“Mbi 3 milionë zgjedhës në lista, janë hequr mbi 1990 dublime”
Flet Ferdinand Poni, zëvendësministri i Brendshëm
Zëvendësministri i Brendshëm, Ferdinand Poni ka njoftuar të rejat e punës me listat zgjedhore. Zëvendësministri Poni theksoi se lista e zgjedhësve është rigjeneruar dhe tashme ajo përmban 3 milionë 285 mije 984 zgjedhës. Sipas tij, është kërkuar të zbatohet në mënyrë rigoroze numri i zgjedhësve për qendër votimi. Ndërkohë që ne 12 dhjetor Drejtoria e Gjendjes Civile ka shpërndarë listat e zgjedhësve. Sipas Ponit, është punuar shumë mirë me listën e shtetasve mbi 100 vjeç. “Gjatë kësaj kohe kanë konfirmuar se janë gjallë 200 vetë”, theksoi ai.
Në shpjegimet rreth ekstraktit të përditësuar, ai theksoi se po punohet që në fund të afateve, të arrihet një gjendje perfekte e kësaj liste në përputhje me parashikimet e ligjit. Ai apeloi sërish disa përfaqësuesve vendorë që të respektojnë afatet ligjore për përmbylljen e këtij procesi administrativ duke bërë ndryshimet e duhura në lista.
Më pas, zëvendësministri Poni ka theksuar se, “ekstrakti i listës së zgjedhësve e datës 03.03.2012 është gjeneruar pranë çdo njësie të qeverisjes vendore për printim. Ekstrakti i listës përmban 3,285,964 zgjedhës. 3,264,416 zgjedhës janë afishuar qartë pranë 5,485 qendrave të votimit në çdo njësi të qeverisjes vendore. 21,548 zgjedhës nuk janë përfshirë në listat e zgjedhësve, për shkak të kritereve të ligjit mbi numrin e zgjedhësve që duhet të ketë një qendër votimi (200-1000, 700 Tirana). Me bashkimin apo ndarjen e qendrave të votimit që janë jashtë kriterit numerik, procedurë që kryhet nga kryetarët e bashkive/komunave, do të bëhet shumë shpejt dhe përfshirja e këtyre zgjedhësve të mbetur jashtë liste”.
Ndër të tjera, zëvendësministri Poni u ndal edhe te pastrimi i dublimeve. Sipas tij, në datë 12.12.2012 janë dërguar në zyrat e gjendjes civile për kontroll 7,674 rekorde të dyshuara si të dubluara. “Mbi këtë listë deri në datë 01 mars 2013 janë kryer operacionet e mëposhtme: Për 1627 persona kemi informacion nga Zyrat e gjendjes civile që nuk janë dublime. Janë pastruar apo bllokuar si dublime 1922 rekorde të dyshuara. Kanë aplikuar për letërnjoftim ndërkohë, pra nga data 12.12.2012, 694 persona. Pas gjenerimit të ekstraktit të datës 3 mars, rezultojnë akoma 3,431 rekorde të personave të dyshuar si të dubluar, pra që zyrat e gjendjes civile janë akoma në proces verifikimi”, theksoi Poni.
Në fund zëvendësministri i Brendshëm Poni garantoi se vëmendja e shërbimit është përqendruar që në bashkëpunim me kryetarët, të respektohet absolutisht dhe rigorozisht ligji për sa i përket numrit të lejuar të zgjedhësve për qendër votimi. “Të minimizohet me objektiv zeron, numri i rekordeve të dyshuara si të dubluar. Zyrat e gjendjes civile po punojnë gjithashtu edhe për minimizimin e personave me adresë të pasaktë zgjedhore; qendër votimi ndryshe nga familja; adresë e pacaktuar e shtëpisë brenda qendrës së votimit; adresë e pautorizuar e Q. V., etj”, përfundoi ai.