Berisha: Nismë ligjore për bizneset e vegjël
Qeveria do të marrë një nismë ligjore për të frenuar rritjen e taksave për biznesi e vogël, nga disa bashki dhe komuna në vend. Kryeministri Berisha, akuzoi disa drejtues të pushtetit vendor, se po rëndojnë bizneset e vogla me taksa lokale, sidomos në një periudhë të vështirë për të gjithë ekonominë botërore.
Ai tha se rritja e taksave në këtë periudhë dëmton bizneset dhe del kundër përpjekjeve të qeverisë për të amortizuar krizës, si dhe kundër filozofisë së qeverisë për uljen e barrës fiskale.
"Unë u bëj thirrje qeverive vendore që ta rishikojnë edhe vetë këtë problematikë, por njëkohësisht i siguroj se ne do të ndërhyjmë në favor të biznesit të vogël, sepse është bërë e domosdoshme. Si sot dy javë, në mbledhjen e qeverisë, do të përcaktojmë të gjitha qëndrimet ligjore ndaj kësaj manie të rritjes së taksave ndaj biznesit të vogël",- tha Kryeministri Berisha, dje në mbledhjen e qeverisë.
Ai tha se vitin e kaluar është ndërhyrë në mbrojtje të biznesit të vogël, pasi u shfaq tendenca për të rritur taksën e gjelbërimit, taksën e pastrimit, etj.
"Më shumë se 1/3 e vendeve, mes tyre edhe vende anëtare të Bashkimit Evropian, po vendosin uljen e pagave deri në masën 10 %, dhe, të tilla janë vendet Baltike, Irlanda dhe shumë vende të tjera, sepse parashikimet buxhetore, për shkak të krizës së recesionit, nuk realizohen. Ndërsa ne do të rrisim pagat dhe do të bëjmë rritjen më të madhe që kemi bërë ndonjëherë",- tha Berisha.