Berisha: Edi Rama të rilexojë raportin e zgjedhjeve - bashkëpunimi është i domosdoshëm për reformat
Kryeministri i përsërit thirrjen opozitës që të rikthehet në parlament
TIRANE – Kryeministri Sali Berisha i bën edhe njëherë thirrje palës opozitare, që të heqë dorë nga bojkoti parlamentarë dhe të ulet në karriget e kuvendit. Berisha tha se 4 vitet në vijim, janë të mbushura me angazhime të mëdha politike dhe në këtë kuadër është i rëndësishëm edhe vullneti politik i opozitës. “Është rasti t’i bëj edhe një herë thirrje opozitës të zërë vendet në parlament. Në një sistem demokratik, forcat politike kanë dhe do të kenë dallime me njëra tjetrën, por ka një çështje themelore që në mbarë Evropën dhe botën demokratike është një dhe vetëm një dhe kjo është shteti ligjor. Në kuadrin e shtetit ligjor, ligjeve të vendit, ne, absolutisht, jemi të gatshëm të pranojmë çdo kërkesë të opozitës për çdo problem që ajo ta gjykojë se është në interesin e saj dhe të vendit, por kërkesa që bien ndesh me ligjet, që bien ndesh me parimet themelore të ndarjes së pushteteve, nuk duhet të mendohen as nga pozita, as edhe nga opozita”, tha Berisha.
Berisha i kujtoi kryesocialistit në detyrë Edi Rama, që të lexojë dhe rilexojë raportin e ndërkombëtarëve, për zgjedhjet në Shqipëri, të cilat u vlerësuan si më të mirat e zhvilluara ndonjëherë. “Shpresoj që të gjitha thirrjet, vlerësimet që iu bënë këtyre zgjedhjeve, të cilat, në fund të fundit, janë interesi më i mirë dhe më jetik i çdo shqiptari, të lexohen dhe të rilexohen nga anëtarët e opozitës, nga Edi Rama dhe ata të kthehen dhe të vazhdojnë bashkëpunimin në parlament për reformat e mëdha, për përgatitjen e vendit, për të vazhduar më tej për të adresuar të gjitha rekomandimet e OSBE/ODIHR-it, në të cilat unë sot dhe sa të jemi në pushtet do t’i jap zë kryesor opozitës, sikundër kemi vepruar deri më sot”, u shpreh kryeministri Berisha.