Edvini ktheu bijtë e Bllokut, duke iu premtuar pushtetin që humbën etërit
Në përvjetorin e 21-të të rrëzimit të bustit të diktatorit, Kryeministri Sali Berisha stigmatizoi politikën e opozitës, e cila është përqendruar tek rikthimi në krye të saj i bijve të Bllokut, duke iu premtuar majën që humbën etërit. Shefi i Ekzekutivit i bëri apel Edi Ramës të çlirohet nga mentaliteti i kthimit të së shkuarës, pasi kjo do sillte rikthimin e diktaturës komuniste
Berisha: Opozita po synon revizionimin e Adolf Hitlerit dhe ngritjen në piedestal të Enver Hoxhës
Në 21 vjetorin e rrëzimit të bustit të diktatorit Enver Hoxha, kryeministri Sali Berisha tha se ende edhe sot kulti i regjimit ruhet nga kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama.
Gjatë mbledhjes së grupit parlamentar demokrat, Berisha tha se Rama riktheu bijtë e bllokut në krye të PS-së. Ndërsa, sikundër u shpreh kreu i qeverisë, 20 shkurti duhet të jetë një ditë reflektimi për të gjithë.
“Sot është dita e ngadhënjimit të shqiptarëve, e triumfit të qytetarëve më të shtypur në historinë e Europës, mbi diktaturën më çnjerëzore që kontinenti ka njohur në tërë historinë e tij, diktaturën hoxhiste. 20 shkurti do të mbetet në historinë e këtij vendi dhe të këtij kombi ngjarja më kulmore, beteja më e madhe, legjenda e trimërisë së studentëve dhe qytetarëve të Tiranës, të cilët 21 vite më parë u përballën në një beteje epike, pa marrë parasysh asgjë dhe ia dolën të përmbysin shtatoren e diktatorit mizor, në qendër të Tiranës, shtatoret e gjallë në bllokun hoxhist. Ata ia dolën de facto të bëjnë vendin më opozitën më të fuqishme që kishte pasur ndonjëherë, ia dolën të realizojnë në një hark kohor të shkurtër, në rrugë paqësore, ndryshimin më të madh që shqiptarët kishin realizuar ndonjëherë në historinë e vendit të tyre. 20 shkurti është apel për çdo shqiptar, për të nderuar ata qindra e mijëra burra dhe gra, të rinj dhe të reja, të cilët sakrifikuan rininë, sakrifikuan jetën e tyre, për vlerat që ne sot u besojmë, për vlerat që ne sot zhvillojmë, për vlerat që ne sot ndërtojmë. 20 shkurti është gjithashtu një nderim për të gjithë ata shqiptarë, që përjetuan barbaritë e një sistemi skllavërie moderne, por mbi të gjitha është një nderim për ata djem dhe vajza, burra dhe gra, që 21 vjet më parë, me një vendim solemn, vendosen të zhvillojnë në rrugët dhe sheshet e Tiranës, betejën ndaj diktaturës më të egër që Europa kishte njohur. 20 shkurti nuk ishte betejë me buste. 20 shkurti ishte beteja me diktaturën hoxhiste, me bllokun hoxhist, që nga bunkeri projektonte krime, mjerim, vrasje, izolim. Por 20 shkurti është gjithashtu, një moment reflektimi i thellë për çdo shqiptar. Ç’ndodhi me ne? Pse mbi ne u vendos për 43 vjet me radhë, regjimi më i egër, më barbar, me çnjerëzor, se në çdo komb tjetër të Europës?! Regjimi, me Kushtetutë, e shndërroi Shqipërinë, në trevën e eksperimenteve më çnjerëzore, më tragjike, të ndalimit të Zotit dhe të drejtave të njeriut , të ndalimit të pronës private, me kushtet e ndalimit të lëvizjes me tela me gjemba, si në asnjë vend tjetër. Është në detyrën tonë të nxjerrim mësime. Asgjë më të rëndësishme nuk ka, sesa mësimi që nxjerr nga ajo që ke pësuar”, u shpreh Berisha.
Kryeministri solli në vëmendje se në pranverën e vitit 1991, me një deklaratë unike, kryeministra, kryetarë shtetesh, kryetarë partish të Qendrës së Djathtë Europiane do ta cilësonin Enver Hoxhën si Hitlerin e shqiptarëve të pas luftës.
“Ky krahasim nuk ishte as emocional dhe as rastësor. Absolutisht jo! Ky krahasim bazohej në faktin se njëlloj si Adolf Hitleri, që mbi baza raciste dhe etnike ndërmori shfarosje të kombe të tëra, po kështu, diktatori shqiptar, mbi baza klasore dhe ideologjike, ndërmori shtypjen më të egër, persekutimin më të gjerë, organizoi mbi popullin e tij, mjerimin më të thellë. Ai përdori dobësinë e tmerrshme që krijon mjerimi, për të mbajtur të gjunjëzuar një popull të tërë. Shfarosi në kampe dhe burgje, dy herë më shumë se të gjitha vendet ish-komuniste të marra së bashku, shfarosi me sëmundje dhe uri, disa herë më shumë, sesa me kampet dhe burgjet e tij. Dhe ky ishte i vetmi diktator i Europës ish-komuniste që u cilësua si Hitleri i pas luftës. Mjerisht, duhet të them se qëndrimi ndaj tij, qëndrimi ndaj sistemit që ai vendosi, ende nuk ka marrë përmasat që ai meriton”, tha ai. Kreu i ekzekutivit theksoi se sot, pas 20 vjetësh, blloku është shndërruar në një nga lagjet e haresë së qytetit, por sipas tij, sërish janë mbledhur çunat apo bijtë e bllokut. Sipas tij, Edi Rama ka mbledhur në PS të gjithë bijtë e etërve të regjimit diktatorial. Sikundër tha Berisha, rikthimi i bijve në krye të PS, përbën vepër kryekëput të Edvin Ramës. “Sot, pas 20 vjetësh, blloku është shndërruar në një nga lagjet e haresë së qytetit, por sërish janë mbledhur çunat apo bijtë e bllokut. Po! Historia dhe zhvillimet duhen parë drejt e në sy. Kjo nuk ndodhi pas vitit ‘92. Kjo është e vërteta, ndonëse ne, kurrë, nuk i mbajmë përgjegjës bijtë, për eterit. Kjo nuk ndodhi as edhe në vitin 2000. Ky rikthim i bijve në krye të Partisë Socialiste përbën vepër kryekëput të Edvin Ramës. Dhe kjo është e vërteta. I mblodhi ku ishin dhe ku nuk ishin, madje, i solli edhe nga emigracioni, duke iu premtuar majën që humbën etërit”, tha Berisha.
Kreu i ekzekutivit akuzoi opozitën dhe kreun e saj si përgjegjës për bllokimin me dy vite të procesit të integrimit të vendit në BE, duke i bërë apel të çlirohet nga mentaliteti dhe nga e shkuara.
“Dy vite me radhë përdorën pushtetin e dhënë nga qytetarët për të mbështetur integrimin, për të bllokuar procesin e integrimit. Gjatë kësaj kohe, qeveria bëri gjithçka për të gjetur një zgjidhje dhe për të bashkëpunuar me opozitën, por, natyrisht, duke qëndruar vendosmërisht në ligjet dhe Kushtetutën e vendit. Pas 2 vitesh bllokimi që i bënë Shqipërisë dhe e bënë këtë, pikërisht, sepse ndajnë psikologjinë e etërve të tyre, pasi nuk ka as edhe një shqiptar që ta bëjë këtë, pranoi pikë për pikë ato që i ishin ofruar dy vite me radhë, por duke fërkuar duart se bllokoi statusin. Shqiptarët i dhanë përgjigjen e shkëlqyer, të merituar më 8 maj. Sërish, ne mbetemi të hapur për reforma. Opozita ka dhe do të ketë të gjithë gatishmërinë tonë për bashkëpunim, por, absolutisht, asgjë jashtë kuadrit kushtetues të këtij vendi, asgjë jashtë shtetit ligjor dhe funksionimit të tij. Sot, pas 21 vitesh, nderimi më i madh që ne mund t’i bëjmë guximit, trimërisë, kurajës së atyre që përmbysën në rrugët dhe sheshet e Tiranës, diktaturën më barbare të Europës, është të konsolidojmë vlerat e lirisë, demokracisë, shtetit ligjor, të bëjmë gjithçka kemi në dorë për të shtyrë përpara procesin e konsolidimit të demokracisë në këtë vend dhe procesin e integrimit të mëtejshëm të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Uroj, gjithashtu, që udhëheqja aktuale e opozitës të çlirohet në interesin e saj më të mirë, por edhe të vendit, nga psikologjia dhe mentaliteti i etërve. Psikologji dhe mentalitet që nuk ka dhe nuk mund të ketë asnjë të ardhme”, deklaroi kryeministri Berisha.