Meta: Pjesëmarrja e grave rrit standardet në zgjedhje

Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim në Shkodër
Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta zhvilloi një takim me qindra gra dhe vajza në qytetin e Shkodrës. Në fjalën e tij përshëndetëse, Lideri i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, uroi të gjitha gratë dhe vajzat e pranishme për festat e 7-8 marsit. Meta u shpreh se LSI ka qenë gjithmonë përkrah bizneseve që punësojnë gra dhe vajza pasi sipas tij pa fuqizimin ekonomik të gruas absolutisht që ne nuk mund të kemi një shoqëri të drejtë. “Pa fuqizimin ekonomik, pa fuqizimin real të gruas absolutisht që ne nuk mund të kemi një shoqëri të drejtë, një shoqëri në themelet e së cilës qëndron një barazi gjinore e standardeve evropiane. Unë dua t’ju uroj të gjithave për këtë solidaritet që ju tregoni me njëra-tjetrën”, theksoi Meta.
Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, deklaroi se është e domosdoshme që kudo në të gjithë shoqërinë, në të gjitha komunitetet, gratë dhe vajzat të mbështesin më shumë njëra-tjetrën për të përballuar të gjitha problemet sociale, por njëkohësisht edhe për të fituar përmes këtij solidariteti pozitën e tyre që u takon në familje, në komunitet, në shoqëri, në politikë, në vendimmarrje dhe në të gjithë jetën ekonomike dhe sociale.
Duke përfunduar Ilir Meta deklaroi se angazhimi i LSI-së në zgjedhjet e 23 qershorit është për t’i shërbyer një procesi sa më transparent. Sipas pjesëmarrja e sa më shumë grave dhe vajzave në zgjedhje do t’i kontribuojë zgjedhjeve me standarde.
“Njëkohësisht është një rast i rëndësishëm për të thekuar rëndësinë e madhe që merr për perspektivën tuaj dhe të gjithë grave, vajzave të Shqipërisë dhe të gjithë qytetarëve tanë, e ardhmja sidomos në prag, jo vetëm të festave, por edhe të zgjedhjeve të 23 qershorit. Këtu nuk kam parasysh rezultatin e zgjedhjeve sepse ai duhet të jetë rezultat i vullnetit të lirë dhe të drejtë të çdo qytetareje dhe çdo qytetari. Këtu kam parasysh të ardhmen e stabilitetit politik dhe ekonomik të vendit, sepse kjo lidhet në mënyrë të drejtpërdrejtë edhe me pozitën tuaj sociale dhe ekonomike. Lidhet me mundësitë për të rritur investimet vendase dhe të huaja, për të përmirësuar të gjitha standardet sociale. Në këtë drejtim, angazhimi ynë ka qenë dhe mbetet për t’i shërbyer një procesi sa më transparent dhe njëkohësisht jam i bindur që pjesëmarrja sa më e gjerë e grave dhe vajzave në listat e kandidatëve për deputetë por dhe në Parlamentin e ardhshëm do të ndikojë për të pasur vërtet zgjedhje të standardeve evropiane por edhe institucione të standardeve evropiane, që do të dalin nga këto zgjedhje duke nisur që nga Parlamenti i ri që do të votohet në 23 qershor”, përfundoi kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta.