“Franca do të përkrahë përpjekjet tuaja për t’u integruar në BE”
Ministri i Jashtëm francez, Kushner, uron kryeministrin Berisha dhe njofton për të vizituar Shqipërinë në vjeshtë
TIRANE – Ministri i Jashtëm francez Bernard Kushner uron kryeministrin Berisha për rimandatimin e tij në krye të qeverisë shqiptare. “Bashkëqytetarët tuaj e rinovuan besimin e tyre tek ju, në mënyrë që ju të vazhdoni ta çoni Shqipërinë përpara në rrugën e saj drejt Evropës. E njoh vendosmërinë tuaj për të vijuar reformat e domosdoshme për këtë. Unë dua t’ju siguroj se Franca do t’ju përkrahë dhe do të mbështesë plotësisht përpjekjet tuaja për t’u integruar në Bashkimin Evropian. Ashtu siç dhe jeni në dijeni, unë jam i përkushtuar për vijimin dhe thellimin e marrëdhënieve miqësore dhe bashkëpunimit midis dy vendeve tona”, thuhet në mesazhin e urimit të Kushner.
Shefi i diplomacisë franceze, Kushner, e cilëson si një kënaqësi, t’i përcjellë, kryeministrit Berisha, në emër të autoriteteve franceze, urimet më të sinqerta dhe të përzemërta, me rastin e rimandatimit në krye të qeverisë së Republikës së Shqipërisë. “Unë ju kam njoftuar, që në takimit tonë të fundit në 24 prill, për planin tim për të shoqëruar në Tiranë një delegacion industrialistësh francezë, të cilët kanë dëshirë të studiojnë të gjitha mundësitë e investimeve në vendin tuaj. Ky udhëtim është parashikuar të bëhet gjatë vjeshtës”, garantoi Kushner