Berisha: Ekonomia shqiptare, e shëndetshme
Ekonomia shqiptare është një ekonomi e shëndoshë, në një kohë kur kriza ekonomike ka prekur shumë vende. Shëndeti i kësaj ekonomie duket se është garancia që u jepet investitorëve të huaj për të sjellë kapitalet e tyre në Shqipëri. Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, e ka cilësuar të shëndetshme ekonominë vendase dje gjatë hapjes që i bëri Forumit Ekonomik, Krans Montana, i organizuar në Tiranë. “Në mes të kësaj krize, ne ende jemi mirë, jemi të shëndetshëm. Ne kemi vështirësi të vogla buxhetore. Investimet tona në infrastrukturë ishin ndihmë për ekonominë e vendit. Disa institucione të rëndësishme parashikojnë që Shqipëria ka rritjen më të lartë ekonomike këtë vit”, - theksoi Berisha gjatë fjalës së tij në forumin ekonomik. Kreu i qeverisë nuk ka lënë pa përmendur faktin se anëtarësimi i pritshëm në NATO ka rritur sigurinë për investime në Shqipëri, madje ka ritheksuar edhe vendimin e qeverisë për të aplikuar për statusin e vendit kandidat në Bashkimin Evropian, pavarësisht sugjerimeve të ndërkombëtarëve për të mos u nxituar në hedhjen e këtij hapi. Berisha theksoi nevojën e vendit për investime, duke nënvizuar heqjen e pengesave burokratike për to. “Shqipëria është vend unik për investime, është vendi me barrierat më të ulëta fiskale”, - deklaroi Kryeministri. Kryeministri Sali Berisha deklaroi dje se qeveria shqiptare është shumë e vendosur dhe do të bëjë çdo përpjekje për ta kthyer Shqipërinë në një vend tërheqës për investitorët e huaj. Forumi Krans Montana, sipas kreut të qeverisë shqiptare, është bërë tashmë një institucion i vërtetë, i cili e ndihmon shumë Shqipërinë, duke e kthyer “nga një vend jo shumë të preferuar për investimet e huaja, në një vend vërtet tërheqës për këto investime”. “Ndër të gjitha vendet në rajon, në kontinent e më gjerë, Shqipëria është dhe do të vazhdojë të jetë një vend në nevojë për investime të huaja, sepse është një vend unik, i veçantë, ku investimet e huaja kanë qenë dikur të ndaluara me kushtetutë”, - tha Kryeministri Berisha. Sipas tij, Shqipëria është një vend unik i cili për 20 vjet me radhë, më shumë se 35 për qind të buxhetit të tij e përdori për të ndërtuar tunele dhe bunkerë”. Duke shprehur vendosmërinë e qeverisë që drejton për tërheqjen e investimeve të huaja, Kryeministri Berisha vuri në dukje se “për gati 4 vjet kjo qeveri po punon shumë për heqjen e pengesave burokratike, për investitorët”. Në këtë periudhë krize Shqipëria po mundohet të ecë përpara fuqishëm me anë të investimeve dhe në këtë drejtim, Kryeministri vuri në dukje se “nga dhjetori i vitit të kaluar dhe në janar të këtij viti janë nënshkruar më shumë se 3.5 miliardë euro kontrata dhe është krijuar një bazë shumë e fortë në fushën energjitike”. Në këtë drejtim, Kryeministri u shpreh: “Kjo qeveri synon ta shndërrojë këtë vend, i cili ka 30 vjet që vuan ndërprerjet e energjisë, në një superfuqi të vogël rajonale për energjinë elektrike”. “Ne kemi nënshkruar kontrata në fushën energjitike, për ndërtime TEC-esh dhe për të ndërtuar terminalin me të madh në Evropë, projekt ky mes qeverisë shqiptare dhe një kompanie norvegjeze e austriake. Të gjitha këto së bashku, që përbëjnë më shumë se 50 kontrata, janë tashmë të nënshkruara dhe 20 prej tyre do të fillojnë punë gjatë këtyre javëve dhe muajve”, - informoi Kryeministri Berisha. Në përfundim, Kryeministri Berisha siguroi sipërmarrësit e huaj: “Kjo qeveri do të bëjë gjithçka që projektet dhe investimet tuaja në Shqipëri të jenë një histori suksesi, ku të gjitha palët të jenë të përfituara”. “Anëtarësimi i Shqipërisë në NATO rrit në mënyrë marramendëse sigurinë për investimet tuaja, për vendin dhe rajonin. Ndërkaq, ne jemi prezentë pothuajse në të gjitha misionet ushtarake të NATO-s”, - informoi Kryeministri Berisha, duke shtuar se “së shpejti Shqipëria do të fillojë procesin e aplikimit për vend kandidat në Bashkimin Evropian”.
Kalderon: Suksesi i ekonomisë shqiptare, garanci për investitorët e huaj
Presidenti i Forumit Ekonomik të Krans Montanës, Zhan Pol Kalderon, deklaroi dje se suksesi që përfaqëson sot ekonomia shqiptare dhe integrimi i saj euroatlantik, janë për investitorët e huaj garancia e vërtetë për zhvillimin e sipërmarrjeve të tyre”. Kalderon vuri në dukje se ka ndjekur integrimin evropian dhe euroatlantik të Shqipërisë që prej vitit 1992 dhe është dëshmitar i progresit të Shqipërisë gjatë qeverisjes aktuale. “Shqipëria është vërtet një kantier ndërtimi me rrugë, autostrada dhe zhvillimin urban dhe ky është suksesi i një sistemi fiskal tërësisht të ri, me atë që ne e quajmë ‘taksa e sheshtë’, e cila ka lejuar të shumëfishohen të ardhurat fiskale”, - tha zoti Kalderon. Atë që e konsideroi “ndërtimi i Shqipërisë së re”, presidenti i Krans Montanës ia atribuoi punës së Kryeministrit Sali Berisha dhe qeverisë që ai drejton. “Bashkësia ndërkombëtare, ashtu si mbarë Evropa, janë të vetëdijshëm se këtu ka një sukses të vërtetë”, - tha presidenti i Krans Montanës.