E Shtunë, 31 Tetor 2026

Formulari A2 do të plotësohet në qershor



Formulari A2 i Maturës Shtetërore do të publikohet më 1 prill, por plotësimi i tij do të kryhet vetëm në qershor. Burime nga Ministria e Arsimit bënë dje të ditur për gazetën “standard” se do të ndiqet procedura e vjetshme për plotësimin e formularit A2, që shërben për aplikimin për shkollat e larta publike. Në këtë mënyrë, kur të përfundojnë provimet e detyrueshme të Maturës dhe studentët të kenë mësuar sasinë e pikëve të grumbulluara, do t’u jepet në dorë formulari për t’u plotësuar.

Në qershor

“Formulari A2 do të plotësohet, ashtu si vjet, pasi të kenë përfunduar provimet e e detyrueshme të Maturës, – tha zëdhënësja e Ministrisë së Arsimit, znj. Ermelinda Muho. - Ai do të publikohet sipas afateve që ka përcaktuar udhëzimi, ndërkohë që për plotësimin do të pritet muaji qershor”.

Në këtë mënyrë, formulari A2 do të publikohet në fillim të javës së ardhshme, ndërsa kandidatët që dëshirojnë të vazhdojnë studimet në shkollat e larta, duhet ta plotësojnë brenda datës 30 qershor dhe ta dorëzojnë atë në komisionin e shkollës.

“KSHMSH-ja dërgon zyrtarisht në KMSH-në e DAR/ZA-së formularët A2, të plotësuar sipas nenit 29, si edhe tabelën e regjistrimeve, brenda datës 2 korrik. KMSH-ja e DAR-it dhe ZA-së, pasi bën verifikimet përkatëse, i dërgon formularët, ndarë sipas shkollave, së bashku me tabelat e regjistrimeve, zyrtarisht me shkresë përcjellëse në MASH, më 11 korrik”, – përcakton Rregullorja e Maturës Shtetërore.

Formulari A2

Formulari A2 shërben vetëm për ata studentë që dëshirojnë të vazhdojnë studimet e larta në një nga 12 universitetet publike në vend, duke përjashtuar Akademinë e Arteve dhe Akademinë e Sporteve. Në këtë mënyrë, kush dëshiron të kandidojë për në shkollat private, universitetet jashtë vendit ose dy akademitë, nuk ka përse të plotësojë formularin A2 dhe të japë lëndët me zgjedhje.

Formulari përmban të dhënat e nxënësve që kanë marrë provimet e detyruara, me notën mesatare dhe përzgjedhjen e degëve të shkollave të larta ku dëshiron të studiojë dhe së bashku me të publikohet edhe udhëzuesi i formularit që përmban informacion praktik për mënyrën e plotësimit.

“Regjistrimi i çdo kandidati për provimin me zgjedhje konsiderohet i plotë, në qoftë se krahas plotësimit me saktësi të çdo të dhëne të kërkuar, formularit A2 i bashkëngjitet mandatarkëtimi origjinal që vërteton pagesën e tarifës së Maturës Shtetërore. Formulari A2 pranohet vetëm i shoqëruar me mandatarkëtimin”, – përcakton Rregullorja e Maturës Shtetërore.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›