Berisha: Edi Rama t’i kërkojë ndjesë elitës intelektuale për epitetet përdhosëse që lëshoi ndaj saj
Kryeministri Sali Berisha i kërkoi dje Edi Ramës të ndalë fushatën e epiteteve ndaj intelektualëve dhe i bëri thirrje që të kërkojë ndjesë për akuzat e hedhura.
Gjatë fjalës së tij para deputetëve demokratë në mbledhjen e përjavshme të grupit parlamentar, Berisha tha se kryesocialisti ka iniciuar një fushatë dhunimi kundër elitës së kombit, njerëzve të shquar, të cilët mbartin më shumë se kush do ndjenjën e atdhetarisë dhe patriotizmit. “Në mënyrë të veçantë, dua t’i drejtohem kryetarit të Partisë Socialiste dhe kryetarit të Bashkisë së Tiranës z. Edi Rama që të kërkojë ndjesë publike ndaj elitës së kombit për vlerësimet dhe etiketimet e tij, ndoshta në momente dëshpërimi dhe uroj që të kenë qenë në momente dëshpërimi, ndaj intelektualëve më të shquar të vendit duke i cilësuar ata me epitete jashtëzakonisht të padenja, duke i cilësuar ahengxhinj, sazexhinj, çingie. Pra duke përdorur fjalë kazani, siç thotë Faik Konica. Këto fjalë janë të palejueshme në asnjë rast dhe në asnjë rrethanë, për asnjë qytetar shqiptar ndaj elitave të kombit”- u shpreh kryeministri Berisha.
Kreu i qeverisë tha se “as unë apo zoti Rama nuk e bëjmë dhe as nuk e zhbëjmë dot elitën”. “Askush nuk mbart më shumë se ata dhe më të pa prekura se ata ndjenjat e atdhetarisë dhe patriotizmit. Ata janë patriotë. Si mund të pranojnë ata një gjë të tillë? Ndaj do të ishte në nderin tënd të kërkoje falje”, tha Berisha.
Kryeministri theksoi se elita intelektuale është pasuria më kryesore kombëtare, duke theksuar se identitetin e kombit e ndërtojnë vetëm ata, intelektualët. “Ajo mbart të gjitha visaret më të çmuara të kombit. Elita e kulturës dhe artit ka privilegjin dhe avantazhin e madh të jetë kujdestarja, arkitektja, gardiania, por edhe ndërtuesja e më kryesores që ka një popull, identitetit të tij. Kombi nuk ka asgjë më jetike për të qenë i tillë sa çka identitetin. Identitetin e kombit nuk e ndërtojnë politikanët, nuk e bëjnë dot as ndërtuesit, nuk e ndërtojnë dot as biznesmenët, as kompanitë multinacionale, identitetin e kombit e ndërtojnë, e kurojnë dhe e zhvillojnë njerëzit e kulturës dhe të artit. Kjo është e vërteta! Të shpallësh çingie apo sazexhinj gjenitë e letrave shqiptare që kanë pushtuar hapësirat e botës, të muzikës, të pikturës, të skulpturës, të këngës, vetëm e vetëm se morën guximin të të drejtohen njëherë në dis aprovim të plotë të asaj që ti bën, jo vetëm lëndon çdo qytetar të këtij vendi, por ti në një mënyrë apo në një tjetër ngrihesh absolutisht kundër qenies së kësaj shoqërie dhe këtij kombi. Edhe ne politikanët kemi elitën tonë, misionin tonë, por nuk duhet të harrojmë se elita tjetër apo elita të tjera në tërësinë e tyre, shumë herë më tepër se politikanët, janë të ndërtuara mbi bazën e shkëlqimit dhe ekselencës. Në art, në kulturë, në shkencë, në performancën, në talentin, në gjeninë e tyre krijuese dhe kudo është suksesi i tyre që i bën të ngjisin shkallët e elitarizmit”- deklaroi shefi i ekzekutivit.
Berisha tha se kur elita ngre kauzën qeveria apo politika nuk duhet të refuzojë. “Një kauzë e elitës është e parefuzueshme. I pavdekshmi Fulbright thotë: Kur elita ngre çështjen, qeveria nuk mund të refuzojë! Një kauzë e elitës është kauzë e pa refuzueshme, na pëlqen apo nuk na pëlqen ne. Mbi ç’bazë i lejon vetes ti fyesh? Unë shpresoj të jetë dëshpërimi, sepse ka edhe mekanizma të tjerë. Elita sulmohet në të gjitha ato raste kur tjetri mendon se injoranca e tij vlen më shumë se vlerat dhe dija e tyre. Kjo është fatale. Kur sulmohet elita? Elita sulmohet vetëm mbi baza klasore totalitare, mbi bazat e proletkultasit që ta fshijmë këtë dhe të krijojmë kulturën e proletariatit. Ishte doktrinë e dështuar. Kur sulmohet elita? Kur ti verbërisht beson se me populizëm mund të mposhtësh vlerat që ajo mbart. Nuk po kërkoj idealizimin, por ti nuk mund të thuash me përçmim ahengxhinj për ata të cilët po rrezatojnë shpirtin dhe identitetin e kombit në mbarë botën. Nuk mund të thuash sazexhinj për ata që debutojnë në skenat më serioze të Evropës dhe botës. Nuk mund të sulmosh ata që përfaqësojnë sot elitën e letrave, e arteve pamore dhe shkencave. Kjo është akoma më fatale kur ti vetë ke një background artistik. Ai background artistik duhet të të kishe mbrujtur ty me respektin më të thellë për elitën, por druaj se të ka shërbyer për të kundërtën. Druaj se dështimet e tua personale në këtë fushë të kanë bërë ty të urresh sukseset në këto fusha. Nga ana tjetër, druaj se një motiv mund të jetë edhe background-i i abortarizmit tënd artistik. Por se cili është e gjen vet ti”, u shpreh më tej kryeministri Sali Berisha.
Kreu i qeverisë falenderoi të gjithë intelektualët për mbështetjen, ndërsa garantoi mbrojtjen e tyre ndaj sulmeve totalitare të Edi Ramës dhe ndjekësve të tij opozitarë. “Dua tu shpreh mirënjohjen time më të thellë, falënderimin tim më të përzemërt, atyre qindra e qindra intelektualëve shqiptarë të të gjitha fushave, të cilët me përgjegjësinë më të lartë qytetare dhe intelektuale mbështetën e mbështesin procesin e integrimit të vendit; si dhe kontribuojnë në mënyrë thelbësore në projektin evropian të Shqipërisë”.
Berisha, Ramës: Kampingun në bulevard mbaje sa të duash/Kreu i qeverisë Sali Berisha u shpreh edhe njëherë se do të garantojë çdo protestë paqësore të opozitës, madje shtoi se kampingu i çadrave përballë kryeministrisë, mund të qëndrojë aty sa të dojë. Berisha vuri në dukje se ata mund të ishin larguar aty për më pak se 15 minuta, duke qenë se janë në shkelje me ligjin dhe për arsye sigurie, por u zgjodh tolerimi dhe respekti për protestën. “Atë kampingun mbaje sa të duash. Unë e kam bërë zgjedhjen time: respekt të plotë! Unë, edhe një herë do t’ua them shqiptarëve, në qoftë se do të kisha dashur, brenda 15 minutave, për arsye sigurie, largohej nga aty ku është. Por meqenëse kishte diçka personale, meqenëse ishin para derës së ndërtesës ku unë punoja, unë preferova të qendroja strikt për arsye personale. I jap përparësi të drejtës së protestës para çështjes së sigurisë. Këtë nuk do ta bëj në asnjë rast tjetër për qytetarët e tjerë. Në mënyrë absolute e para do të jetë çështja e sigurisë. Por në këtë rast doja t’ju jap një shembull, pavarësisht se jam Kryeministër, pavarësisht se 3 metra larg ke vendosur çadrat, fletët e të cilave si ngre, si hap kurrë. E keni parë ju që nuk ngrihet fleta. Maksimumi që penetrojnë janë gazetarët e grevës. Ju që jeni këtu nuk keni fletëhyrje për aty, sepse po erdhët tek unë shiheni me dyshim”, u shpreh kryeministri Sali Berisha, gjatë takimit të përjavshëm me deputetët e Partisë Demokratike.