Xhoni, fisniku që nuk njohim
Xhoni nuk ishte i vlerësuar për atë çka i kishte dhënë skenës së Teatrit të Operës. Faktorët politikë apo socialë, sot pa rëndësi, e kanë penguar artistin “Skënderbe” të marrë medaljen që i takon. Ky është konstatimi i nipit të tij, Anxhelo Xhaçkai, njëkohësisht edhe autori i librit “Xhoni Athanasi, njeriu dhe artisti...”. Një botim i cili është promovuar dje në sallën e TKOB, gjatë një ceremonie memoriali mbi jetën, aktivitetin dhe kujtime kolegësh, miqsh e dashamirës pranë tenorit. Në kuadër të këtij promovimi, shumë miq, ish-studentë e të afërm kanë ndarë me pjesëmarrësit kujtimet më të bukura me Xhonin. Përpos përçimit të vlerave të tenorit, pjesëmarrësit vinin theksin më së shumti në sensin e tij të humorit. “Më vjen mirë për këtë takim me një mik të hershëm që na vjen në mendje shpesh për nga humori i tij, puna dhe gjurma që ka lënë në Teatrin e Operës”, - shprehet drejtori i TKOB, Zhani Ciko. Ai e vlerëson tenorin për rolin e tij në teatër, e sidomos në aspektin e cilësive interpretative, duke u shprehur se “Xhoni Athanas dallohej si një artist me cilësi shumë të mira e të natyrshme të interpretimit dhe ishte i rafinuar për sensin e perceptimit pozitiv të gjërave”. Ndërkohë, copëza jetësore i kanë risjellë edhe ish-studentë të tij, sot persona të rëndësishëm të artit, si Agim Duro, pedagog i Akademisë së Arteve, i cili ndër të tjera u shpreh: “I jam shumë mirënjohës profesorit tim Xhoni Athanas për kontributin e tij ndaj meje dhe brezit tim”. Ai kujton po ashtu edhe ditët kur gjatë procesit të mësimit, kohë kur Duro ishte student i tij, gjendja shpirtërore e studentëve nuk ishte në nivelin e duhur. Për këtë, metoda më e mirë e tij ishte ndonjë barsoletë e momentit, duke ndikuar drejtpërdrejt në gjendjen emocionale të tyre dhe kontributin kundrejt punës. Gjithashtu, një tjetër ish-studente e tij, Zana Frashëri, një pedagoge e Akademisë së Arteve, cila tregon se “Xhoni ishte dhe është një burrë fisnik. Ai reflektonte një kulturë dhe etikë të çmuar. Njerëz të tillë janë të rrallë dhe për këtë jam munduar që të përfitoj sa më shumë nga gjithçka që ai ka dhënë për ne”. Gjatë ceremonisë, ish-studentët e Xhonit e kanë nderuar atë me interpretimin e arieve të tij të preferuara, si arien e Renatos nga “Ballo me maska”, kënduar nga tenori Ylber Gjini, romancën e Çajkovjskit etj.
Libri
Sot, ai është 84 vjeç. Ndonëse gëzon një shëndet të mirë, i aftë për të kënduar mbi skenat e botës, nuk ka mundur ta përballojë udhëtimin e një ditë-nate nga Amerika, kontinenti i mrekullive, ku aktualisht Xhoni ka dhjetë vjet që jeton. Kjo nuk është konsideruar pengesë për të promovuar librin “Xhoni Athanasi, njeriu dhe artisti...”, kushtuar jetës dhe aktivitetit të tij artistik, deri në ditët e sotme, prej gazetarit Anxhelo Xhaçka. “Mendova ta botoj këtë libër pikërisht këto kohë për arsye se dua t’i bëj një lloj nderimi tani, sa është ende gjallë. Natyrisht, ai e meritonte një libër dhe unë nuk jam i pari, e sigurisht nuk do të jem as i fundit që të shkruaj për artistët. Mendova që një karrierë kaq e pasur dhe kaq e gjallë do ta quaja një mëkat nëse do ta lija pa e përmendur në një libër. Kjo është ajo që më nxiti më së shumti”, - shprehet autori i librit Xhaçka, duke treguar se burimi kryesor që ka shfrytëzuar për konkretizimin e këtij botimi ka qenë vetë Xhoni. “Gjatë këtyre viteve të fundit unë kam qenë shumë afër tij, kemi qëndruar bashkë vazhdimisht. Kështu një ditë mendova të bëja një shkrim me rastin 80-vjetorit të ditëlindjes së tij. Gjatë procesit të marrjes së informacioneve mbi këtë shkrim zbulova detaje shumë interesante dhe më ngacmuan kureshtjen të dija edhe më tej si gazetar që jam”, - thotë shkrimtari, duke na e bërë me dije mënyrën e gjetjes së materialeve për librin, bashkë me shfrytëzimin e shumë shkrimeve të shtypit, arkivin etj. Më tej, gazetari dhe nipi i tij na thotë se karriera e tij ka rreth dy vjet që është mbyllur, ndërkohë që një mendim të tillë ai e kishte ushqyer që prej 14 vjetësh, kur ishte rehabilituar në Amerikë. “E konsideroi të mbyllur karrierën e tij artistike, për shkak të moshës dhe ambientit të panjohur amerikan”, - thotë autori, duke shtuar se në të vërtetë ndodhi e kundërta. “Rastësia e takoi me një artiste ruse, e cila e lidhi me një grup artistik po nga Rusia. Këta të fundit janë shumë të lidhur me njëri-tjetrin, zhvillojnë shumë aktivitete dhe kanë qendra kulturore shumë të fuqishme në Boston. Kur ftuan Xhonin, dhe ata mësuan që ai ishte pikërisht i njëjti tenor që njihnin në Moskë, sepse karriera e tij në kryeqytetin rus ka qenë e shkëlqyer, pavarësisht se ne nuk e njohim, e pëlqyen menjëherë”, - rrëfen Anxhelo, i cili shpjegon se në këtë mënyrë ai e vijoi aktiviteti e tij artistik fillimisht në salla të vogla, me rreth 150-200 vende, ndërsa më vonë duke u ekspozuar si artist ai filloi të ftohej në skena edhe më të mëdha, gjithnjë në muzikën lirike. “Ai këndonte në italisht, rusisht dhe shqip vetëm përpara shqiptarëve, me arie të Skënderbeut, këngë popullore, po shqiptare, serenata dhe romanca. Ndërsa ariet e tjera i ka kënduar nëpër trupa të tjera edhe më të specializuara”, - pohon ai.
Për autorin e librit të gjitha rolet që Xhoni ka interpretuar janë të veçanta, pasi në fund të fundit janë edhe personazhet kryesore të operave ku ka interpretuar si “Manriko”, “Otello”, “Pranvera”, e deri tek Skënderbeu, e cila është opera e fundit shqiptare, ku Xhoni ka pasur përsëri rolin kryesor.
Për Xhonin
“Xhoni është i vlerësuar, ashtu si të gjithë artistët tanë deri në një farë mase, por jo plotësisht. Unë u përpoqa ta risjell atë në mendjet e njerëzve, pasi artistët meritojnë më shumë sesa kaq. Nëse i dedikoj Xhonit këtë libër, nuk e mendoj si një nder të madh. Askush nuk mund të nderoj dikë me një botim. Po Xhoni është më pak i vlerësuar nga artistët e tjerë në raport me atë që i ka dhënë Teatrit të Operës”, - shprehet nipi i tij, teksa na jep një vlerësim mbi tenorin. Ai vijon duke thënë se “të shkruash për një artist të një niveli të tillë, për njerëz si Xhoni, për mua është një krenari”. Xhaçka tregon se në libër është hedhur dritë vetëm për një pjesë të kujtimeve dhe përvojës artistike të Xhonit. “Nuk i kam thënë të gjitha në libër dhe kam seleksionuar pjesët më të rëndësishme nga materiali. Por në fund mua më ka ardhur keq që nuk kam shtuar shumë gjëra, pasi çdo gjë që thuhet për artistët tanë mund të thuhet pa frikë, sepse është pjesë e jetës së tyre dhe është shumë interesante”, - përfundon ai.