Berisha: Edvini është një kryetar antishkolle

Edvini, një kryetar antishkollë, me 22 milionë euro ndërtoi vetëm dy godina periferike Qeveria aktuale, ka treguar një interes të jashtëzakonshëm për përqëndrimin e investimeve në arsim, në shërbim të ndërtimit të shkollave moderne dhe me standarde evropiane, me kabinete informatike dhe me 25-30 nxënës në klasa. Kryemnistri Berisha u shpreh nga juglindja se me buxhetin e vitit që vjen ndërtohen 300 shkolla të reja, ndërsa janë rindërtuar rreth 700 shkolla ekzistuese.
Kryeministri Sali Berisha mori pjesë në inaugurimin e shkollës 9 vjeçare në fshatin Pretushë, në rrethin e Pogradecit, një investim i buxhetit të shtetit me vlerë 100 milionë lekë të vjetra. Kryeministri përgëzoi drejtuesit vendorë për këtë vendim për ngritjen e shkollës së re në këtë zonë, si nxitje për krijimin e standardeve europiane në shkolla, duke siguruar klasa me jo më shumë se 20-30 nxënës. Ndërkohë, vijoi kryeministri, në shkollat e kryeqytetit klasat janë me 40-50 nxënës dhe kjo, jo për faktin se nuk ka fonde të ndërtohen shkolla të reja, pasi qeveria i ka dhënë ato dhe ka siguruar kredi 22 milionë euro. “Ne kemi dhënë fondet më të mëdha për Bashkinë e Tiranës dhe, nga 8 shkolla që duhet të ndërtonte kryetari, ka ndërtuar vetëm dy, edhe ato, në periferi të Tiranës”, theksoi kryeministri. “Shpreh kënaqësinë time që jam sot këtu dhe që inaugurojmë së bashku një shkollë 9 vjeçare, krahas shkollës ekzistuese të mirëmbajtur, në të cilën fëmijët tuaj do të ulen në klasa të mira, me nga 25 nxënës në klasë. Kryetari i Komunës më informoi se ndërtimi i shkollës u bë i domosdoshëm sepse klasat ishin të mbingarkuara me nxënës. Unë ju përgëzoj për këtë. Nuk duhet të ketë më shumë se 20-30 nxënës në një klasë. Më vjen shumë mirë që ne inaugurojmë një shkollë moderne, ashtu siç po bëjmë në mbarë Shqipërinë. Së bashku me buxhetin e vitit që vjen ne ndërtojmë 300 shkolla të reja, kemi rindërtuar rreth 700 shkolla ekzistuese. Nga muaji mars i vitit që vjen, 2200 shkollat e vendit do të kenë kabinetet e informatikës dhe nga muaji maj i vitit që vjen mësuesit e fëmijëve do të kenë një rrogë 2 herë më të lartë sesa e kishin në vitin 2005”, tha Berisha.
...