Presidenti Bujar Nishani nderon me ‘Urdhrin e Flamurit’, Adem Jasharin

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani nderoi Komandantin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Jasharin (Pas vdekjes) me Urdhrin e Flamurit Kombëtar me motivacionin: “Arkitekt dhe komandant i lëvizjes mbarë popullore për çlirimin e Kosovës, i cili me shembullin e tij, deri në flijim, frymëzoi përpjekjet për liri e pavarësi të një populli të tërë”.
Në ceremoninë solemne të dekorimit të komandantit legjendar Adem Jashari, e cila u mbajt në kujtim të përvjetorit të epopesë legjendare të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ishin të pranishëm pjesëtarë të familjes Jashari, Kryeministri Sali Berisha, Ministri i Jashtëm, Edmond Panariti, Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura Shqiptare, Gjeneral Major Xhemal Gjunkshi, përfaqësues të Ambasadës së Kosovës, Nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Petrit Vasili.
“Sakrifica e Komandant Adem Jasharit, sakrifica e familjarëve të tij, por dhe e qindra çlirimtarëve të Kosovës, dhe e popullit të Kosovës, është sot simboli i qëndresës në mbrojtje të trojeve të tyre ndaj spastrimit etnik. Sakrifica sublime, përkushtimi i Adem Jasharit dhe i të gjithë shqiptarëve të Kosovës është sot simboli i qëndresës ndaj agresionit dhe gjenocidit, është sot simboli i asaj çka popujt në të gjithë botën, në tërë historinë e tyre kanë luftuar për ta fituar, lirisë”, u shpreh Presidenti Nishani.
Pas marrjes së Urdhrit të Flamurit Kombëtar, nipi i Adem Jasharit, Murat Jashari duke falënderuar Presidentin Nishani për vlerësimin e lartë u shpreh se dekorata e akorduar nuk nderon vetëm Adem Jasharin, por edhe të gjithë pjesëtarët e familjes Jashari, të gjithë të rënët për liri.