Velaj, fantazi artistike në rrugët e Pogradecit
Një bulevard-vepër arti, përurohet së shpejti në Pogradec. Është një projekt i krijuar nga artisti Fate Velaj, e cili e sjell Evropën edhe më pranë. “100 hapa drejt Europës” quhet ky projekt, i cili është prezantuar edhe në Bruksel, në Parlamentin Evropian. Delegacioni që çoi këtë projekt në Bruksel përbëhej nga kryetari i bashkisë së Pogradecit, Artan Shkëmbi si dhe anëtarë të tjerë të kabinetit të tij. Pjesë e delegacionit ishte dhe artisti shqiptaro-austriak Fate Velaj, kryetar i Forum Weltoffen International, me qendër në Vjenë si dhe analisti Henri Çili. Ata u pritën nga eurodeputetë nga vende të ndryshme, të cilët kishin shprehur qysh më parë interes për projektin më të ri të qytetit buzë liqenit. “Projekti ka për qëllim të paraqesë historinë e përbashkët europiane, ta vendosë atë thellë në ndërgjegjen e popullsisë, në veçanti të rinisë, dhe mbi të gjitha të paraqesë specifikat e çdo identiteti në një kuadër më të përgjithshëm pluralist, europian. Të gjithë e dimë fare mirë se shprehja e famshme e Jean Monnet se “...nëse do t’i jepej mundësia - Jean Monnet-së të ndërtonte edhe njëherë BE-në, do ta niste atë nga kultura” - akoma nuk ka gjetur jehonë. Ne menduam që një rrugë të qytetit ta kthenim në “Europa Boulevard” dhe me anën e 4 veprave të artit si dhe një 250 m “Walk of European” të shkruanim në mermer dhe të përjetësonim emrat e 100 personaliteteve më të ndritura të historisë së kontinentit, duke filluar nga kohët antike e deri në ditët e sotme”, thotë Velaj. Kështu në datën 20 qershor në bulevardin e Europës do të hapen “Portat e Europës”, një vepër monumentale arti në përmasat 4.5x4.5 m në hekur masiv, realizuar nga Fate Velaj, si simbol i themelimit të Bashkimit Evropian, në vitin 1953 nga Jean Monnet, Robert Schumman, Konrad Adenauer, Winston Churchil, De Gaperi etj., si “Montanunion për qymyr dhe hekur”, dhe i pikturuar sipas veprës “Kujtime nga e ardhmja”, por gjithashtu edhe vepra të tjera të realizuara nga artistë të njohur ndërkombëtarë.