Berisha, në qendër të lobingut rajonal për ndërtimin e Korridorit VII

Në fillim të dhjetorit, së bashku me kryeministrin italian, Silvio Berluskoni, në Tiranë do të jenë edhe kryeministrat e Bullgarisë e të Maqedonisë, me të cilët do të diskutohet identifikimi i burimeve ekonomike për ndërtimin urgjent të aksit me rëndësi historike për të 4 vendet respektive Korridori VIII do sjellë në Tiranë kryeministrin italian, Silvio Berluskoni, presidentin bullgar, Georgi Parvanov si dhe kryeministrin maqedonas, Nikolas Gruevski. Në fillim të dhjetorit, shefat e qeverive, të shoqëruar nga tre ministrat e transporteve të Italisë, Bullgarisë dhe Maqedonisë do të jenë mysafirë të kryeministrit Berisha, ndërkohë që shefat e transportit do takohen me ministrin tonë të Punëve Publike Transporteve dhe Telekomunikacionit, Sokol Olldashi. Italia e konsideron si prioritare ndërtimin e Korridorit Tetë, fakt ky që u konfirmua edhe nga shefi i diplomacisë italiane në Tiranë, Franko Fratini, gjatë vizitës së tij të fundit në Tiranë. Korridori VIII e humbi garën për marrjen e donacioneve nga Bashkimi Evropian para disa vitesh, në sajë të lobingut të fortë kundër të Greqisë dhe disa anëtarëve të rinj të BE-së, por me kthimin e së djathtës italiane në pushtet, ai u kthye tek prioritetet qeveritare. Edhe në vizitën e fundit të kryeministrit Berisha në Itali dhe një takimi me industrialistë vendas, çështja e thithjes së fondeve për ndërtimin e këtij aksi, që ka një çertifikim historik për rëndësinë e tij, ka qenë në qendër të diskutimeve. Kryeministri Berisha qendron edhe në themel të nismës së fundit për t’i mbledhur në Tiranë të gjithë faktorët e interesuar për ndërtimin e këtij aksi, samit prej nga pritet jo vetëm konfirmimi i mbështjetjes politike për aksin, por edhe identifikimi i burimeve ekonomike që do të mundësojnë ndërtimin e tij sa më të shpejtë, mundësisht paralelisht me futjen në punë të korridorit alternativ që ka ndërtuar Greqia përgjatë brigjeve të Egjeut, e që si pikë fundore ka portin e Gumenicës. ...