E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Edi Rama recitoi Hil Mosin,serviri Tom Doshin

 

RIDVAN DIBRA

Kryeministri Sali Berisha akuzon sërish nga Shkodra kreun e PS-së, Edi Rama, pak ditë pasi kundërshtari i tij politik i kërkoi qytetit verior votat në 28 qershor. Gjatë një takimi elektoral, kreu i qeverisë i bëri sërish thirrje Ramës që të dalë në krye të listës së kandidatëve për deputetë, duke u shprehur se ky është kushti i vetëm që i kërkon Shkodra atij. “Shkodra është e gatshme të të falë ty edhe votën që bëre në Parlament kundër ligjit të dënimit të krimeve të komunizmit. Shkodra është në gjendje të të falë ty edhe votën kundër ligjit në Parlament për kompensimin e të përndjekurve, por Shkodra ka një kusht me ty: respekto atë që dje ti citove nga Hil Mosi, oksidentalizmin e Shkodrës. Shkodra, zoti Rama, të kërkon ty të dalësh në krye të listës së deputetëve të tu, të mos u kërkosh shqiptarëve votën, kurse vetë të fshihesh prapa karriges së kryetarit të bashkisë”, u shpreh Berisha. Por për herë të parë kreu i qeverisë ka komentuar gjatë një mitingu elektoral listën e kandidatëve për deputetë të PS-së. Sipas kreut të PD-së: “Zoti Rama mos ki frikë, kërkojua, por vëre veten në krye të listës, sepse ky është detyrimi i fundit që ti mund të përmbushësh, përndryshe fundi yt është i njëjtë me të etërve të tu. Zoti Rama, ti i recitove Shkodrës, Hil Mosin dhe i servire Shkodrës, Tom Doshin. Ti recitove patër Gjergjin dhe Luigj Gurakuqin, do çosh në Parlament kryetrafikantin. Nuk ke të ardhme. Ky është paralajmërimi im serioz”. Gjatë këtij takimi kreu i ekzekutivit u ka kërkuar sërish qytetarëve që të aplikojnë për t’u pajisur me kartat e reja të identitetit si dhe për të marrë pjesë në zgjedhjet e 28 qershorit. Duke u ndalur në projektet për Shkodrën, Berisha tha se pas një jave do të inaugurohet rruga Shkodër-Hani i Hotit, ndërkohë që në javët e ardhshme do të inaugurohen edhe akset Velipojë-Ulqin, Koman- Fierzë dhe bajpasi i Shkodrës. Në të njëjtën kohë kreu i qeverisë premtoi hapjen e 160 mijë vendeve të reja pune gjatë katër viteve të ardhshme si dhe furnizimin me 24 orë ujë. “Kryefjala e Shkodrës evropiane, e Shqipërisë evropiane është dhe do mbetet punësimi juaj. Jam sot për t’u zotuar se në dy parqet e mëdha industriale të Shkodrës dhe Koplikut, se në dhjetëra e dhjetëra vepra të tjera industriale, në hidrocentralet e shumta të këtij qarku, në rrugë e autostrada, në bizneset në Shkodër e Shqipëri do punësohen 160 mijë qytetarë shqiptarë”, vijoi më tej kryeministri Berisha.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›