtyre veprave penale në mënyrën e duhur. Unë ju them se para 12 vitesh, këtu krimi në familje konsiderohej pothuajse jo krim, dukej sikur se aty në familje ishte një fatkeqësi nëse kryhej krimi, edhe pse kjo është forma më e shëmtuar e krimit. Ose le të marrim rastin e vrasjes së policëve, sot nuk ka njeri me profesion më të vështirë sesa polici, ti e vret atë dhe merr vetëm 20-25 vjet dënim. Gjithashtu, edhe një aspekt tjetër, nëse shkoni e ndiqni gjykimet në Gjykatën e Krimeve të Rënda, do të shihni se absolutisht ajo funksionon në mënyrën më serioze dhe ata gjykatës e prokurorë bëjnë ligjin çdo ditë. Pra, a është kjo përgjegjësi e policisë? Jo, sepse policia ka shkallën më të lartë të goditjes. A është kjo për shkak se gjyqtarët dhe prokurorët e Krimeve të Rënda nuk po godasin? Jo, sepse ata po funksionojnë.
 Atëherë, çfarë po bën qeveria? Qeveria po përgatit një paketë të re ligjore reformash, ku, në qoftë se dikujt i shkon mendja të kryejë krim në familje, duhet ta dijë se për këtë shoqëri konsiderohet forma më e shëmtuar e krimit dhe ai do të ketë një dënim nga 40-50 vjet, jo më nga 20 vjet. Në qoftë se vret policin, do të kesh përsëri nivelet më të larta në vite të dënimit, dyfishin e viteve që ekzistojnë sot e mundësisht, dënim përjetë. Sikundër rasti i gjakmarrjes, për të cilën janë shumë më të pakta rastet nga sa trumbetohet, por duhet të zhduket si fenomen. Ne nuk mund të rrimë si komb i gjakmarrjes. Ndaj, nëse e kryen një krim të tillë, duhet ta dish se ke kryer një krim shumë më të rëndë, i cili lëndon të gjithë shoqërinë. Edhe për bankat, ju që pyetët, paketa e re u jep zgjidhje përfundimtare titujve ekzekutiv të bankave. Pra, po i përgjigjemi me një paketë të re ligjore në Kodin Penal, në Procedurën Penale dhe, për bankat, në Kodin Civil dhe Procedurën Civile, paketë e cila do t’i japë përgjigjen më të shkëlqyer problematikës së sotme. Unë kam bindjen se kjo paketë do të ketë një efekt të madh parandalues mbi krimin. Krimi në familje sot është 25 për qind e të gjithë krimeve. Ka një rritje kudo në botë, kudo në Evropë, por ne jemi kundër tij, në formën më të vendosur.
 

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›