“Progresi i zgjedhjeve, meritë e qeverisë, rezultati i votës përfaqëson vullnetin e popullit”
Misioni i SHBA në OSBE përshëndet qytetarët dhe qeverinë shqiptare për zgjedhjet parlamentare në Shqipëri
TIRANE – Qeveria e Shqipërisë ka meritë për progresin e mirëfilltë në shumë fronte në këto zgjedhje dhe qytetarët e Shqipërisë meritojnë lavdërime për pjesëmarrjen në numër të madh në votim dhe për zhvillimin paqësor dhe me rregull të zgjedhjeve. Ky është vlerësimi që jepin Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nëpërmjet përfaqësueses së Misionit të SHBA-ve në OSBE, në Vjenë, Carol Fuller, referuar procesit elektoral që kaloi Shqipëria.
Misioni i SHBA-ve, evidenton qartë se rezultati i votës përfaqëson qartë vullnetin e popullit shqiptar.
“Shtetet e Bashkuara përshëndesin qytetarët dhe qeverinë shqiptare për zgjedhjet parlamentare të mbajtura më 28 qershor 2009. Qeveria e Shqipërisë ka meritë për progresin e mirëfilltë në shumë fronte në këto zgjedhje dhe qytetarët e Shqipërisë meritojnë lavdërime për pjesëmarrjen në numër të madh në votim dhe për zhvillimin paqësor dhe me rregull të zgjedhjeve. Rezultati i votës përfaqëson qartë vullnetin e popullit shqiptar”, vlerëson Carol Fuller.
Raporti përfundimtar i OSBE/ODIHR-it vuri re se zgjedhjet, ndërkohë që nuk shfrytëzuan potencialin e plotë të Shqipërisë, megjithatë arritën shumicën e angazhimeve të OSBE-së dhe demonstruan përmirësime thelbësore në procesin e regjistrimit të zgjedhësve, kornizën ligjore, në votim, numërim e votave dhe gjykimin e ankesave paszgjedhore.
“Qeveria e Shqipërisë ka bërë një punë të besueshme në zhvillimin e instrumenteve të nevojshme për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Dispozitat e Kodit të ri Zgjedhor të miratuar në fund të vitit 2008, patën vlerë në reformimin e procesit zgjedhor. Nxjerrja e listave të zgjedhësve nga Regjistri Kombëtar i Gjendjes Civile ishte gjithashtu një zhvillim domethënës dhe pozitiv. Gjithashtu duhen lavdëruar përpjekjet e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për të përgatitur dhe administruar zgjedhjet me profesionalizëm dhe transparencë”, evidenton përfaqësuesja e Misionit të SHBA-ve në OSBE, Carol Fuller.
Ajo shprehet më tej se “ne kemi besim se Qeveria dhe populli i Shqipërisë do të studiojnë me kujdes rekomandimet e gjithanshme të dhëna nga ODIHR-i në Raportin e tij Përfundimtar dhe do të promovojnë ndryshimet e nevojshme për Shqipërinë për të realizuar potencialin e saj për të arritur standardet më të larta për zgjedhje demokratike”.
Në përfundim, përfaqësuesja e Misionit të SHBA-ve në OSBE, Carol Fuller, përshëndeti OSBE-në, përfshirë ODIHR-in dhe Asamblenë Parlamentare, mbi një mision tjetër vëzhgimi zgjedhjesh të mirëmenaxhuar.