E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Jemi të vendosur për ndërtimin e infrastrukturës moderne kudo në Shqipëri

Vitin e ardhshëm, fillon ndërtimi i autostradës Qafë Plloç - Qukës

Gjatë vitit që vjen, nis nga puna fillimi i ndërtimit të një vepre tepër madhore, si autostrada Qafë Plloç-Qukës, konsideruar si një nga veprat më të rëndësishme të vendit. Gjatë inaugurimit të rrugës Dardhas-Qafë Plloç, kryeministri Berisha vlerësoi ndërtimi i autostradës në drejtim të Qukësit, ndikon ndjeshëm në shkurtimin e distancës Korçë-Tiranë dhe se zbulon bukuritë mahnitëse të Mokrës, sikundër urbanizon këtë krahinë, e cila ka nevojë jetike për një urbanizim sa më të mirë. Sipas kryeminisitrit, qeveria është e vendosur të ndërtojë infrastrukturë moderne kudo në Shqipëri. “Kjo autostradë, e cila ishte parashikuar të kalonte Qafë Plloç - Qafë Thanë, do të kalojë në trajektoren Qafë Plloç - Qukës. Në këtë mënyrë, shkurtohet ndjeshëm distanca e këtyre zonave edhe me Tiranën, ndërkohë që rruga kalon në një terren shumë më të zbutur”, tha Berisha.

Qeveria do të financojë të gjitha projektet e komunës Dardhas
Kryeministri Berisha ka garantuar banorët e komunës Dardhas në Pogradec, se qeveria që ai drejton, do të financojë të gjitha projektet që synojnë përmirësimin dhe normalizimin e jetesës së banorëve. “Unë ju garantoj se qeveria ime do të financojë të gjitha projektet që kryetari dhe këshilli juaj do të hartojnë për të përmirësuar kushtet e jetesës në këtë fshat dhe në mbarë komunën e Dardhasit. Në një hark të shkurtër kohor investimet në komunën tuaj janë shumëfishuar krahasuar me periudhat e mëparshme. Mbështetje kanë ndier edhe fermerët e drurëve frutorë dhe blegtorisë dhe kjo mbështetje do të vijë gjithnjë në rritje”, tha kryeministri Berisha. Kreu i qeverisë vuri në pah se Komuna e Dardhasit është një komunë me potenciale të mëdha dhe të gjithanshme, me potenciale në prodhimet e saj bujqësore, por mbi të gjitha është komunë arsimdashëse. Referuar investimeve që janë bërë për përmirësimin e kushteve në arsim në këtë zonë, Berisha akuzoi kryebashkiakun e Tiranës për mungesë të investimeve në shkolla dhe kopshte. “Kjo komunë ka tre kopshte për fëmijë. Le të vijë dhe të marrë shembull kryetari i Bashkisë së Tiranës. Në një lagje me 30 mijë banorë në Tiranë, nuk janë më shumë se 2 kopshte, sepse ai ka një problem me kopshtet dhe me shkollat, ka probleme dhe me përqindshin e truallit, sepse ato nuk i japin 15 për qind, siç japin pallatet. Por ne do të vazhdojmë të ndërtojmë dhe ju premtoj se do të financojmë asfaltimin e të gjitha rrugëve të brendshme të këtyre fshatrave, do të rikonstruktojmë shkollën ekzistuese, sikundër, do të ndërtojmë shkollë tjetër, kopshte, sepse më bëjnë me dije se 2 prej këtyre kopshteve janë në ambiente me qera. Drejtuesit tuaj vendorë të përcaktojnë truallin dhe ministria e Arsimit do të financojë plotësisht projektin, për ndërtimin e një kopshti nga më modernët në këtë fshat”, nënvizoi Berisha, duke theksuar se “ndërsa vija këtu, kryetari juaj më shpjegoi sistemin modern të kanalizimeve”. “Në këtë aspekt, ky fshat barazohet për sa i përket një sistemi jetik shumë të rëndësishëm, me çdo lagje qyteti, me rrugët gjithashtu, me shkollën, kopshtet. Ne duam që ju, nga pikëpamja urbane, të keni ato kushte që kanë banorët e qyteteve. Ne jemi të vetëdijshëm se jeta në këto zona është e vështirë, por ne si qeveri do të bëjmë çdo gjë për t’ua lehtësuar atë”, vuri në dukje kreu i qeverisë, Berisha.

Garancia e së djathtës: Zgjedhjet e ardhshme, më të ndershmet dhe më të lirat në historinë e vendit
Kryeministri Berisha konfirmoi nga Pogradeci, ku zhvilloi një vizitë në kuadër të turit “Shqipëria po ndryshon”, se do të bëhen të gjitha përpjekjet që zgjedhjet e ardhshme parlamentare të jenë zgjedhjet më të mira, më të ndershme në historinë e vendit.
“Gradualisht po shkohet drejt zgjedhjeve. Ne po bëjmë çdo përpjekje që zgjedhjet të jenë zgjedhjet më të mira, më të ndershme në historinë e këtij vendi”, tha kryeministri.
Duke iu drejtuar banorëve të zonës së Pogradecit, Berisha tha se “unë kam besim tek ju se, mes alternativës së veprave, të rrugëve, të shkollave, të kanalizimeve, të pensioneve, ujësjellësve dhe alternativës së llafeve boshe, ju do të zgjidhni të parën, sepse ajo është alternativa e halleve dhe derteve tuaja, është alternativa e jetës suaj të përditshme, alternativa e fëmijëve tuaj, e të ardhmes suaj”. Sipas kryeministrit, vendi ka një opozitë, por një opozitë e cila nga mëngjesi në darkë tregon me gisht dhe nuk tregon asgjë.
...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›