Bamir Topi, edhe Kosovës ia ka me hile
Në përfundim të misionit të papërmbushur të kryetarit të shtetit, Bamir Topi u shfaq si struci i politikës, duke e pëlqyer çka shkruhej nëpër gazeta lidhur me mungesën e ftesës për 17 shkurtin e Kosovës. Ai i qendroi 4 vjet kësaj sjelljeje shqiptare dhe duhet të paraqesë kartelën e vizitës së mjekut për gjendjen virale, para se të besohet se ai s’ia pat sërish me hile shtetit të Kosovës
17 shkurti, është padyshim një ndër datat më e rëndësishme të kombit, pas 28 nëntorit të 1912 (shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë), por e tillë s’ka rezultuar për kreun e shtetit shqiptar, Bamir Topi dhe lidershipin e opozitës, Edi Rama. Në të gjitha ceremonitë e organizuara për 4-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës, Topi dhe Rama zbatuan me përpikmëri “braktisjen kremtimeve”, sipas marrëveshjes së pashkruar midis tyre, thjesht e vetëm që të ndiznin një konflikt të pritshëm lidhur me pretendimet që rrodhën më pas se, “Topi dhe Rama s’u ftuan nga Ministria e Punëve të Jashtme e Shqipërisë, në ceremoninë e inaugurimit të ambasadës së Kosovës në Tiranë”. Çka rezultoi një falsitet i rëndomtë dhe bllofi më i madh i “dy kolegëve të ngjarjeve të bulevardit”. Pas më shumë se katër ditë përplasjeje, kryesisht nëpërmjet deklaratash me media dhe citime zëdhënësish, Presidenti Bamir Topi e pranon për herë të parë publikisht nëpërmjet një deklarate zyrtare se ai ka marrë ftesë zyrtare nga ambasada e Kosovës në Tiranë, për të dy aktivitetet e organizuara nga kjo ambasadë, si për përurimin e ambasadës, ashtu dhe për pritjen në Sheraton, duke i dhënë kështu fund një mashtrimi që e përhapi vetë. Në deklaratën e Presidencës thuhej ndër të tjera se shkak ishte bërë gjendja virale. Në fakt, kjo deklaratë duhej bërë disa ditë më parë, ditën kur një pjesë e shtypit e kontrolluar nga Topi dhe Rama, hodhi fillimisht tezën se ishte shteti shqiptar ai që nuk e kishte ftuar Topin në ceremoni, për të vazhduar më pas me trillimin e dytë se presidenti Topi ishte ftuar vetëm në mbrëmjen e Sheraton dhe jo në inaugurimin e ambasadës. Për katër ditë me radhë, edhe pse presidenti Topi e dinte që të dy ftesat respektive kishin mbërritur dhe ishin firmosur nga protokolli i tij, edhe përfaqësues të ambasadës së Kosovës deklaruan disa herë në media se Topi ishte i ftuar në të dy aktivitetet, presidenti vazhdoi me ndërgjegje të plotë të nxisë në shtypin e kontrolluar nga ai vetë nëpërmjet deklaratash jo zyrtare zëdhënësish, këtë konflikt të paprecedentë, midis një presidence dhe një ambasade, që përveç flamurit të vetë zyrtar, mban edhe flamurin kombëtar shqiptar. Ambasada e Kosovës, edhe pse ishte shprehur disa herë se e kishte ftuar Topin në të dy aktivitetet, e ruajti etikën, duke mos e bërë publike protokollin e saj, ku ishte firma e shefit të Protokollit të Presidencës, për të dy ftesat e marra, duke u kujdesur në të njëjtën kohë, edhe për reputacionin e përbaltur të kreut të saj. Nga ana tjetër presidenti Topi e cenoi rëndë dinjitetin dhe reputacionin e institucioneve të Kosovës, duke e zgjatur për ditë me radhë dhe duke e thelluar këtë mashtrim, duke dashur të përdorë në mënyrë amorale si kobure xhepi, ambasadën e Republikës së Kosovës në Tiranë, kundra shtetit shqiptar. Ndërkohë, mediat e shkruara dhe elektronike, dispononin protokollin e firmosur nga Presidenca shqiptare me të dy ftesat respektive për Topin, pavarësisht se nuk u bënë publike, jo thjesht për arsye etike, po për t’i dhënë mundësi Presidentit të Republikës, që mashtrimin që hodhi në treg vetë, ta mbyllë po vetë. Jo vetëm për t’i dhënë mundësi shqiptarëve të kuptojnë se si funksionojnë një pjesë e medias shqiptare, por mbi të gjitha, për t’i dhënë mundësi qoftë dhe për katër ditë, shqiptarëve si andej dhe këndej kufirit, të njohin një shqiptar që është gati të përdhosë institucionet e kombit, vetëm e vetëm për të fituar disa pikë të pamerituara politike më shumë. Ky është Bamir Topi, i cili jo më larg se më 18 shkurt, pasi ishte konsultuar gjerë e gjatë me kreun e opozitës, Edi Rama, hodhi në llumin e shpifjes mediatike, lajmin se s’ishte ftuar në ceremoninë e inaugurimit të Ambasadës së Kosovës në Tiranë. Pavarësisht të gjithave, ajo që është e rëndësishme dhe që kërkon vëmendje, është korrektësia e dy institucioneve të akuzuar padrejtësisht si “sabotatorë të ftesave të Ramës dhe Topi”, Ambasada e Kosovës dhe Ministria e Punëve të Jashtme e Shqipërisë, të cilat edhe i dhanë përgjigjen e duhur shpifjes së ulët të dy eksponentëve.