E Diel, 1 Nëntor 2026

Olli Rehn uron Berishën, kërkon që opozita t’i kthehet dialogut në Parlament

Komisioneri për Zgjerimin në BE Olli Rehn ka uruar Kryeministrin Berisha për riemërimin si Kryeministër i Shqipërisë dhe ka ftuar opozitën të zërë vendin e saj në parlament. Edhe misioni i SHBA-së në OSBE ka përshëndetur mbajtjen e zgjedhjeve, sipas standardeve ndërkombëtare


Komisioneri për Zgjerimin në Bashkimin Europian, z.Olli Rehn, uron Kryeministrin Berisha për riemërimin e Tij si Kryeministër i Shqipërisë dhe për miratimin e Qeverisë së re. Në këtë mesazh zoti Rehn shprehet: "Shkëlqesia Juaj, Dëshiroj t’Ju uroj për rizgjedhjen tuaj si Kryeministër i Republikës së Shqipërisë. Shqipëria ka treguar gatishmërinë e saj për ecjen përpara drejt rrugës së Integrimit Europian. Marrëveshja e Stabilizim - Asociimit ka hyrë në fuqi dhe po zbatohet mirë. Ju keni aplikuar për anëtarësim në BE. Gjithashtu, progres i mirë është arritur në plotësimin e standardeve për liberalizimin e vizave, por nevojiten përpjekje të mëtejshme. Komisioni mbetet i angazhuar për të mbështetur Shqipërinë në rrugën e saj drejt Bashkimit Europian.


Tani që zgjedhjet u përmbyllën, në përputhje më pjesën më të madhe të angazhimeve të OSBE-së, përpara keni sfida të rëndësishme, në mënyrë që të përparohet me axhendën e reformave. Parlamenti dhe Kryeministri kanë një rol thelbësor në këtë kontekst. Ju inkurajoj Ju, i dashur z.Kryeministër, si edhe qeverinë tuaj të re, të punoni së bashku me opozitën në parlament, në çuarjen përpara të axhendës së reformave europiane. Shpresoj që të gjithë liderët politikë të sigurojnë zhvillimin e një dialogu politik konstruktiv, në mbështetje të këtyre reformave. Pres që ky dialog i rivendosur të reflektohet në zgjedhjet e ardhshme, në përputhje me rekomandimet e OSBE-së.


I takon Shqipërisë të tregojë aftësinë e saj në kalimin në fazën tjetër të integrimit në BE, në veçanti duke përmirësuar shtetin ligjor dhe fuqizimin e institucioneve demokratike. Sigurimi i pavarësisë së gjyqësorit, rritja e aftësisë administrative dhe vazhdimi i implementimit të mirë të Marrëveshjes së Stabilizim - Asociimit, janë elementë të rëndësishëm për arritjen e qëllimit tonë të përbashkët, afrimin e Shqipërisë me Europën.


Ju uroj sukses në përballjen me sfidat e ardhshme dhe punën drejt të ardhmes Europiane të Shqipërisë.


Juaji Sinqerisht, Olli Rehn


Edhe Misioni i SHBA në OSBE përshëndet qytetarët dhe qeverinë shqiptare për zgjedhjet parlamentare në Shqipëri


Misioni i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në OSBE, përmes një deklarate të Përfaqësueses së tij në Këshillin e Përhershëm të OSBE-së, në Vjenë, znj. Carol Fuller, ka përshëndetur qytetarët dhe qeverinë shqiptare për zgjedhjet parlamentare në Shqipëri.  Në këtë deklaratë shkruhet:  “Shtetet e Bashkuara përshëndesin qytetarët dhe qeverinë shqiptare për zgjedhjet parlamentare të mbajtura më 28 qershor 2009. Qeveria e Shqipërisë ka meritë për progresin e mirëfilltë në shumë fronte në këto zgjedhje dhe qytetarët e Shqipërisë meritojnë lavdërime për pjesëmarrjen në numër të madh në votim dhe për zhvillimin paqësor dhe me rregull të zgjedhjeve. Rezultati i votës përfaqëson qartë vullnetin e popullit shqiptar. Raporti përfundimtar i OSBE/ODIHR-it vuri re se zgjedhjet, ndërkohë që nuk shfrytëzuan potencialin e plotë të Shqipërisë, megjithatë arritën shumicën e angazhimeve të OSBE-së dhe demonstruan përmirësime thelbësore në procesin e regjistrimit të zgjedhësve, kornizën ligjore, në votim, numërim e votave dhe gjykimin e ankesave paszgjedhore. Qeveria e Shqipërisë ka bërë një punë të besueshme në zhvillimin e instrumenteve të nevojshme për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Dispozitat e Kodit të ri Zgjedhor të miratuar në fund të vitit 2008, patën vlerë në reformimin e procesit zgjedhor. Nxjerrja e listave të zgjedhësve nga Regjistri Kombëtar i Gjendjes Civile ishte gjithashtu një zhvillim domethënës dhe pozitiv. Gjithashtu duhen lavdëruar përpjekjet e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për të përgatitur dhe administruar zgjedhjet me profesionalizëm dhe transparencë. Megjithatë, disa prej këtyre përmirësimeve nuk rezultuan plotësisht në një klimë të përmirësuar besimi, që patën si synim të çonin përpara. Kjo qe veçanërisht e vërtetë në fushën e njëanshmërisë së medias dhe politizimin e aspekteve të votimit. Politizimi i aspekteve teknike të procesit, përfshirë gjatë procesit të numërimit të votave dhe nxjerrjes së rezultatit, si dhe shkelje të vëzhguara gjatë fushatës, minuan besimin publik në procesin zgjedhor. Ne jemi dakord me ODIHR-in se zhvillimi i zgjedhjeve demokratike varet shumë në angazhimin e të gjitha partive politike për të respektuar germën dhe qëllimin e ligjit. Ne kemi besim se Qeveria dhe populli i Shqipërisë do të studiojnë me kujdes rekomandimet e gjithanshme të dhëna nga ODIHR-i në Raportin e tij Përfundimtar dhe do të promovojnë ndryshimet e nevojshme për Shqipërinë për të realizuar potencialin e saj për të arritur standardet më të larta për zgjedhje demokratike. Në përfundim, ne do të donim edhe një herë të përshëndesnim OSBE-në, përfshirë ODIHR-in dhe Asamblenë Parlamentare, mbi një mision tjetër vëzhgimi zgjedhjesh të mirëmenaxhuar.”

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›