Deklaron Ministri i Jashtëm Ilir Meta/“Objektivi parësor i politikës së jashtme, liberalizimi i vizave”
Zv/kryeministri Ilir Meta zëvendëson në këtë dikaster ish-ministrin Lulzim Basha, të cilin e vlerësoi si politikanin me performancën më të shkëlqyer në krye të diplomacisë shqiptare. Nga dita e djeshme, zoti Basha do të jetë në krye të Ministrisë së Brendshme, një diktaster që ka një pjesë të rëndësishme të reformave që do ta afrojnë vendin me Perëndimin
TIRANE - Menjëherë pas betimit në Presidencë dhe mbledhjes së parë të kabinetit të ri qeveritar, ministrat janë paraqitur në vendet e reja të punës. Pas dekretimit të kabinetit qeveritar nga presidenti Bamir Topi, ish ministri i Jashtëm, Lulzim Basha i ka dorëzuar detyrën kreut të LSI, Ilir Meta i cili do të jetë në krye të shërbimit të jashtëm.
Në fillim, Lulzim Basha, ish-Ministër i Jashtëm dhe aktualisht Ministër i Brendshëm, pasi falënderoi stafin e shërbimit të jashtëm për bashkëpunimin dhe punën e kryer gjatë kohës që ai ishte ministër, shprehu kënaqësinë e tij që në krye të diplomacisë shqiptare vjen një politikan me përvojë nga më të gjatat dhe që ka mbajtur postin e Kryeministrit si dhe të Zëvendëskryeministrit e të Ministrit të Jashtëm. Ai u shpreh se, “kam bindjen se shërbimi i jashtëm, me lidershipin e Meta do të plotësojë shumë mirë synimet dhe mandatin e politikës së jashtme të Qeverisë së Integrimit”.
Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Jashtëm Ilir Meta tha se “shpreh kënaqësinë që ritakohem me stafin e shërbimit të jashtëm”. “Shërbimi i jashtëm do t’i realizojë me sukses objektivat e politikës së jashtme”, garantoi Meta.
Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Jashtëm, Ilir Meta, shprehu kënaqësinë që në postin e tij po zëvendëson një politikan si Lulzim Basha, i cili ka pasur një performancë të shkëlqyer në krye të diplomacisë shqiptare. Ai po kështu u shpreh se me Bashën do të ketë një bashkëpunim institucional shumë të frytshëm edhe në ditët që do të vijnë, sepse çështjet e integrimit dhe të arritjes së standardeve për liberalizimin e vizave e kërkojnë këtë. Ilir Meta shprehu bindjen e tij se politika e jashtme do të vazhdojë në po ato linja shumë të qarta, për të cilat edhe ka marrë vlerësime maksimale nga komuniteti ndërkombëtar si faktor i rëndësishëm i paqes, mirëkuptimit dhe bashkëpunimit në rajon.
“Para se të largohesha, 6 vjet më parë nga ky dikaster, unë në emër të Qeverisë shqiptare, nënshkrova Kartën e Adriatikut. Tani ne jemi vend anëtar i NATO-s dhe kjo është domethënëse dhe flet qartë për vazhdimësi dhe përkushtim ndaj integrimit evropian dhe euroatlantik”, theksoi Meta.
Në përfundim Meta tha se do të bashkëpunojë pa paragjykime me personelin e shërbimit të jashtëm dhe se në vlerësimet e tij për gjithsecilin do të bazohet në ligjin e shërbimit të jashtëm, në profesionalizmin dhe vlerësimin e pasionit për përfaqësim me dinjitet nga diplomatët tanë këtu dhe jashtë vendit.
Meta, gjithashtu garantoi se si Ministër i Jashtëm, ai do të punojë për të liberalizuar vizat për në BE. Ne kemi besim se do të liberalizojmë vizat në BE.
“Pa diskutim që kjo do të ndodhë shpejt”, premtoi ai.