E Shtunë, 31 Tetor 2026

Demi: Mbrojtja të drejtat e qytetarëve, të garantuara nga Shteti

07-03-2013 / Gazeta 55

Kompetencat e përgjimit, SHISH dhe prokuroria propozojnë ndryshime

Shërbimi Informativ Shtetëror dhe Prokuroria e Përgjithshme kanë pasur rezerva projekt-ligjin për kontrollin e shërbimeve inteligjente. Pasi ka depozituar një paketë propozimesh me elementët që duhet të ndryshojnë tek ligji, drejtori i SHISH-it, Visho Ajazi Lika i ka kërkuar komisionit të sigurisë të përcaktojë mirë objektin e hetimit që do të bëjnë 5 deputet tek shërbimet inteligjente në vend.
Tjetër problem sipas tij është dhe fakti që e tërë baza e përgjimeve telefonike, depozitohet në zyrën e Prokurorisë së Përgjithshme, ku SHISH nuk ka akses. “Bërthama komanduese elektronike është pajisje teknike në administrim dhe instaluar pranë zyrës së Prokurorit të Përgjithshëm, e cila lejon ose ndalon përgjimin e një pajisjeje fundore. Pra, është pranë Prokurorit të përgjithshëm dhe nuk e zotëron asnjë nga operatorët këtë lloj teknologjike teknike. Nuk është përcaktuar saktë fusha e zbatimit të ligjit që është neni 3, pika 1, duke e keqinterpretuar vetë ligjin”, theksoi në Komision, Visho Ajazi Lika.
Ndërsa Prokuroria e Përgjithshme ka shprehur rezerva për metodologjinë e hetimit që do të bëjë Kuvendi tek institucionet e inteligjencës, madje duke ndërhyrë dhe tek çështjet penale të organit të akuzës. Por sipas kryetarit të Komisionit të Sigurisë, njëherësh propozues të ligjit, Leonard Demi, Kuvendi nuk do tejkalojë kompetencat dhe as do shkelë të drejtat e njeriut. Komisioni i Sigurisë dëgjoi gjithashtu edhe opinionet e shoqërisë civile e cila u përfaqësua nga Kozara Kati. Ajo theksoi se është ngritur një grup pune që ka hartuar edhe disa propozimeve. Kati kërkoi që ligji të jetë i pakontestueshëm e t’u shërbejë të gjithë qytetarëve. 
Kryetari i Komisionit, Leonard Demi, kërkoi që të gjitha propozimet të paraqiten me shkrim dhe premtoi se do të merren në konsideratë. "Në radhë të parë për të mbrojtur të drejtat e qytetarëve, që ato të jenë të garantuara nga të gjitha institucionet e shtetit dhe ky ligj këtë ka si qëllimin kryesor", tha kryetari i Komisionit Leonard Demi.
Sipas ligjit që qëndronte në sirtarët e Kuvendit prej 3 vitesh, parashikohet ngritja e një strukture pranë komisionit të sigurisë kombëtare që do të kontrollojë të gjithë agjencitë inteligjente në vend. E përbërë nga 5 deputete dhe kryesuar nga opozita, kjo strukturë do të mbledhë të gjithë informacionin e klasifikuar.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›