E Diel, 1 Nëntor 2026

“Eksperienca juaj përbën garanci për afrimin e Shqipërisë me BE”

Ministri i Jashtëm italian Franko Fratini uron shefin e diplomacisë shqiptare, Ilir Meta, për detyrën e re

TIRANE – Ministri i Jashtëm italian Franko Fratini i përcjell një mesazh urimi homologut të tij shqiptar, Ilir Meta, me rastin e fillimit të detyrës së re. Fratini nënvizon perspektivën e Shqipërisë në kuadër të integrimit në BE dhe shprehet i sigurt se Qeveria e Tiranës do të dijë t’i përmbushë reformat, kjo edhe në sajë të mbështetjes që do të japë vendi fqinj Italia. Fratini vlerëson eksperiencën diplomatike të Ilir Metës dhe shprehet i sigurt për kontributin e madh që do të japë në integrimin e Shqipërisë në familjen evropiane. “Me rastin e emërimit Tuaj si Ministër i Punëve të Jashtme të Republikës së Shqipërisë, dëshiroj t’ju përcjell urimet e mia më të përzemërta.
Qeveria e re shqiptare ndodhet përballë perspektivave të një rëndësie të madhe dhe nga pala italiane nuk do të mungojë mbështetja për realizimin e tyre: I referohem në veçanti përmbushjes se integrimit evropian. Kjo, edhe në vijimësi të aderimit së fundmi të Shqipërisë në NATO, sanksionuar nga Samiti Atlantik i Strasburg/Kehlit, në prillin e kaluar, për të cilin vendi ynë ka qenë fuqimisht i angazhuar”, thuhet në mesazhin e Fratinit.
Ai vlerëson se “Shqipëria, ashtu siç pata mundësinë të nënvizoj edhe gjatë vizitës sime më 27 Tetor 2008, ka bërë hapa domethënës, dhe shpesh here jo të lehta, në rrugën e përafrimit me institucionet euro-atlantike, një udhë kjo që duhet të përshkohet me të njëjtën vendosmëri edhe në hapat e fundit dhe të gjata, për të cilat Qeveria e Tiranës mund të vazhdojë të mbështetet në miqësinë dhe përkrahjen e Italisë”. “Në këtë frymë, eksperienca Juaj e kaluar përbën një garanci solide”, vlerëson më tej, shefi i diplomacisë italiane, Franko Fratini.
Në planin dypalësh, thotë ai, Roma dhe Tirana janë të lidhura nga një bashkëpunim i shkëlqyer që gjen rrënjët e saj të qëndrueshme në thellësinë e ndjenjave miqësore që lidhin dy popujt tanë.
“Një marrëdhënie dypalëshe që dëshirojmë të vijojmë, thellojmë dhe zgjerojmë, edhe në këndvështrimin e bashkëpunimit rajonal, ku dy vendet tona janë të rreshtuara në vijën e parë. Me dëshirën e një takimi të afërt me Ju, lutem pranoni, Zoti Ministër, shprehjen e konsideratës sime më të lartë”, përfundon telegrami i urimit i ministrit të Jashtëm italian Fratini, drejtuar homologut të tij shqiptar, Ilir Meta.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›