Topalli: Do të bëjmë gjithçka për fuqizimin ekonomik të grave

Kryetarja e Kuvendit, takim me gra sipërmarrëse, në prag të 8 Marsit
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli zhvilloi një bashkëbisedim me gra sipërmarrëse, gra zejtare, gra të suksesshme që kanë ngritur dhe menaxhojnë biznese të vogla e të mesme më punime artistike, ferma, por edhe qendra për fëmijët me aftësi të kufizuara. Ajo dëgjoi historitë e tyre, por edhe propozimet që ato bënë për përmirësimin e legjislacionit në ndihmë të grave në biznes. Një biznesmenë, Saveri nga Kruja tregoi për sipërmarrjen e saj si inxhiniere specialiste filigrami. Ajo tha se është shumë e rëndësishme që artizanati është futur si strategji bashkë me turizmin, pasi jep mundësi jo vetëm që trashëgimia kulturore të vijojë në breza, por edhe të njihet si vlerë në të gjithë botën. Ndërsa një histori interesante ishte edhe ajo e Elidës, e cila ka hapur servisin e parë për riparimin e mjeteve motorike në Shqipëri dhe vitet e fundit, falë politikave lehtësuese fiskale ka arritur të hapë edhe tre biznese të tjera. Më pas Rajmonda nga Fieri e cila drejton një qendër ditore për fëmijët me aftësi të kufizuara tregoi sesi, përmes një pune kryesisht vullnetare, shumë nga këta fëmijë kanë arritur të integrohen edhe në shkolla publike. Ndërsa Mimoza, drejtuese e një ferme tha se ligji për heqjen e TVSH-së për makineritë prodhuese është shumë i rëndësishëm për ecurinë pozitive të fermës së saj. Në një bisedë të hapur e miqësore Kryetarja e Kuvendit diskutoi me to lidhur me lëvrimin e kredive të buta për gratë që drejtojnë biznese si dhe për krijimin e mundësive për lehtësim nga taksat për gratë që hapin biznese të reja.
...