“Zgjedhjet, më të ndershmet e zhvilluara ndonjëherë - shteti ligjor garantoi sigurinë e procesit”
Kryeministri Berisha paralajmëron: Ligji do veprojë mbi çdo dhunues të shtetit ligjor
“çdo përpjekje për të imponuar me cilindo mjet apo forcë qoftë, dhunimin e shtetit ligjor, do të marrë përgjigjen ligjore, nga kushdo dhe cilido”.
Kështu u shpreh dje kryeministri Sali Berisha, duke iu referuar tendencës së opozitës për të prodhuar dhunë ndaj institucioneve të ligjit dhe daljen mbi shtetin ligjor.
Këto komente kreu i qeverisë i bëri nga Durrësi, pas inaugurimit të Qendrës së Përbashkët të Kontrollit të Hapësirës Detare, pranë Komandës së Flotës, një kusht ky themelor i ndërkombëtarëve, si për për luftën kundër kriminalitetit dhe trafiqeve, konsolidimin e shtetit ligjor, por edhe për liberalizimin e vizave. Duke iu referuar situatës politike në vend dhe kërcënimeve të opozitës për destabilizim dhe shkelje të rendit ligjor, shefi i ekzekutivit garanton shqiptarët se askush nuk do të guxojë të cenojë të drejtat dhe liritë themelore të tyre. “Ne zotohemi se do bëjmë çdo gjë për konsolidimin e ligjit, për zbatimin e ligjit, si kusht i të gjitha kushteve, që qytetarët shqiptarë të gëzojnë liritë dhe të drejtat e tyre. Nuk ka dhe nuk mund të ketë shoqëri të lirë, pa shtet ligjor dhe funksionim të tij. Ndaj dhe ne zotohemi se do të bëjmë çdo gjë për konsolidimin e ligjit, për zbatimin e ligjit, si kusht i të gjitha kushteve, që qytetarët shqiptarë të gëzojnë liritë dhe të drejtat e tyre. çdo përpjekje për të imponuar me cilindo mjet apo forcë qoftë, dhunimin e shtetit ligjor, do të marrë përgjigjen ligjore, nga kushdo dhe cilido”- u shpreh kreu i qeverisë Berisha.
Shefi i ekzekutivit tha se respektimi i shtetit ligjor, bëri që Shqipëria të zhvillojë zgjedhjet më të mirë në histori, në përputhje me standardet më të larta të institucioneve të Bashkimit Evropian.
“Qëndrimi jonë ndaj shtetit ligjor bëri që zgjedhjet të ishin të lira dhe të ndershme.
Ka qenë kjo përgjigje që ju, i keni dhënë në mënyrën më të vendosur bandave edhe falangave të krimit, ajo që ka bërë dhe bën Shqipërinë një vend të sigurt; ka qenë kjo përpjekje ajo që bëri të mundur zhvillimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme; ka qenë kjo përpjekje dhe ky qëndrim i yni ndaj shtetit ligjor, ai që bëri të mundur vendimin e 27 ministrave të Bashkimit Evropian për të hapur dyert për Shqipërinë, për vend kandidat dhe anëtar të plotë; është kjo përpjekje që bëri të mundur që Komisionin Evropian t’i sjellë pyetësorin qeverisë shqiptare në dhjetor dhe ta pranojë nga autoritet shqiptare në prill; është kjo përpjekje e cila bën të sigurt rrugën tonë drejt integrimit të plotë në Bashkimin Evropian” - deklaroi më tej, kryeministri Berisha.